Grupkapitulli 5 – Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni
Grupkapitulli 5 përfshin fushat e bujqësisë, burimeve natyrore dhe politikave të kohezionit. Ky grupkapitull ka rëndësi të veçantë, pasi trajton sektorë që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik, sigurinë ushqimore dhe reduktimin e pabarazive rajonale. Në kuadër të këtij grupkapitulli shtetet kandidate angazhohen të përafrojnë legjislacionet e tyre kombëtare me acquis të BE-së, duke siguruar harmonizimin e politikave bujqësore me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së, forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe inspektimit për garantimin e standardeve ushqimore, si dhe krijimin e kapaciteteve për administrimin e fondeve strukturore dhe investimeve të kohezionit.
Grupkapitulli 5 synon modernizimin e sektorit bujqësor, rritjen e konkurrueshmërisë, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, duke kontribuar në integrimin e plotë të vendeve kandidate në politikat e përbashkëta të Bashkimit Europian. Negociatat për këtë grupkapitull u hapën zyrtarisht në Konferencën e Shtatë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, zhvilluar më 12 nëntor 2025. Njëkohësisht me hapjen e negociatave, u përcaktua se ky grupkapitull mund të mbyllet përkohësisht vetëm pasi të përmbushen kriteret specifike të secilit kapitull, saktësisht 18 të tilla gjithsej.
Kapitulli 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi rural
Kapitulli 11 përmban një numër të madh të rregullave të detyrueshme, shumë prej të cilave janë drejtpërdrejtë të zbatueshme. Zbatimi i duhur i këtyre rregullave dhe kontrolli efektiv nga një administratë publike efikase janë thelbësore për funksionimin e politikës së përbashkët bujqësore (PPB), e cila kërkon ngritjen e sistemeve të menaxhimit dhe cilësisë të tilla si agjencia e pagesave, sistemi i integruar dhe i kontrollit të pagesave (IACS), dhe kapaciteti për të zbatuar masat e zhvillimit rural. Ky kapitull përfshin gjithashtu legjislacionin për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës, treguesit gjeografikë dhe specialitetet tradicionale për produktet bujqësore dhe ato ushqimore dhe kontrollin e kësaj mbrojtje; rregullat për bujqësinë organike dhe kontrollin e inspektimin; ndihmat shtetërore në bujqësi; dhe krijimi dhe funksionimi i një sistemi për rrjetin e të dhënave të kontabilitetit në fermë, i cili është një mjet i rëndësishëm për formimin e PPB. Në këtë kapitull trajtohen nnjë sërë çështjesh horizontale si: organizimi i tregut të përbashkët, zhvillimi rural, prodhimi organik dhe politikat e cilësisë.
Pas hapjes së negociatave për grupkapitullin 5, janë vendosur tri piketa përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria paraqet një plan zbatimi për ngritjen e një Sistemi të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS), i cili duhet të jetë plotësisht funksional në datën e anëtarësimit. Plani duhet të përfshijë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e plotë të çdo komponenti të veçantë të sistemit dhe të integrimit të tyre, duke përfshirë paraqitjen e statusit aktual të përgatitjeve, objektivat e ardhshme të përcaktuara në një afat kohor, planin e legjislacionit që mbetet ende për t’u miratuar, kërkesat e sakta buxhetore dhe ato për burime njerëzore, si dhe identifikimin e mangësive të mundshme dhe zgjidhjet përkatëse. Shqipëria duhet të demonstrojë se ka bërë progres të kënaqshëm drejt ngritjes së Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS) në përputhje me acquis të BE-së, duke përfshirë edhe krijimin e Sistemit të identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).
- Shqipëria paraqet një plan zbatimi për ngritjen e një agjencie pagesash, e cila duhet të jetë plotësisht funksionale në datën e anëtarësimit. Duke marrë në konsideratë standardet që lidhen me pavarësinë, besueshmërinë, llogaridhënien dhe rregullshmërinë financiare, plani përfshin paraqitjen e statusit aktual të përgatitjeve, objektivat e ardhshme të përcaktuara në një afat kohor, planin e legjislacionit që mbetet ende për t’u miratuar, kërkesat e sakta buxhetore, nevojat për burime njerëzore, përfshirë kalendarin e rekrutimit, si dhe identifikimin e mangësive të mundshme dhe zgjidhjet përkatëse. Shqipëria duhet të demonstrojë se ka bërë progres të mjaftueshëm drejt ngritjes së kësaj agjencie pagesash në përputhje me acquis të BE-së.
- Shqipëria ka në funksion një sistem efektiv të administrimit financiar, monitorimit dhe kontrollit, me kapacitete të mjaftueshme për funksionet e kontrollit dhe auditimit, duke respektuar nivelet më të larta të integritetit dhe etikës në fushën e kontrollit dhe auditimit, në mënyrë që të përdorë plotësisht dhe të përfitojë nga fondet bujqësore dhe të zhvillimit rural të BE-së në momentin e anëtarësimit. Shqipëria ka ndërmarrë masa efektive korrigjuese për menaxhimin e rregullt të mbështetjes IPARD, duke përfshirë procedurat e brendshme të menaxhimit dhe kontrollit, masat në lidhje me parregullsitë, mashtrimin dhe korrupsionin, si dhe forcimin e integritetit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR/ARDA).
Kapitulli 12 – Politikat e Sigurisë ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve
Kapitulli 12 mbulon rregullat e hollësishme në fushën e sigurisë ushqimore që përcakton rregullat e higjienës për prodhimin e produkteve bujqësore. Më tej, legjislacioni i Bashkimit Europian përcakton rregullat e hollësishme në fushën e veterinarisë, të cilat janë thelbësore për të ruajtur shëndetin e kafshëve, mirëqenien e kafshëve dhe sigurinë e produkteve ushqimore me origjinë shtazore në tregun e brendshëm. Në fushën e mbrojtjes së bimëve, rregullat e Bashkimit Europian mbulojnë çështje të tilla si cilësia e farërave, materialet e mbrojtjes së bimëve, organizmat e dëmshëm dhe ushqimin e kafshëve. Pjesë e strukturës së këtij kapitulli janë: siguria ushqimore, politika veterinare, politika e mbrojtjes së bimëve, farat dhe fidanët, ushqimi për kafshë dhe OMGJ-të.
Pas hapjes së negociatave për grupkapitullin 5, janë vendosur gjashtë piketa përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria i paraqet Komisionit një program kombëtar të miratuar për përshtatjen dhe modernizimin e strukturave që trajtojnë produkte me origjinë shtazore dhe të strukturave që prodhojnë ushqim për kafshë. Sa i takon sektorit të qumështit, programi kombëtar duhet të përfshijë gjithashtu një strategji për përdorimin e qumështit të papajtueshëm me standardet dhe për përmirësimin e cilësisë së qumështit të papërpunuar.
- Shqipëria demonstron progres të mjaftueshëm në përdorimin e nënprodukteve shtazore dhe në krijimin e një zinxhiri të plotë të asgjësimit, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.
- Shqipëria demonstron progres të mjaftueshëm në ngritjen e një sistemi të përputhshëm me standardet e BE-së për kontrollet zyrtare të kafshëve të gjalla dhe produkteve me origjinë shtazore, përfshirë edhe financimin e këtij sistemi.
- Shqipëria demonstron progres të mjaftueshëm në zbatimin dhe forcimin e rregullave që lidhen me shëndetin e kafshëve, në përputhje me kërkesat e BE-së (përfshirë identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, mbikëqyrjen e sëmundjeve, programet e çrrënjosjes së sëmundjeve, kontrollin e tyre si dhe masat emergjente).
- Shqipëria demonstron progres të mjaftueshëm në zbatimin dhe forcimin e rregullave që lidhen me mirëqenien e kafshëve, në përputhje me kërkesat e BE-së (përfshirë mirëqenien e kafshëve në fermë, gjatë transportit dhe në momentin e therjes).
- Shqipëria demonstron se ka ngritur dhe zhvilluar kapacitetet dhe infrastrukturat administrative përkatëse, duke realizuar progres të prekshëm drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm të kontrolleve zyrtare, përfshirë Sistemin e Analizës së Rrezikut dhe Pikave Kritike të Kontrollit (HACCP), që përfshin funksionimin e laboratorëve zyrtarë dhe të pikave të kontrollit kufitar në përputhje me acquis. Shqipëria ka demonstruar se do të ketë kapacitete të mjaftueshme administrative për të zbatuar dhe aplikuar në mënyrë korrekte të gjithë acquis të këtij kapitulli, në veçanti në fushën e shëndetit të kafshëve dhe bimëve, rregullave fitosanitare dhe sigurisë së ushqimit dhe ushqimit për kafshë, në momentin e anëtarësimit, dhe se po bën progres të mëtejshëm në zgjerimin e infrastrukturës së saj, e pajisur me burime dhe staf të mjaftueshëm për të kryer aktivitete zyrtare me paanshmëri dhe etikë, pa konflikt interesi, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në acquis të BE-së.
Kapitulli 13 – Peshkimi
Kapitulli 13 ka si qëllim kryesor krijimin e Politikës së Përbashkët të Peshkimit (PPP), e cila përqëndrohet në menaxhimin e burimeve të peshkimit brenda ujërave europiane. Objektivat kryesore të PPP janë parandalimi i mbipeshkimit, mbrojtja e ekosistemeve detare dhe sigurimi i qëndrueshmërisë afatgjatë të peshkimit. PPP rregullon kuotat e peshkimit, masat teknike, monitorimin dhe kontrollin e aktiviteteve të peshkimit, si dhe mbështetjen për akuakulturën dhe kërkimin shkencor. Ajo promovon gjithashtu, qëndrueshmërinë ekonomike të komuniteteve që varen nga peshkimi dhe lehtëson aksesin në tregun e përbashkët të BE-së për produktet e peshkut. Nënfushat që mbulon ky kapitull janë: menaxhimi i burimeve dhe i flotës, inspektimi dhe kontrolli, masat strukturore, politika e tregut, ndihma shtetërore dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 5, për këtë kapitull janë vendosur dy piketa përmbyllëse:
- Shqipëria ka arritur një nivel të avancuar përafrimi me acquis të BE-së në fushën e peshkimit, si edhe me marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse, duke siguruar që do të jetë në gjendje të zbatojë plotësisht Politikën e Përbashkët të Peshkimit në momentin e anëtarësimit.
- Shqipëria vendos në funksion kapacitete të mjaftueshme administrative, të inspektimit dhe të kontrollit, duke respektuar nivelet më të larta të integritetit dhe etikës, sipas kërkesave të Politikës së Përbashkët të Peshkimit, dhe demonstron se kërkesat e BE-së do të përmbushen plotësisht në momentin e anëtarësimit, veçanërisht në fushën e inspektimit dhe kontrollit.
Kapitulli 22 – Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumentave Strukturorë
Kapitulli 22 mbulon mbështetjen financiare për vendet dhe rajonet për zbatimin e projekteve që synojnë forcimin e kohezionit ekonomik, social dhe territorial, me theks të veçantë në: 1) rritjen e kohezionit ekonomik dhe social duke zvogëluar boshllëqet midis rajoneve të BE-së; 2) rritjen e konkurrueshmërisë rajonale me qëllim sigurimin e konkurrueshmërisë globale të BE-së; 3) bashkëpunimin territorial europian që synon promovimin e bashkëpunimit midis rajoneve të BE-së. Ky kapitull përmban rregulloret kuadër që përcaktojnë rregullat për përgatitjen dhe dhënien e programeve operative, zbatimi i të cilëve financohet nga fondet strukturore dhe të investimeve europiane.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 5, janë vendosur gjashtë piketa përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria ka dëshmuar zbatim të kënaqshëm të fondeve të para-anëtarësimit të BE-së të aprovuara për menaxhim të tërthortë, veçanërisht për komponentët dhe sektorët që lidhen me zbatimin e politikës së kohezionit.
- Shqipëria i paraqet Komisionit një projekt-Marrëveshje Partneriteti (PA) gjithëpërfshirëse dhe të cilësisë së lartë, të përgatitur në përputhje me një plan veprimi të detajuar dhe cilësor, të shoqëruar me një afat kohor përkatës, duke përcaktuar objektiva të qarta dhe afate kohore në mënyrë që të plotësohen kërkesat që burojnë nga Politika e Kohezionit e BE-së. Marrëveshja e partneritetit duhet të përmbajë: dispozitat që sigurojnë përputhshmëri me prioritetet dhe strategjitë e BE-së, objektivat tematike të përzgjedhura, justifikimin e tyre dhe rezultatet kryesore të pritshme për secilin nga Fondet e politikës së kohezionit. PA duhet gjithashtu të përfshijë: tregues mbi programet e planifikuara, burimet e financimit, dhe një përmbledhje të vlerësimit të përmbushjes së kushteve paraprake përkatëse (enabling conditions).
- Shqipëria i paraqet Komisionit një projekt të gjerë dhe cilësor të portofolit të projekteve (project pipeline) për zbatim në kuadër të politikës së kohezionit. Ky projekt duhet të demonstrojë qartë disponueshmërinë e burimeve të mjaftueshme për përgatitjen dhe realizimin e portofolit të projekteve.
- Shqipëria ka krijuar bazat e nevojshme ligjore dhe proceset e konsultimit, si dhe ka forcuar kapacitetet, në mënyrë që të sigurojë resurse, angazhim dhe pronësi nga të gjitha organet publike dhe private përkatëse në nivel kombëtar dhe nënkombëtar për programimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e masave të kohezionit, në përputhje me Kodin Europian të Sjelljes për Partneritet.
- Shqipëria ka ngritur një strukturë institucionale gjithëpërfshirëse, duke përfshirë strategjitë për zhvillimin organizativ dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve kyçe, për programimin, zbatimin, monitorimin, vlerësimin, komunikimin, auditimin dhe kontrollin e politikës së kohezionit. Strukturat janë të emërtuara formalisht dhe kanë funksione, detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara qartë. Shqipëria demonstron kapacitete të mjaftueshme institucionale dhe administrative në të gjitha nivelet, të bazuara në standardet më të larta të integritetit dhe etikës, për të administruar programet e politikës së kohezionit. Shqipëria ka vendosur një sistem planifikimi, monitorimi dhe vlerësimi të harmonizuar mirë me kërkesat e BE-së, i mbështetur nga një Sistem Elektronik i Menaxhimit dhe Informacionit plotësisht funksional.
- Shqipëria ka në funksion një sistem efektiv të administrimit financiar, monitorimit dhe kontrollit, me kapacitete të mjaftueshme dhe me standardet më të larta të integritetit dhe etikës për funksionet e kontrollit dhe auditimit, duke mundësuar përdorimin e plotë dhe efektiv të fondeve të BE-së që nga data e anëtarësimit. Shqipëria miraton dhe zbaton ligjin e kontabilitetit publik në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik.
Kapitulli 33 – Dispozitat Financiare dhe Buxhetore
Kapitulli 33 mbulon rregullat që disiplinojnë fondet e buxhetit të BE-së (burimet vetjake). Këto burime konsistojnë kryesisht në: 1) kontribute të bazuara në të ardhurat kombëtare bruto të secilit shtet anëtar; 2) detyrimet doganore; dhe 3) një burim bazuar në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH). Shtetet anëtare duhet të kenë kapacitetet e duhura administrative për të koordinuar në mënyrë adekuate dhe për të garantuar llogaritjen e saktë, mbledhjen, pagesën dhe kontrollin e burimeve vetjake. Nënfushat që mbulon ky kapitull janë burimet vetjake tradicionale, fondet e bazuara mbi tatimin e vlerës së shtuar (TVSH) dhe fondet e të ardhurave kombëtare bruto.
Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 5, është vendosur një piketë përmbyllëse për këtë kapitull:
- Shqipëria ka një nivel të mirë përafrimi me acquis dhe demonstron kapacitete të mjaftueshme statistike dhe administrative për të qenë në gjendje, që nga data e anëtarësimit, të llogarisë, parashikojë, regjistrojë, mbledhë, paguajë, kontrollojë dhe raportojë ndaj BE-së mbi burimet e veta, në përputhje me acquis, duke përfshirë edhe zbatimin e një plani veprimi për t’u përgatitur në mënyrë të plotë dhe për të vënë në funksion rregullat procedurale.
Kalendari Screening për Grupkapitullin 5 BE-Shqipëri
| Grupkapitulli 5 | Institucioni Drejtues | Takimi shpjegues | Takimi dypalësh |
| Kapitulli 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi Rural | Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural | 2-5 dhjetor 2019, përditësuar më 17-18 korrik 2023 | 13-15 nëntor 2023 |
| Kapitulli 12 – Politikat e Sigurisë ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve | Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural | 18-22 shkurt 2019, përditësuar më 19-20 korrik 2023 | 20-24 nëntor 2023 |
| Kapitulli 13 – Peshkimi | Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural | 12-13 qershor 2019, përditësuar më 18 korrik 2023 | 16 nëntor 2023 |
| Kapitulli 22 – Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumentave Strukturorë | Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor | 5 -6 shkurt 2019 | 23-24 tetor 2023 |
| Kapitulli 33 – Dispozitat Financiare dhe Buxhetore | Ministria e Financave | 27 shtator 2019, përditësuar më 20 korrik 2023 | 25 nëntor 2023 |
Dokumente të rëndësishme:
Raporti Screening për Grupkapitullin 5 – Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, gusht 2025



