Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri: Mundësitë për mbështetje dhe grante nga BE për Shoqërinë Civile, 23 Qershor 2023, Shkodra

Më 23 qershor 2023, EMA organizoi një Workshop me temë “Mundësitë për mbështetje dhe grante nga BE për Shoqërinë Civile”, në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, mbështetur nga Bashkimi Europian dhe që zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri dhe Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e qendrës ARKA në Shkodër, ku kishte fokus kryesor mundësitë për financime dhe programet kryesore të granteve të Bashkimit Europian për mbështetjen e shoqërisë civile në fusha si demokracia, të drejtat e njeriut, rinia, arsimi dhe kërkimi shkencor, apo edhe bashkëpunimi rajonal. Me pjesëmarrjen e 20 përfaqësuesëve të organizatave dhe shoqatave aktive në Shkodër, aktiviteti kishte për qëllim rritjen e informimit dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre mbi mundësitë për mbështetje dhe financim nga ana e Bashkimit Europian.

Hapja e takimit u bë nga Arbana Halili, Koordinatore e Qendrës Burimore për OSHC-të në Shkodër, e cila prezantoi objektivat e Qendrës Burimore për OSHC-të. Ajo shpjegoi shtyllat kryesore ku bazohet Qendra Burimore (NRC) dhe aktivitete të shumta që kjo nismë po zhvillon me fokus jo vetëm Tiranën, por dhe qytete të tjera të Shqipërisë si Shkodra, Elbasani dhe Vlora. Një komponent i Qendrës Burimore është  rritja e kapaciteteve dhe njohurive të OSHC-ve mbi procesin e integrimit europian dhe negociatave, dhe kjo po realizohet nëpërmjet trajnimeve e workshopeve në bashkëpunim me EMA  ku synohet forcimii i mëtejshëm i njohurive teknike të OSHC-ve dhe rritja e kontributit të tyre në procesin të negocimit me BE-në.

Sesioni i parë, u drejtua nga Geron Kamberi, Ekspert për Integrimin Europian, i cili prezantoi mundësitë e mbështetjes dhe granteve nga BE për Shoqërinë Civile. Ai prezantoi Programe të BE-së, në të cilat Shqipëria merr pjesë si vend i asociuar, si Erasmus+, Creative Europe, Horizon Europe, EU for Citizens, etj. Gjithashtu ai diskutoi rreth mundësive për financime dhe projekte nga Bashkimi Europian për Organizatat Shoqërore e Humanitare në Shqipëri. Fondet e Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA) të BE-së cilësohen si fonde të dedikuara për vendet kandidate, dhe u theksua roli i tyre në ndihmën dhe zhvillimin e vendit. Një temë tjetër e adresuar ishte Civil Society Facility, një kuadër financiar i dedikuar për mbështetjen e shoqërisë civile dhe median në kuadër të IPA. Kamberi gjithashtu shpjegoi që instrumentet e parë financiarë të BE-së kanë qenë PHARE dhe CARDS, si dhe the solli në vëmendje që financimet e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 1990-2020, kanë arritur një  total prej 18 milionë euro. Për periudhën 2021-2027, BE ka ndarë Programet Komunitare sipas dy shtyllave kryesore: Tregu i Përbashkët dhe Inovacioni Dixhita, si dhe Kohezioni dhe Vlerat. Kamberi theksoi se Shqipëria përfiton nga instrumentet për vendet kandidate dhe merr pjesë në programet financiare dedikuar për vendet anëtare.

Në sesionin e fundit, Geron Kamberi, foli për nevojën e pagesës së një tarife për hyrjen e Shqipërisë në këto programe të asociuara, e cila parashikon të jetë për vendin tonë rreth 2-3 milionë euro, por BE kërkon të paguhen vetëm 300,000 euro. Ai gjithashtu shpjegoi se fondet IPA mund të përdoren për të mbuluar shpenzimet e tjera. Kamberi prezantoi mundësitë e përfshirjes së Shqipërisë në programet e BE-së, si Digital EU Open, por ai theksoi se është e nevojshme që të paguhet tarifa e përcaktuar. Ai gjithashtu paraqiti dy shtyllat kryesore të programeve të BE për periudhën 2021-2027, Tregun e Përbashkët dhe kohezioni dhe vlera, dhe përmendi nevojën për bashkëpunim me organizata të tjera dhe partneritetin me organizata të vendeve të tjera si faktorë të rëndësishëm për tu përfshirë në këto programe. Gjatë sesionit, ai gjithashtu shpjegoi procedurat dhe kriteret për aplikimin dhe suksesin e Organizatave të Shoqërisë Civile në programet si Horizon Europe, Erasmus+ dhe IPA-CSF, dhe dha këshilla praktike për informimin dhe përfshirjen në këto programe.

Një hapësirë dedikuar diskutimit me pjesëmarrësit shënoi fundin e këtij takimi, ku pyetje dhe komente erdhën nga të pranishmit.