Ora News – “Alert” nga Granit Sokolaj – Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit, 14 mars 2025

Më 14 mars 2025, Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), ishte i ftuar në emisionin “Alert” me gazetar Granit Sokolaj në Ora News, në kuadër të Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorit. Gjatë intervistës, Gjipali kometoi për Kapitullin 28, i cili lidhet me mbrojtjen e konsumatorëve, një kapitull që ende nuk është hapur për negociata në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai shprehu mendimin se hapja e këtij kapitulli nuk është shumë larg dhe se do të dalin mangësitë ligjore që mund të kërkojnë rregullime. Ai theksoi se kjo është një fushë e cila prek shumë elemente dhe mund të bëhen të dukshme edhe problematika që, si shoqëri, nuk i njohim ende plotësisht.

Gjipali gjithashtu foli për rolin e shoqërisë civile në këtë fushë, duke theksuar dy aspekte të rëndësishme: së pari, konsultimin me institucionet, i cili është shumë i rëndësishëm, pasi përfshin mendimet e qytetarëve dhe grupeve të interesit, duke e bërë procesin më transparent dhe të hapur. Së dyti, ai nënvizoi rëndësinë e informimit të qytetarëve, pasi ky proces zhvillohet me ritme të shpejta dhe qytetarët duhet të jenë të informuar për ndryshimet dhe pritshmëritë që do të vijnë. Në lidhje me tryezat e partneritetit që Lëvizja Europiane në Shqipëri ka organizuar me institucionet, Gjipali theksoi se panorama është e ndryshme, ka institucione që janë shumë aktive dhe të angazhuara në këtë proces, ndërkohë ka edhe institucione që kanë një qasje më formale, duke bërë vetëm minimumin e kërkuar.

Ora News – “Alert” nga Granit Sokolaj – Dita Botërore e Konsumatorëve, 14 Mars 2025