Përmbledhje e Artikujve të EuroSpeak Maj – Dhjetor 2023

Për periudhën maj-dhjetor 2023 rreth 30 artikuj janë publikuar dhe shpërndarë në kuadër të revistës online EuroSpeak. Bazuar në dy thirrje për artikuj të shpallura gjatë kësaj periudhe, më shumë se 60 propozime dhe abstrakte kanë ardhur në redaksinë e EuroSpeak për tema e çështje nga më të larmishmet të lidhura si  me ngjarjet dhe zhvillimet në Bashkimin Europian dhe po ashtu me ndryshimet e fundit në procesin integrues të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe jo vetëm. Në këtë drejtim, 10 artikuj janë përzgjedhur për të realizuar Përmbledhjen e Artikujve të EuroSpeak maj – dhjetor 2023, të cilët janë sjellë në një formë më të përmbledhur edhe në versionin fizik. 

Këta artikuj kanë si pikësynim shprehjen e pikëpamjeve të autorëve bazuar në vëzhgimet, hulumtimet, argumentet dhe analizat e tyre objektive. Disa nga drejtimet konkrete të trajtuara nga autorët janë ato socio-ekonomike, ligjore dhe mjedisore e teknologjike si: Zhvillimet në procesin e integrimit në BE si, procesi i  negociatave për Shqipërinë, prezantimi i  Paketës së Zgjerimit 2023 nga Komisioni Europian, si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor; Garancia Rinore e BE dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor; risitë dhe sfidat e  Inteligjencës Artificiale; Ndryshimet Klimatike, mjedisi dhe katastrofat natyrore; Reforma Dixhitale e shërbimeve publike; si dhe Prokurimi Publik. Duke shkruar e analizuar zhvillimet në dy nivele: si atë shqiptar dhe atë europian, informacioni i dhënë ështe më i plotë dhe më gjithëpërfshirës për lexuesin. 

Ajo që ja vlen të përmendet dhe të inkurajohet është se përveç kontributit tejet të vlerësuar të akademikëve, hulumtuesve, politologëve dhe gazetarëve në EuroSpeak, një interes i lartë  për të kontribuar në shkrimin e këtyre artikujve është shprehur dhe nga studiues të rinj si dhe studentë.  Artikujt e plotë dhe artikuj të tjerë të botuar mund t’i gjeni në faqen online www.eurospeak.al 

Përmbledhje e Artikujve të EuroSpeak Maj – Dhjetor 2023

***

EuroSpeak momentalisht po mbështetet nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) ku janë zhvilluar një sërë aktivitetesh informuese dhe diskutuese.