Politika e migracionit në dritën e bashkëpunimit europian: Ekuilibër ndërmjet lëvizjeve migratore dhe integrimit? 26 shkurt 2025

Ky aktivitet pati si synim diskutimin e politikave të migracionit në Shqipëri si pjesë e përpjekjeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe veçanërisht në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria, Siguria” me fokus të veçantë politikat e migracionit të rregullt dhe të parregullt, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim më Kolegjin Universitar Bedër. 

Dr. Ada Güven, Përgjegjëse e Departamentit të Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër, dhe moderatore e këtij eventi, e nisi fjalën e saj  duke bërë një hyrje në tematikën e migracionit dhe rëndësisë së tij në konteksin e sotëm ndërkombëtar, por edhe atë shqiptar, duke pasur në vëmendje zhvillimet në kuadër të Protokollit Italo-Shqiptar dhe procesin e integrimit europian të vendit.. Ajo ftoi rektorin Prof. Dr. Gjergj Sinani për të përshëndetur takimin. Rektori inkurajoi pjesëmarrësit të reflektojnë mbi atë çka është identiteti europian, duke theksuar rëndësinë e e vlerave të perbashkëta europiane dhe të komunitetit. Ai argumentoi se përafrimi i legjislacionit për t’iu përshtatur ligjeve të Bashkimit Europian duhet të jetë i plotësuar nga këto elemente për shkak të rolit të tyre kryesor në rrugën drejt integrimit europian.

Prof. Assoc. Dr. Enkelejda Koka, Profesore  e së Drejtës në Universitetin e Tiranës, u fokusua te  aspektet ligjore të migracionit, vecanërisht të migracionit të parregullt  dhe migracionit detar. Ajo e nisi duke shpjeguar përkufizimin e migracionit të parregullt dhe duke kategorizuar llojët e individëve te cilët do të përfshiheshin nën atë përkufizim. Ajo theksoi sesi masat rregullatore te vendosura mbi këto flukse migracioni paraqesin sfida të të drejtave të njeriut dhe vuri në dukje ngarkesën që bie mbi shtete si Italia, Greqia dhe Spanja si pika hyrëse të BE-së përmes rrugëve të Mesdheut Qendror dhe Lindor. Sidat kryesore të të drejtave të njeriut të cilat ajo përmendi qenë: siguria e jetës në det, identifikimi i një vendi të sigurt zbarkimi në kohën e duhur dhe aksesimi i procesit të azilit. Ajo u thellua mbi konceptin e kapjes/konstatimit  dhe mbi pasojat ligjore të tij duke theksuar masat rregullatore mbi kapjen në nivelin e BE-së. Ajo shpjegoi më tej juridiksionin shtetëror dhe ekstraterritorial dhe arriti në përfundimin se ngurrimi i shteteve për të pritur imigrantë të parregullt të shpëtuar në det ka kontribuar drejtpërdrejt në zbatimin jokonsistent të disa termave në Konventat përkatëse, duke shkaktuar qasje të ndryshme kombëtare ndaj fenomenit të migrimit të parregullt.

Prof. Asoc. PhD.PhD. Denard Veshi, Profesor i së Drejtës në Kolegjin Universitar Bedër, u thellua mbi temën e marrëveshjes Itali-Shqipëri të nëntorit 2023 për menaxhimin e migracionit të parregullt. Ai nisi me një interpretim sistematik të protokollit, duke analizuar nenet kryesore si Neni 2, 4, 19, 20 dhe 22 si dhe duke u fokusuar tek Neni 1 i cili lidhet me sovranitetin e një shteti dhe sesi sovraniteti i shtetit Shqiptar  preket nga kjo marrëveshje. Ai krahasoi ngjashmëritë midis kësaj marrëveshjeje dhe Zgjidhjes së Paqësorit si dhe marrëveshjes Mbretëri e Bashkuar-Ruanda. Si përfundim, ai analizoi reagimet e ndryshme mbi këtë marrëveshje në nivelin kombëtar, të BE-së dhe atë ndërkombëtar duke theksuar shqetësimet mbi të drejtat e njeriut të cilat janë vënë në dukje. Roli i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare ishte një tjetër pikë që u analizua nga Veshi, me fokus bazën ligjore që ekziston për një ndërhyrje të kësaj gjykate. Analiza përfundoi duke shpjeguar se Protokolli është i pajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë sipas Nenit 121. Ai e përmbylli prezantimin duke u shprehur se Protokolli Italo-Shqiptar është pjesë e tendencës për transferimin e procesit të shqyrtimit të azilkërkuesve në vende të treta që nuk janë anëtare të BE-së. Ky protokoll paraqet më shumë avantazhe për sa i përket ndikimit në psikologjinë e azilkërkuesve të rremë, të cilët do të vendosin të mos aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare në Itali, sesa do të ketë avantazhe ekonomike për Italinë, e cila ka një numër të madh azilkërkuesish, apo të Shqipërisë, e cila do të përfitojë nga investimet e bëra nga pala italiane pas skadimit të protokollit. 

Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash në Lëvizjen Europiane në Shqipëri, prezantoi politikat aktuale te migracionit në Shqipëri në kuadër të integrimit europian. Ajo e nisi duke shpjeguar procesin e anëtarësimit europian, duke përkufizuar kriteret e Kopenhagenit dhe Madritit dhe konceptin e acquis dhe transpozimin e tij në legjislacionin shqiptar. Ajo u fokusua mbi metodologjinë e re të zgjerimit të përdorur nga BE-ja ku kapitujt e acquis janë grupuar së bashku në gjashtë Grupkapituj, duke i dhënë përparësi Grupkapitullit të parë si të domosdoshëm. Prezantimi u thellua mbi Kapitullin 24 i cili lidhet me “Drejtësinë, Lirinë,Sigurinë” dhe është pjesë e Grupkapitullit 1, ku përfshihen edhe politikat e migracionit dhe e analizoi atë përmes (Progres) Raporteve të Bashkimit Europian mbi përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim. Deliu, pasi shpjegoi fazat e ndryshme të negociatave me BE-në, tregoi se ku ndodhet Shqipëria në këtë proces dhe cilat janë prioritetet e vendosura nga shteti shqiptar. Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës u diskutua si një kriter hapës për negociatat për Grupkapitullin 1 dhe shtyllat kryesore të tij u shpjeguan duke u fokusuar tek politikat e migracionit. Ajo e përmbylli prezantimin duke nënvizuar  se Shqipëria ka bërë progres në procesin e integrimit në lidhje me migracionin e rregullt  dhe të parregullt dhe se është duke iu afruar gjysmës së rrugës.

Prof. PhD. Gentjan Skara, Përgjegjës i Departamentit të Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër, gjatë fjalës së tij u përqendrua  mbi sfidat kryesore me të cilat përballet Shqipëria në lidhje me politikat dhe menaxhimin e migracionit. Ai theksoi se sfida e parë lidhet drejtpërdrejt me procesin e përafrimit dhe miratimit e të legjislacionit kombëtar, me acquis-në e BE-së. Nga ana tjetër, kjo lidhet dhe me sfidën tjetër, që është mungesa e kapaciteteve dhe burimeve të mjaftueshme për zbatimin efektiv dhe të plotë të këtij legjislacioni, veçanërisht për të siguruar standardet e politikave të migracionit. Një tjetër sfidë, sipas Skarës, është mungesa e fokusit te politikat për integrimin e migrantëve në Shqipëri. Edhe pse numri i migrantëve të parregullt ose azilkërkuesve në vend nuk është shumë i lartë, përsëri duhet të jenë funksionale politika gjithëpërfshirëse për të siguruar integrimin e tyre të shpejtë e të plotë në shoqëri, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave të tyre, siç janë kujdesi shëndetësor, siguria për jetën, arsimi apo punësimi. Gjithashtu, Skara identifikoi sfidat e sigurisë dhe menaxhimit të kufijve si çështje kyçe, duke theksuar nevojën për një bashkëpunim më të fortë ndërinstitucional dhe një koordinim më të ngushtë me vendet fqinje apo agjencitë e BE-së.

Këto prezantime u pasuan nga diskutime dhe komente nga pjesëmarrësit.  Studentët dhe akademikët u angazhuan në diskutime duke u drejtuar pyetje ekspertëve për temat e tyre përkatëse. Pjesëmarrësit u interesuan veçanërisht për pasojat e Protokollit Itali-Shqipëri dhe legjitimitetin e tij. Ata diskutuan thellësisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje, përfshirjen e mundshme të presidentit dhe patën shumë pyetje reth mundësisë së  Shqipërisë mbi mekanizmat ligjorë për t’u garantuar këtyre migrantëve kushtet e nevojshme. Interes për diskutim pati dhe mbi  temën e integrimit europian dhe mundësinë e hapjes së Grupkapitujve të rinj dhe fizibilitetin e reformave të vendosura nga qeveria aktuale.