Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile – Hapja e Grupkapitullit 1 Themeloret dhe përfshirja aktive e shoqërisë civile në procesin e negociatave, 4 tetor 2024

Më 4 tetor 2024, në mjediset e Tirana International Hotel, u zhvillua workshop-i me temë “Hapja e Grupkapitullit të Parë – Themeloret dhe përfshirja aktive e shoqërisë civile në procesin e negociatave” në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, mbështetur nga Bashkimi Europian dhe që zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin. Kryefjala e këtij workshop-i kishte zhvillimet dhe ngjarjet që lidhen me Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE, me mbajtjen më 14 tetor të Samitit të 10-të të Procesit të Berlinit, dhe me prezantimin e paketës së zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që pritet të prezantohet në fund të këtij viti së bashku me raportet vjetore të Komisionit Europian.

Nirvana Deliu, nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, në nisjen e workshop-it, prezantoi aktivitetet e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, si dhe qëllimet dhe rëndësinë e workshop-it. Në përfundim të fjalës së saj, iu dha mundësia secilit anëtar të tryezës të bënte një prezantim të profilit të tij, ku pjesëmarrës ishin nga shoqëria civile dhe aktorë të tjerë nga universitetet, sektori privat apo edhe institucionet shtetërore. Interesi i lartë dhe pritshmëritë e tyre për t’u informuar më shumë rreth gjithë procesit të integrimit ishin në kohezion me gjithë çfarë u prezantua, u fol dhe u diskutua në tryezë, së bashku me përfshirjen aktive të tyre.

Ekspertja e integrimit, Anila Dollani, filloi prezantimin e saj me një përmbledhje të shkurtër të historikut të Bashkimit Europian dhe pikave kyçe që kanë shënuar zhvillimin e unionit. Ekspertja vazhdoi duke u fokusuar në progresin e Shqipërisë në lidhje me procesin e aderimit në BE, duke kaluar më hollësisht te Metodologjia e Re e Zgjerimit, e cila është prezantuar nga Komisioni Europian si një mënyrë për të përmirësuar procesin e integrimit dhe për të rritur qasjen dhe përfshirjen e vendeve anëtare ndaj këtij procesi. Ajo theksoi katër shtyllat kryesore të kësaj metodologjie, gjithashtu vuri theksin edhe te fakti që kjo metodologji parashikon që procesi i anëtarësimit mund të bëhet i kthyeshëm me anë të pezullimit apo kthyerjes mbrapsht të procesit të negociatave. Këto skenarë mund të ndodhin kur ka shkelje të rënda të vlerave të BE-së nga vendi kandidat apo kur ka mosprogres të zgjatur në një kapitull anëtar. Sfida e Shqipërisë përballë kësaj situate qëndron pikërisht te kujdesi që duhet të bëjë për kthyeshmërinë e procesit të integrimit, te demokracia funksionale e shtetit të së drejtës, deri te marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe rritja e kapaciteteve institucionale.

Në sesionin e dytë, Dollani u përqendrua te Plani i Ri i Rritjes, një iniciativë e re nga BE për Ballkanin Perëndimor, ku si objektiv kryesor ka nxitjen e dyfishimit të ekonomisë së rajonit, që sjell përshpejtim të procesit të anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor dhe zvogëlim të hendekut ekonomik. Më tej, vëmendja u përqendrua te një tjetër çështje me rëndësi, siç është Samiti i Berlinit, ku si rezultat i arritjeve të tij janë arritjet e qenësishme në 5 fusha të bashkëpunimit rajonal: në ekonomi, politikë, politikat e sigurisë, sociale dhe ekologjike.
Një informacion me rëndësi që Dollani ndau me pjesëmarrësit ishte dhe raportimi në lidhje me procesin e screening-ut të shtrirë në dy faza, ku konsiston në 14 muaj angazhim nga ana e Shqipërisë, 777 takime, përfshirja e 157 institucioneve, 1800 punonjës të administratës publike, 346 takime koordinuese dhe 126 ushtrime paraprake.

Nirvana Deliu zhvilloi një prezantim mbi Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë jo-shtetërorë në procesin e integrimit. Deliu theksoi se këta aktorë mund të luajnë një rol monitorues dhe konsultues, duke kontribuar në mbarëvajtjen e procesit nga ana e institucioneve ku ata kanë akses. Në këtë kontekst, Deliu shpjegoi se një nga mënyrat për të arritur përfshirje efektive është pjesëmarrja në Tryezat e Partneritetit. Ajo theksoi se këto tryeza ofrojnë mundësinë për aktorët e shoqërisë civile të ndajnë dhe të marrin informacione mbi fushat e tyre të ekspertizës dhe interesit, duke shpjeguar gjithashtu mekanizmat e funksionimit të këtyre tryezave.

Të pranishmit kishin pyetje dhe diskutuan mbi informacionet e paraqitura, duke shqyrtuar se si organizatat e tyre mund të kontribuojnë në procesin e integrimit. Diskutimi u përfundua me një shkëmbim idesh për bashkëpunim, shprehje interesi dhe rekomandime lidhur me perceptimet e tyre për një angazhim më të gjerë të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë jo-shtetërorë.