Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile në procesin e negociatave në Grupimin e Kapitujve Themelore, 26 prill 2024, Shkodër

Më 26 prill 2024, në mjediset e Qendrës Arka, Shkodër, u zhvillua workshop-i i radhës në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, me temë ‘Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile në procesin e negociatave në Grupimin e Kapitujve Themelore’ ku te ftuara për të diskutuar mbi temën ishin ekspertet e integrimit Anila Dollani dhe Nirvana Deliu. 

Arbana Halili, koordinatore e Qendrës Burimore për OSHC-të në Shkodër, bëri një prezantim të shkurtër të objektivave të qendrës dhe qëllimit të përfshirjes së OSHC-ve në procesin e integrimit me fokus të veçantë dhe për OSHC-të lokale të cilat në shumë raste mbeten jashtë këtij procesi dhe përfshirja e tyre është më e vështirë për shkak të mungesës ës informacionit dhe kapaciteteve të tyre. 

Anila Dollani e nisi prezantimin e saj me një historik të shkurtër të rrugëtimit të BE dhe pikave kulmore të unionit. Ekspertja e vazhdoi prezantimin e saj tashmë duke u përqëndruar në ecurinë e Shqipërisë në lidhje me procesin e aderimit në BE, për të kaluar në Metodologjinë e re të Zgjerimit prezantuar nga Bashkimi Europian si metodë për të rregulluar në një farë forme vetë procesin e integrimit por edhe qasjen e vendeve anëtare për vendet kandidate, duke u fokusuar në 4 shtyllat kryesore të metodologjisë së re. Dollani më pas shpjegoi se si metodologjia e re ka bërë të mundur procesin e përafrimit të ligjit me acquis të BE, duke dhënë informacione të detajuara mbi ndarjen e grupkapitujve dhe çfarë prizmash të rinj sjell kjo metodologji. Në sesionin e dytë ajo e përqëndroi prezantimin e saj te Plani i Ri i Rritjes, një risi nga BE dedikuar vetëm Ballkanit Perëndimor, ku Dollani shpjegoi jo vetëm objektivat dhe shtyllat e planit por edhe fondet dhe mënyrën e ndërveprimit të Shqipërisë me këtë aneks zhvillues. Ekspertja dha informacione dhe rreth Procesit të Berlinit dhe ndikimit që ka pasur ky proces në rrugëtimin e Shqipërisë si vend kandidat. Dollani ofroi dhe  një analizë të kuadrit ligjor në Shqipëri referuar nivelit të përafrimit të legjislacionit dhe sfidave të hasura, strukturave të ngritura për procesin e negociatave.

Nirvana Deliu, eksperte për integrimin europian dhe njëkohësisht hulumtuese pranë EMA, e shtriu prezantimin e saj në disa fusha duke e nisur fillimisht me një vlerësim krahasues të raporteve të Komisionit Europian 2022 dhe 2023 me fokus kapitujt 23 dhe 24, ku shpejgoi progresin e bërë nga Shqipëria në këto drejtime dhe si është pasqyruar ky progres në vlerësimet e raporteve nga Komisioni Europian. Deliu po ashtu dha informacione mbi Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian dhe se si OSHC dhe aktorë të tjerë jo-shtetërorë duhet dhe mund të përfshihen në procesin e integrimin duke pasur një rol monitorues apo konsultues, me fokus mbarëvajtjen e procesit nga ana e institucioneve ku këta aktorë mund të kenë akses. Lidhur me këtë informacion Deliu u shpreh se një nga mënyrat për të arritur këtë përfshirje është dhe marja pjesë në Tryezat e Partneritetit, ku aktorët e shoqërisë civile kanë mundësinë të marin dhe të japin informacine mbi fushën e tyre të ekspertizës apo interesit, ku gjithashtu shpjegoi si dhe pse funksionojnë këto tryeza partneriteti.

Të pranishmit, të cilët kishin fokus të përgjithshëm shoqërinë civile ngritën pyetje dhe diskutim mbi informacionet e dhëna, mbi mënyrën se si orgnizata  e tyre përkatëse mund të kontribojë në procesin e integrimit dhe duke e përfunduar diskutimin me shkëmbim idesh bashkëpunimi, shprehje interesi dhe rekomandime mbi perceptimet e tyre për një përfshirje më të gjerë të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë jo-shtetërorë.