Report TV – BE kërkon ndryshime ligjore drejt njohjes së martesave homoseksuale brenda 2028! Rishikim Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, 14 maj 2024
Më 14 maj 2024 u mbajt tryeza mbi respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTQI në ambientet e “Shtëpisë së Europës”, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me organizatën Pro LGBT, me pjesëmarrje të ekspertëve ligjorë, aktivistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile, si dhe praninë e veçantë të ambasadorit të BE-së në Shqipëri, SH.T.Z Silvio Gonzato. Aktivistët theksuan se edukimi më i hapur në shkolla rreth orientimit seksual për të luftuar gjuhën e urrejtjes, bullizimin dhe diskriminimin shihet me nevojë prioritare. Ekspertja ligjore e aleancës LGBT, Dea Nini, theksoi se diskriminimi është më i përhapur tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe shkollave të mesme, bazuar në përfundimet e pyetësorëve të kryer viteve të fundit. Si zgjidhje, ajo propozon trajnimin e mësuesve për të adresuar këto çështje në shkolla. Në këtë aktivitet, SH.T.Z Silvio Gonzato kërkoi përmbushjen e angazhimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të negociatave me BE-në, duke përfshirë ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Familjes për njohjen e bashkëjetesës civile dhe martesave të të njëjtës gjini deri në vitin 2028. Ai theksoi rëndësinë e ndryshimit të ligjeve për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe për të njohur marrëdhëniet familjare ndërkufitare të personave të të njëjtës gjini. Komuniteti LGBTQI në Shqipëri ka shprehur vazhdimisht shqetësimet për gjuhën e urrejtjes në Kodin Penal, duke theksuar se neni që trajton krimet seksuale ka një trajtim të veçantë për marrëdhëniet homoseksuale, gjë që kërkon ndryshime për të siguruar barazinë.