SANECA – Workshop Trajnues mbi Planin Kombëtar të Integrimit Europian dhe procesin e përfshirjes së aktorëve jo-shtetërorë në hartimin dhe monitorimin e tij, 30 mars 2022
Më 30 mars 2022 u zhvillua workshop-i Trajnues mbi Planin Kombëtar të Integrimit Europian dhe procesin e përfshirjes së aktorëve jo-shtetërorë në hartimin dhe monitorimin e tij. Ky aktivitet u zhvillua në formatin hibrid në mjediset e Hotel Xheko Imperial, dhe online në platformën ZOOM. Takimi bëri bashkë anëtarët e tre tryezave të platformës, që koordinohenn nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për kapitujt 1, 3, 6, 7, 20, 28 dhe 30 , për t’u njohur më në detaje mbi metodologjinë e hartimit dhe procesin e miratimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian, me fokus të veçantë procesin e konsultimit dhe përfshirjen e aktorëve jo-shtetërorë.
Joniada Barjaba, përfaqësuese e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila mbajti fjalën e negociatorit të këtyre kapitujve në këtë institucion. Ajo theksoi se organizimi i këtyre tryezave duhet të jetë një instrument që përdoret përgjatë gjithë procesit. Më pas fjalën e mori Laureta Spahiu, e cila pasi falenderoi të pranishmit dhe bëri një prezantim të objektivave dhe rezultateve të deritanishme të projektit SANECA. Ajo nënvizoi që bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë po bën të mundur realizimin e këtyre tryezave dhe bërjen e tyre funksionale.
Gjatë pjesës së parë, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMAprezantoi procesin e hartimit dhe miratimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian, vuri në dukje se ndërthurja midis aktorëve qeveritarë dhe jo-qeveritarë është shumë e rëndësishme, duke theksuar rëndësinë e cilësisë së këtij procesi. Ai shpjegoi shkurtimisht se çfarë ndodh gjatë punës përgatitore për Planin Kombëtar të Integrimit Europian, duke analizuar rolin dhe rëndësinë e Procesit të hartimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian, prioritetet që duhet të vendosen në kuadër të integrimit europian dhe procedurën e përditësimit me kontribute. Ai vlerësoi se nëpërmjet platformës është e mundur të lehtësohet ky proces, duke rikujtuar se pritet shumë shpejt hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Në vijim fjalën e mori Hadit Kovaçi, Përfaqësues nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, i cili foli për procesin e konsultimit dhe informimit mbi Planin Kombëtar të Integrimit Europian. Ai u ndal te roli i institucioneve përgjegjëse dhe sfidat e hasura gjatë këtij procesi hartimi dhe konsultimi dhe si realizohet ky proces nga ana praktike. Zoti Kovaçi u shpreh se procesi i hartimit dhe konsultimit të PKIE është edhe një detyrim ligjor dhe vet PKIE përbën një dokument të një rëndësie të veçantë në kuadër të integrimit dhe zhvillimit europian. Ai vuri në dukje se platforma është një mënyrë e mirë për të ofruar dhe shkëmbyer ide dhe ekspertizë, mirëpo ka sfidat e saj duke qenë se ky është viti i parë i zbatimit të saj. Për këtë arsye do të ishte i nevojshëm zhvillimi i trajnimeve përkatëse me anëtarët e tryezave të Platformës për procesin e konsultimit dhe në veçanti të procesit gjatë negociatave.
Nga ana e pjesëmarrëve pati interes të veçantë për mënyrën e realizimit të këtij procesi, dokumentacionin që duhet të paraqitet nga institucioni, i cili e drejton kapitullin dhe sa herë duhet të konsultohet akti. Gjithashtu me interes për t’u ditur ishte edhe kontributi real që jep Ministria apo Institucione të ndryshme.



