Sesion Informues: Progresi i Themeloreve – Shoqëria Civile mat Reformat, 23 maj 2025
Në info-sesionin e radhës, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri më 23 maj 2025 në Tiranë, u zhvillua një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe akademisë. Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e nxjerra nga detyrat e realizuara nga pjesëmarrësit e përfshirë në Modulet e Integruara për MEL, të zhvilluara në tre edicione gjatë periudhës nëntor 2024 – maj 2025. Qëllimi kryesor ishte forcimi i kapaciteteve për monitorimin dhe vlerësimin e institucioneve publike, me synim rritjen e përgjegjshmërisë dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe publikun e gjerë, në kuadër të politikave për shtetin e së drejtës.
Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në fjalën hapëse të takimit u shpreh se realizimi i Moduleve të Integruara për MEL përbënte një risi dhe një nismë të ndërmarrë rishtazi, e cila rezultoi e rëndësishme. Kjo u dëshmua nga niveli i lartë i interesit për pjesëmarrje, duke treguar se shoqëria civile – dhe jo vetëm – ka nevojë për trajnime dhe aktivitete të tilla në funksion të ngritjes së kapaciteteve në fushën e MEL. Deliu theksoi gjithashtu se efektiviteti i këtij programi lidhet edhe me faktin që 90% e pjesëmarrësve në të tre edicionet janë certifikuar për pjesëmarrje të suksesshme – çka nënkupton përfshirje të plotë në module, angazhim aktiv gjatë diskutimeve dhe punës në grup, si edhe realizim me sukses të detyrës finale. Mbi 140 aplikime janë marrë për këto module, prej të cilave janë përzgjedhur rreth 55 pjesëmarrës, aktivistë të shoqërisë civile, lektorë e studiues të universitetit, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të administratës publike. Në përfundim, Deliu vuri në dukje se në këtë moment kyç për vendin – atë të bisedimeve për anëtarësim – monitorimi dhe vlerësimi i procesit të hartimit dhe zbatimit të politikave në kuadër të integrimit europian bëhet më se i domosdoshëm.
Mimoza Agolli, eksperte për MEL, vlerësoi trajnimin si të suksesshëm në aspektin e informimit mbi monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të politikave. Ajo theksoi se niveli i të kuptuarit të metodologjisë për zbatimin e MEL ishte mesatar, duke nënvizuar nevojën për më shumë lexim të literaturës përkatëse dhe aplikim praktik. Ndër rekomandimet e saj për thellimin e mëtejshëm të njohurive ishin: (1) përdorimi i platformave online me literaturë dhe shembuj praktikë, të publikuara në faqen zyrtare të EMA në një seksion të dedikuar MEL; (2) pjesëmarrja në trajnime më të avancuara dhe praktike mbi MEL, të planifikuara për muajt në vijim. Këto trajnime do të jenë më të specializuara, duke u fokusuar në metoda empirike për përpunimin dhe analizën e të dhënave. Në vijim, pjesëmarrës nga të tre edicionet e Moduleve prezantuan disa nga projektet e tyre të realizuara, të cilat trajtojnë monitorimin dhe vlerësimin e politikave në fushën e shtetit të së drejtës.
Dorisjana Hasani prezantoi projektin me titull “Fuqizimi dhe konsolidimi i organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet europiane”. Ajo shpjegoi se grupi kishte analizuar një nga objektivat e Strategjisë për Drejtësinë që lidhet me përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, infrastrukturore dhe proceduriale të institucioneve kyçe të qeverisjes në drejtësi, si KLGJ, KLP dhe ILD, për të siguruar një funksionim të pavarur, efikas dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në fokus u vendosën sfidat që lidhen me mungesën e pavarësisë dhe efikasitetit, të cilat burojnë nga mungesa e burimeve dhe procedurave transparente. Në fund, Hasani paraqiti një plan të detajuar monitorimi dhe vlerësimi për këtë objektiv.
Elsa Dragoti vazhdoi më tej me prezantimin e gjetjeve gjatë punës në grup, me fokus “Strategjinë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024–2030”, me fokus te objektivi për ndëshkimin e korrupsionit. Ajo identifikoi sfida të tilla si zvarritja e proceseve gjyqësore për shkak të mungesës së burimeve dhe mbingarkesës së gjykatave. Dragoti paraqiti planin e Monitorimit dhe Vlerësimit të bazuar në pyetje udhëzuese dhe indikatorë specifikë, dhe në përmbyllje dha disa rekomandime për përmirësimin e luftës kundër korrupsionit, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, efikasitetin gjyqësor dhe transparencën.
Irena Topalli u fokusua te “Korniza MEL për rolin e shoqërisë civile në udhërrëfyesin për institucionet demokratike”, duke analizuar objektivin 3: fuqizimi i pjesëmarrjes së OSHC-ve në politikëbërje dhe dialog. Ajo u ndal në procesin e rishikimit të ligjit për vullnetarizmin (Ligji nr. 45/2016), që konsiderohet jofunksional dhe pengesë për angazhimin qytetar dhe OSHC-të. Në qendër të prezantimit ishte qasja metodologjike për përfshirjen efektive të aktorëve dhe indikatorëve kryesorë, si për shembull rritja e programeve të vullnetarizmit nga OSHC-të.
Haxhire Vezi përfaqësoi grupin që analizoi dhe monitoroi temën “Reduktimi i mospërputhjes së aftësive për të gjitha profesionet – një analizë mbi sfidat dhe kuadrin ligjor në Shqipëri”. Ajo vuri në dukje rëndësinë strategjike të zhvillimit të aftësive dhe përputhjes me kërkesat e tregut të punës, duke theksuar pengesat që lidhen me mospërputhjen e aftësive në punësim dhe ndikimin në produktivitet. Vezi ngriti pyetje kyçe për të thelluar analizën: “A janë politikat duke reduktuar mospërputhjen e aftësive?” dhe “A funksionon bashkëpunimi me biznesin?”.
Lorena Zajmi prezantoi projektin “Komponenti i kapitalit njerëzor në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe transformimi i tij përmes zhvillimit të aftësive digjitale”. Ajo filloi me një përmbledhje të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor (Growth Plan for the Western Balkans) dhe analizoi procesin e përgatitjes së Axhendave të Reformave për çdo shtet të rajonit, duke nxjerrë në pah prioritetet që lidhen me zhvillimin e kapitalit njerëzor. Objektivi i përzgjedhur për monitorim dhe vlerësim ishte zhvillimi i kapitalit njerëzor përmes aftësive teknologjike, me dy masa kryesore: (1) trajnimi i mësuesve në aftësi digjitale dhe (2) pajisja e shkollave me Smart Labs dhe pajisje TIK. Zajmi paraqiti rezultatet e pritshme dhe planin për monitorimin dhe vlerësimin e elementeve si: kurrikula, infrastruktura digjitale, kompetencat digjitale, cilësia në IAL dhe ngritja e platformave digjitale.
Në përfundim të prezantimeve dhe diskutimeve mbi temat e trajtuara, u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e Edicionit III të Moduleve të Integruara MEL për Politika Publike në kuadër të Shtetit të së Drejtës.



