SYRI TV – Gjipali: Vizita e Melonit në Shqipëri ishte në kuadër të fushatës eletorale për zgjedhjet europiane, 5 qershor 2024
I ftuar në SYRI TV, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, si dhe ekspert integrimi, diskutoi rreth marrëveshjes për migracionin mes Shqipërisë dhe Italisë dhe vizitën e Giorgia Melonit në Shëngjin. Gjipali e cilësoi këtë vizitë si një vizitë elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare europiane të 9 qershorit. Sipas ekspertit, vizita në Shëngjin kishte për qëllim konfirmimin e premtimit elektoral që Meloni kishte bërë në zgjedhje dhe kjo ishte tema e vetme e konferencës për shtyp me kryeministrin Rama. Gjipali e cilësoi marrëveshjen si një vetëofrim të Shqipërisë për të zgjidhur një problem të Italisë, siç janë refugjatët, dhe shprehu shqetësimin se nëse do të ketë probleme në menaxhim, mbetet për t’u parë se çfarë do t’i mbetet palës shqiptare, pasi rreziku ekziston, edhe pse kampet janë parashikuar që të jenë të mbyllura dhe refugjatët nuk do të lejohen të dalin. Eksperti e përfundoi analizën e tij duke vënë në dukje se shumë vështirësi do të hasen në zbatimin e marrëveshjes, duke përfshirë jo vetëm sigurinë, por edhe shëndetin, arsimin dhe problemet sociale, dhe se kjo është përgjegjësi kryesisht e palës italiane.