SANECA – Tryezë diskutimi mbi zhvillimet dhe sfidat në fushën e tregtimit dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, 09 mars 2022

Më 9 mars 2022 u mbajt tryeza e diskutimit mbi sfidat në fushën e tregtimit dhe mbikëqyrjes së tregut të produkteve jo ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit, në kuadër të projektit nga GIZ në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Ky aktivitet u organizua në formatin hibrid me pjesëmarrje fizike në ambientet e hotel Xheko Imperial dhe pjesëmarrje online në platformën ZOOM të anëtarëve të tryezave të PPIE për kapitujt 1, 3, 20, 18 që koordinohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Gledis Gjipalit, Drejtor Ekzekutiv i EMA.

Më pas, fjalën e mori Laureta Spahiu, Këshilltare e projektit SANECA/GIZ, e cila ndër të tjera theksoi rëndësinë e kësaj platforme dhe mundësinë që ajo i jep komunikimit mes aktorëve të interesit dhe qeverisë, duke nxitur anëtarët e këtyre tryezave që jo vetëm të marrin pjesë por dhe të përfshihen në mënyrë aktive gjatë diskutimeve. 

Në pjesën e parë të aktivitetit Julian Llupo, ekspert për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut, i shpjegoi kuadrin ligjor dhe institucional  ku ndodhemi aktualisht dhe gjithashtu prezantoi Rregulloren e Re të BE 2019/1020, ndryshimet që ajo sjell dhe implikimet që priten prej zbatimit të saj. Llupo solli në vëmendje direktivat e përqasjes së re si: siguria e lodrave, siguria e makinerive, pajisjet mbrojtëse personale, pajisjet e gazit etj.  Gjithashtu ai bëri një krahasim mes qasjes së vjetër dhe të resë duke shtruar pyetje mbi nivelin  e përgatitjes për këto ndryshime dhe sfidat për zbatimin e Rregullores së Re, ku specifikoi që deri më tani 55% e Acquis së këtij kapitulli është harmonizuar pjesërisht nga shteti shqiptar. Rregullorja e re sjell risi sa i përket modifikimit të zinxhirit të prodhimit, ku shtohen dhe   ofruesit e shërbimeve si aktorë që duhet të mbajnë gjithashtu përgjegjësi. Një fokus të veçantë kjo Rregullore ka në fuqizimin e infrastrukturës, rritjen e informimit dhe bashkëpunimit, dhe fuqizimin e rolit të institucioneve shtetërore në mbikëqyrjen e tregut. Në këtë sesion u zhvillua një diskutim i hapur me pjesëmarrësit mbi mënyrën sesi do të realizohej ky zbatim i ri si dhe  rëndësinë e dokumentacionit dhe të objektit fizik. 

Në pjesën e dytë të aktivitetit fjala ishte për Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i qendrës Alert dhe anëtar i tryezës për Kapitullin 28. Ai  solli në vëmendje eksperiencën si aktor interesi në procesin e konsultimeve dhe rëndësinë e informimit në lidhje me mbrojtjen e konsumatorit. Më konkretisht Sokolaj foli për rolin e medias në informimin e konsumatorit si dhe rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore duke ndarë disa raste praktike si aktor interesi jo-shtetëror (si shoqëri civile apo si media). Ai vuri në dukje numrin e vogël të ankesave nga ana e konsumatorit, i cili i drejtohet shumë pak kësaj rruge, duke e drejtuar edhe njëherë vëmendjen në mungesën e informimit të konsumatorit. Diskutimi me pjesëmarrësit nxorri në pah rëndësinë e krijimit të një programi informues për mbrojtjen e konsumatorit jo vetëm në qytetet e mëdha por dhe për një shtrirje më gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin. Gjithashtu me interes nga ana e pjesëmarrësve ishte të dinin çështjet që priten të diskutohen në tryezat e ardhshme.