Studimi: Një vështrim mbi programet e nxitjes së punësimit në Shqipëri dhe sfidat e vendit në përfitimin nga komponenti i zhvillimit të burimeve njerëzore (IPA IV), nëntor 2011

1354719907-PictureEMA ka kënaqësinë të ndaj me ju studimin “Një vështrim mbi programet e nxitjes së punësimit në Shqipëri dhe sfidat e vendit në përfitimin nga Komponenti i zhvillimit të burimeve njerëzore (IPA IV)”, mbështetur nga Balkan Trust for Democracy dhe Fondacioni Friedrich Ebert.

Këto njëzet vite tranzicioni e kanë ekspozuar Shqipërinë ndaj vështirësish të mëdha në përshtatjen me realitetin e ekonomisë së tregut të lirë, duke sjellë ndryshime drastike në funksionimin e tregut të punës e për pasojë dhe ristrukturimin e politikave të punësimit. Ndërkohë, intensifikimi i procesit të integrimit europian shton presionin dhe përgjegjësinë e Shqipërisë për të siguruar një treg pune më efecient. Bashkimi Europian mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur kërkesat e anëtarësimit nëpërmjet Instrumentit të Para-Aderimit (IPA), dhe konkretisht, u ofron vendeve kandidate mundësinë të përfitojnë nga komponenti IV IPA – Zhvillimi i Burimeve Njerëzore, një ndihmë transitore kjo për menaxhimin e fondeve të Fondit Social Europian në të ardhmen.

Shqipëria duhet ta shfrytëzojë këtë periudhë për të kryer ristrukturimet e nevojshme institucionale dhe përgatitjet që vendi të përfitojë nga këto fonde.

Ky studim ka për qëllim të hedhë dritë dhe të inkurajojë një diskutim mbi efektivitetin e politikave aktuale të punësimit, si dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të përfituar nga komponentit IV i IPA-s për zhvillimin e burimeve njerëzore. Për vetë natyrën e tyre të pandashme, të dy aspektet paraqiten së bashku në këtë studim të organizuar në dy pjesë:

  • Pjesa I e studimit hulumton tiparet e tregut të punës në Shqipëri dhe ndikimin e politikave të punësimit të zbatuara aktualisht, duke identifikuar rekomandime për rishikimin e përmirësimin e tyre.
  • Pjesa II vijon me një analizë të mundësive për zhvillim dhe kohezion social që burojnë nga komponenti IV i IPA-s. Duke hedhur vështrimin drejt pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë program në të ardhmen, ai vlerëson situatën lidhur me përgatitjet institucionale dhe ligjore.

Rezultatet e hulumtimit përqendrohen në të dhëna cilësore dhe sasiore të institucioneve shtetërore, të Bashkimit Europian, si dhe vlerësimet dhe konkluzionet e arritura nga aktorët e tjerë relevantë në një tryezë të rrumbullakët të mbajtur në korrik 2012.

EMA – Pjesa I Një vështrim mbi programet e nxitjes së punësimit në Shqipëri

EMA – Pjesa II Sfidat e vendit në përfitimin nga Komponenti i zhvillimit të burimeve njerëzore (IPA IV)