Tryezë Informimi dhe Diskutimi “Lufta kundër korrupsionit në themel të rrugëtimit europian: perspektiva e të rinjve, shoqërisë civile dhe akademisë”, 14 tetor 2026

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), organizoi një tryezë informimi dhe diskutimi në ambientet e EU Lab, pranë Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike të këtij universiteti më datë 14 tetor 2026.  Nën moderimin e PhD Olta Qejvani, lektore e së Drejtës së BE-së në UAMD, aktiviteti u përqendrua te lufta kundër korrupsionit dhe mekanizmat e BE-së për mbrojtjen e interesave financiare dhe zbatimit të ligjit. 

Fillimisht, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) theksoi rëndësinë e diskutimeve të tilla për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke kujtuar se lufta kundër korrupsionit është një nga shtyllat qendrore të reformave që lidhen me shtetin e së drejtës dhe me përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Ai nënvizoi se përfshirja e të rinjve duhet të jetë konkrete dhe aktive, sepse pikërisht ata janë brezi që do të jetojë dhe do të punojë në një Shqipëri anëtare të BE-së. Të rinjtë që kuptojnë se si funksionon korrupsioni dhe si veprojnë mekanizmat europianë kundër tij mund të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në ndërtimin e një kulture integriteti, në mbikëqyrjen qytetare të përdorimit të fondeve publike dhe në përmbushjen e objektivave të procesit të integrimit. 

Më tej, Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti dhe autore e manualit mbi mekanizmat europianë të luftës kundër korrupsionit, publikuar nga EMA, në kuadër të projektit “Justice NextGen: Fuqizimi i të Rinjve në Luftën kundër Korrupsionit përmes Edukimit Ligjor dhe Debatit Akademik”, financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), prezantoi kete manual duke sqaruar fillimisht se konceptin e korrupsionit, duke theksuar se ai nuk kufizohet te ryshfeti, por përfshin edhe forma të tjera si konflikti i interesit, mashtrimi, përvetësimi, klientelizmi, zhvatja dhe patronazhi. U sqarua pse është nevojitur një përgjigje europiane për të luftuar korrupsionin, pasi ai ka dimension ndërkufitar dhe i kushton çdo vit BE-së nga 179 deri në 990 miliardë euro dhe sistemet kombëtare të drejtësisë penale, të organizuara mbi baza territoriale, e kanë të vështirë ta përballojnë vetëm. Më pas u prezantua kuadri ligjor i BE-së, me fokus te Direktiva (BE) 2026/1021 për luftën kundër korrupsionit, që harmonizon nëntë vepra penale, ndër to ryshfetin në sektorin publik dhe atë privat, përvetësimin, ndikimin e paligjshëm, pengimin e drejtësisë dhe fshehjen e pasurisë së përfituar nga korrupsioni. Direktiva parashikon sanksione për personat fizikë dhe gjoba deri në 5% të xhiros vjetore botërore për personat juridikë, si dhe detyrime për shtetet si strategji kombëtare, organe të dedikuara, trajnim të vazhdueshëm dhe vlerësime të riskut, me afat transpozimi deri më 1 qershor 2028, ku Danimarka sipas Protokollit nr.22 përjashtohet nga harmonizimi. U bë gjithashtu referim te Raporti vjetor i Komisionit Europian për Shtetin e së Drejtës, si instrument parandalues dhe monitorues, ku që prej vitit 2024 mbulon edhe katër vende kandidate për anëtarësim, përfshirë edhe Shqipërinë. Pjesa kryesore e diskutimit iu kushtua rolit dhe kompetencave të mekanizmave europianë si Prokuroria Publike Europiane (EPPO), Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Agjencia e Bashkimit Europian për Bashkëpunimin Gjyqësor Penal (Eurojust), Agjencia e Bashkimit Europian për Bashkëpunimin e Zbatimit të Ligjit (Europol) dhe Gjykata Europiane të Audituesve. Në këtë linjë u soll në vëmendje se EPPO heton dhe ndjek penalisht krimet kundër buxhetit të BE-së, përfshirë korrupsionin dhe mashtrimin me fonde. Ajo vepron përmes Prokurorëve Europianë të Deleguar dhe ka marrëveshje pune me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK në Shqipëri. Si shembull praktik u analizua rasti Motol në Çeki, ku hetimi europian u zbatua përmes autoriteteve kombëtare dhe çoi në masa ndaj pasurisë prej rreth 4 milionë eurosh. Për sa i përket rolit të OLAF-it, u sqarua se kryen hetime administrative, të brendshme dhe të jashtme, mbi keqpërdorimin e fondeve të BE-së. Kjo agjenci nuk ka kompetenca penale, por mund të rekomandojë rikuperim fondesh, masa disiplinore ose referim te autoritetet gjyqësore. Për Shqipërinë, u trajtua rasti IPARD, ku hetimi administrativ rreth dy vjeçar çoi në pezullimin e rimbursimeve nga Komisioni dhe në rekomandimin për bllokimin e fondeve të IPARD III. Më pas, u vazhdua me rolin e Eurojust-it ku u theksua se mbështet koordinimin gjyqësor kur krimi prek dy ose më shumë shtete anëtare, përmes ekipeve të përbashkëta hetimore (JIT), dhe nuk zëvendëson autoritetet kombëtare, ndërkohë për Europol u sqarua se ofron mbështetje policore dhe nuk është polici siç perceptohet shqesh nga qytetarët, dhe arrestimet e kontrollet mbeten kompetencë e autoriteteve kombëtare. Ndër të tjera, Europol ofron analizë inteligjence kriminale dhe ekspertizë, përmes sistemit SIENA dhe qendrës operacionale 24/7. Në fund, u trajtua edhe kompetencat e Gjykatës Europiane të Audituesve, e cila kryen tre lloje auditimesh si financiar, pajtueshmërie dhe performance. Ajo nuk ka fuqi hetimore, por kur zbulon shenja mashtrimi, i referon rastet te OLAF dhe, kur është e nevojshme, te EPPO. Në përfundim, u paraqit edhe një tabelë krahasuese për sa i përket kompetencave dhe marrëdhenies me autoritet kombëtare për secilin mekanizëm. 

Diskutimi u përqendrua më pas te shkalla në të cilën raportimet dhe statistikat për korrupsionin pasqyrojnë realitetin. U theksua se shifrat zyrtare, si numri i çështjeve të hetuara apo i vendimeve të dhëna, nuk e masin dot plotësisht fenomenin, sepse korrupsioni është nga natyra e tij i fshehur dhe shpesh nuk denoncohet. Në këtë kontekst u vlerësua roli i instrumenteve si Raporti i Komisionit Europian për Shtetin e së Drejtës, që monitoron vazhdimisht ecurinë e vendeve, si dhe i hetimeve të pavarura europiane. U theksua se rezultatet konkrete, si hetime efektive, ndjekje penale dhe rikuperim pasurish, janë të rëndësishme, së bashku me rolin e shoqërisë civile, akademisë dhe të rinjve në ndjekjen e përdorimit të fondeve publike dhe europiane, duke e parë këtë angazhim si pjesë të domosdoshme të rrugës drejt anëtarësimit. 

*Kjo tryezë informimi dhe diskutimi  zhvillohet në kuadër të projektit “Justice NextGen: Fuqizimi i të Rinjve në Luftën kundër Korrupsionit përmes Edukimit Ligjor dhe Debatit Akademik” financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).