Grupi i Punës për Kapitullin 28 ”Kapitulli 28 në negociata: risitë e ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorit dhe rruga drejt standardeve të BE-së”, 18 nëntor 2026
Tryeza për Kapitullin 28 – “Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit” iu dedikua prezantimit dhe diskutimit të risive ligjore të ligjit nr. 116/2026 “Për mbrojtjen e konsumatorit”, si dhe implikimeve të tij për institucionet përgjegjëse dhe aktorët e përfshirë në këtë fushë. Tryeza, e mbajtur më 18 nëntor 2026, u organizua nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Qendra ALERT, në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian.
Gjatë fjalës së tij përshëndetës, z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), vuri në dukje rëndësinë e tryezave të diskutimit dhe këshillimit në kuadër të procesit të integrimit europian, si një mundësi për të vlerësuar progresin e arritur, evidentuar sfidat dhe diskutuar zhvillimet që shoqërojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE. Ai theksoi se, në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, Shqipëria ka pasur një kuadër ligjor ekzistues, por miratimi i legjislacionit të ri përbën një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të forcimit dhe përditësimit të tij, në përputhje me standardet dhe kërkesat e BE-së. Në këtë kontekst, nënvizoi rëndësinë e diskutimit të risive ligjore dhe të kuptimit të implikimeve që ato sjellin për institucionet përgjegjëse dhe aktorët e përfshirë në këtë fushë, në mënyrë që procesi i përafrimit të legjislacionit të shoqërohet me një vlerësim të vazhdueshëm të progresit dhe sfidave të zbatimit.
Në vazhdim, z. Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT, u ndal te rëndësia e zbatimit efektiv të legjislacionit të ri për mbrojtjen e konsumatorit, duke theksuar se forcimi i kuadrit ligjor duhet të shoqërohet me angazhim konkret nga të gjithë aktorët që veprojnë në këtë fushë. Ai vuri në dukje rolin e organizatave të mbrojtjes së konsumatorit në informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtat e tyre, identifikimin e problematikave që hasen në treg dhe kontribuimin në proceset që lidhen me mbrojtjen e këtyre të drejtave. Në këtë drejtim, theksoi nevojën që organizatat e konsumatorëve të përfshihen në mënyrë aktive në zbatimin e kuadrit të ri ligjor, duke kontribuar në evidentimin e shkeljeve, adresimin e problematikave dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse, në mënyrë që dispozitat e reja ligjore të përkthehen në mbrojtje konkrete dhe efektive për konsumatorët.
Znj. Klotilda Neziri, Përgjegjëse e Sektorit të Edukimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, theksoi se Raporti i Komisionit Europian për këtë vit e vlerëson përgatitjen e Shqipërisë për Kapitullin 28 – Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndeti si të ndodhur në një fazë të ndërmjetme midis asaj të hershme dhe përgatitje e kufizuar. Ajo bëri të ditur se ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit, tashmë i botuar në Fletoren Zyrtare, përbën një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE, pasi transpozon 14 direktiva dhe një rregullore të BE-së, përfshirë edhe Direktiva të miratuara gjatë periudhës 2019–2025. Gjithashtu, ligji parashikon një periudhë gjashtëmujore nga hyrja në fuqi deri në fillimin e zbatimit të tij, e cila do të shërbejë për përgatitjen e institucioneve, ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve administrative, si dhe për informimin dhe ndërgjegjësimin e aktorëve të përfshirë. Në këtë drejtim, u theksua se procesi i harmonizimit të legjislacionit ka avancuar ndjeshëm, ndërsa mbeten vetëm katër akte të acquis të BE që nuk janë transpozuar ende në legjislacionin shqiptar. Për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të Kapitullit 28, ajo nënvizoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, institucioneve të tjera përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit dhe strukturave që do të kenë rol në funksionimin e Agjencisë së re për mbrojtjen e konsumatorit. Në përfundim, znj. Neziri vuri në dukje se procesi i zbatimit të ligjit dhe përmbushjes së standardeve europiane nuk mund të mbështetet vetëm në veprimtarinë e institucioneve publike, por kërkon edhe angazhimin aktiv të shoqatave për mbrojtjen e konsumatorit. Ajo theksoi se këto organizata kanë një rol të rëndësishëm në informimin dhe edukimin e konsumatorëve, në evidentimin e problematikave që lidhen me zbatimin e legjislacionit.
Prof. Dr. Nada Dollani, Lektore, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, trajtoi risitë kryesore të ligjit nr. 116/2026 “Për mbrojtjen e konsumatorit”, i cili përbëhet nga 245 nene, 6 pjesë dhe 3 shtojca, duke përafruar plotësisht 14 direktiva të BE. Ndër risitë kryesore të ligjit, ajo u ndal te rritja e transparencës së çmimeve, përmes detyrimit për të paraqitur si çmimin e shitjes, ashtu edhe çmimin për njësi, të cilët duhet të përfshijnë TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera. Për ilustrim, prezantoi shembullin e një produkti me çmim shitjeje 900 lekë dhe çmim për njësi 1.200 lekë/litër, si dhe rregullin e 30 ditëve për njoftimin e uljeve të çmimeve, sipas të cilit çmimi pararendës duhet të jetë çmimi më i ulët i aplikuar gjatë të paktën 30 ditëve para uljes. Në këtë kontekst, u theksua se për mallrat që prishen shpejt ose që kanë qenë në treg për më pak se 30 ditë, merret në konsideratë çmimi më i ulët i aplikuar gjatë periudhës përkatëse, ndërsa për uljet progresive mund të tregohet çmimi pa ulje i vendosur përpara uljes së parë. Në lidhje me tregtinë online, prezantimi trajtoi detyrimin për informimin e konsumatorit mbi çmimin e plotë të produktit, përfshirë taksat dhe tarifat shtesë, përpara lidhjes së kontratës, si dhe detyrimin që butoni i porosisë të shënojë qartë “porosi me detyrim pagese”. Ligji parashikon edhe detyrimin për marrjen e pëlqimit të shprehur për pagesat shtesë, si dhe të drejtën e konsumatorit për rimbursim kur këto pagesa janë kryer pa pëlqimin e tij. Një tjetër risi e rëndësishme është e drejta e tërheqjes nga kontratat e lidhura në distancë brenda 14 ditëve kalendarike, pa dhënë arsye dhe pa kosto, me detyrimin e tregtarit për të rimbursuar pagesat brenda këtij afati dhe të konsumatorit për të kthyer mallin; në rast se konsumatori nuk informohet për këtë të drejtë, afati i tërheqjes mund të zgjatet deri në 12 muaj pas përfundimit të afatit fillestar 14-ditor. Prof. Dr. Dollani trajtoi gjithashtu detyrimet e platformave online për transparencën e renditjes së rezultateve, publikimin e parametrave kryesorë të renditjes dhe rëndësisë së tyre relative, identifikimin e reklamave të paguara, informimin nëse shitësi është tregtar apo jo, si dhe transparencën mbi mënyrën e verifikimit të autenticitetit të vlerësimeve të konsumatorëve, duke i konsideruar përshtypjet e rreme si praktikë të ndaluar. Në fushën e praktikave të padrejta tregtare dhe publicitetit çorientues, Dollani u ndal te ndalimi i pretendimeve të përgjithshme ose të pambështetura mjedisore, etiketave të qëndrueshmërisë pa skemë certifikimi, deklaratave për ndikim neutral ose pozitiv në mjedis të bazuara në kompensimin e emetimeve, si dhe premtimeve për përmirësime të ardhshme mjedisore pa plane të verifikueshme. Në vazhdim, ajo u ndal te e drejtën për riparim, duke sqaruar se shitësi përgjigjet për defektet e mallrave për një periudhë dyvjeçare nga dorëzimi, ndërsa gjatë vitit të parë prezumohet se defekti ka ekzistuar në momentin e dorëzimit, përveç rasteve kur provohet e kundërta. Konsumatori duhet të njoftojë shitësin për defektin brenda dy muajve nga zbulimi i tij dhe mund të zgjedhë riparimin ose zëvendësimin e mallit, ndërsa zgjedhja e riparimit sjell zgjatjen me 12 muaj të periudhës së përgjegjësisë së shitësit. Riparimi duhet të kryhet pa pagesë, brenda një kohe të arsyeshme dhe pa shqetësime të konsiderueshme për konsumatorin, ndërsa gjatë procesit shitësi mund të ofrojë edhe një mall zëvendësues, përfshirë mallra të rinovuar. Në përfundim, u theksua rëndësia e këtyre ndryshimeve për forcimin e transparencës në marrëdhëniet tregtare, mbrojtjen e konsumatorëve në mjedisin digjital, parandalimin e praktikave mashtruese dhe promovimin e konsumit të qëndrueshëm, duke sjellë një kuadër më të avancuar të të drejtave të konsumatorit dhe të detyrimeve të tregtarëve në përputhje me standardet e BE-së.
Znj. Alma Bilali, Këshilltare Ligjore në projektin SANECA II/GIZ, prezantoi rolin, strukturën dhe kompetencat e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit (AKMK), institucioni i ri që parashikohet të krijohet brenda një afati njëvjeçar për zbatimin dhe mbikëqyrjen e kuadrit të ri ligjor. Ajo u ndal te 26 kompetencat që do të ushtrojë Agjencia, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të mbrojtjes së konsumatorit, shkëmbimit të përvojave dhe harmonizimit të kompetencave minimale, veçanërisht në rastet kur shkeljet e të drejtave të konsumatorëve shtrihen përtej kufijve të një shteti. Ndër kompetencat e reja, ajo përmendi mundësinë e kryerjes së blerjeve të mallrave dhe shërbimeve nëpërmjet një identiteti të ri, për qëllime hetimore dhe mbledhjeje provash, si dhe të drejtën për të aksesuar dokumentacionin, ambientet, pajisjet apo mjetet e transportit të tregtarëve, për të verifikuar shkeljet e mundshme. Gjithashtu, Agjencia do të ketë kompetencën të kryejë hetime kryesisht, mbi bazën e ankesave të konsumatorëve dhe, në rastet e shkeljeve në shkallë të gjerë, t’i drejtohet gjykatës edhe kur tregtari ka vijuar praktikën e paligjshme pavarësisht masave të ndërmarra. Një tjetër kompetencë e rëndësishme e trajtuar nga znj.Bilali, lidhet me gjurmimin e transfertave financiare ndërmjet tregtarëve dhe konsumatorëve, si dhe me ndërhyrjen në tregtinë online, përmes urdhërimit të fshirjes ose kufizimit të përmbajtjeve të paligjshme, përfshirë produktet dhe shërbimet që shkelin të drejtat e konsumatorëve, duke bashkëpunuar, kur është e nevojshme, me institucione të tjera ose ofrues të shërbimeve të hosting-ut. Në lidhje me strukturën organizative, u bë e ditur se AKMK do të përbëhet nga katër drejtori, me funksione të specializuara për mbrojtjen e interesave kolektive të konsumatorëve dhe monitorimin e tregjeve digjitale, hetimet në terren dhe aksesin në ambientet e tregtarëve, si dhe zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, kjo e fundit duke u integruar në Agjenci nga drejtoria aktuale e ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Agjencinë do ta mbështesin edhe shërbimet ligjore, të cilat do të ofrojnë asistencë për hetimet dhe përfaqësimin e Agjencisë në gjykata, funksionet statistikore për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave në mbështetje të politikëbërjes, si dhe administrimi i projekteve dhe fondeve të dedikuara për mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë bashkëpunimin me organizatat për mbrojtjen e konsumatorit.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit u ndalën te nevoja për sigurimin e burimeve njerëzore dhe forcimin e kapaciteteve të tyre për funksionimin efektiv të AKMK-së, fazat tranzitore të parashikuara për zbatimin e ligjit, si dhe ndërveprimi i tij me ligje të tjera sektoriale dhe ndarja e kompetencave ndërmjet institucioneve përgjegjëse. U sqarua se AKMK-ja nuk do të ketë statusin e një inspektorati, ndërsa struktura e saj do të parashikojë mekanizma për vendimmarrje kolegjiale dhe ngritjen e një Komisioni të Përhershëm Këshillimor, në të cilin do të përfaqësohen edhe organizatat për mbrojtjen e konsumatorit. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e marrjes në konsideratë të qëndrimeve dhe rekomandimeve të të gjitha palëve të interesuara përgjatë procesit të mëtejshëm të zbatimit të ligjit.
* Tryezat e Diskutimit dhe Këshillimit për Kapitullin 28 organizohen në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit nr.113, datë 30.08.2019 “Për format e pjesëmarrjes, funksionimin dhe strukturën institucionale të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian”.
*Kjo tryezë zhvillohet në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).



