Politika dhe Pasion i Michael Walzer, vjen në shqip
EMA, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Dudaj” ka kënaqësinë të sjellë në gjuhën shqipe librin “Politika dhe Pasioni: Drejt një liberalizmi më Egalitar”. Kjo iniciativë është ndërmarrë në kuadër të projektit “Nxitja e studimit dhe analizës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe rolit në ndryshim të shtetit”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Në këtë libër me interes të lartë për akademikë, studentë të shkencave politike, historisë, sociologjisë dhe për çdo lexuesi që ushqen interes për organizimin e shtetit dhe shoqërisë, Michael Walzer, filozof dhe teoricien i shquar politik, profesor në Universitetin Prinston, kritikon teorinë liberale. Duke radhitur çështje shumë të debatueshme, të tilla si multikulturalizmi, pluralizmi, shoqëria civile dhe drejtësia raciale e gjinore, Walzer sugjeron mënyrat se si teoria liberale mund të rishikohet për ta sjellë atë më pranë kërkesave të barazisë. Duke kombinuar dijet e thella me njohuritë praktike, Michael Walzer bën një rivlerësim të doktrinave thelbësore të mendimit liberal.
“Politika dhe Pasioni: Drejt një liberalizmi më Egalitar” duhet të lexohet nga çdo njeri që është i interesuar për drejtësi sociale dhe për mënyrat nëpërmjet të cilave kërkojmë ta realizojmë atë. Ky libër gjendet në Bibliotekën e Studimeve Europiane dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë EMA-s, si dhe në libraritë shqiptare.



