Modeli Simulues i Institucioneve të BE-së, 31 maj, 2022

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), me mbështetjen e European Movement International, në kuadër të Programit ‘Europe for Citizens’ financuar nga Komisioni Europian, zhvilloi modelin simulues të institucioneve të BE. Aktiviteti u zhvillua përgjatë dy ditëve, trajnimi më 26 maj dhe simulimi më 31 maj 2022 në Europe House, në kuadër të muajit të Europës 2022.

Anita Lushi, Koordinatorja e Projektit EU Day 2022, në fjalën e saj hapëse nënvizoi rolin e këtij aktiviteti për të bërë bashkë studentë të fushave të ndryshme dhe për të rritur njohuritë e tyre mbi procesin e vendimmarrjes në institucionet e Bashkimit Europian.

Tema e përzgjedhur për simulimin e këtij viti ishte Direktiva 2000/78/BE e 27 nëntorit 2000 – ‘’Mbi vendosjen e një kuadri të përgjithshëm për trajtim të barabartë në punësim dhe profesion’’ e cila u prezantua nga Embro Ahmetaj, Pedagog i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Më 26 maj studentët e përzgjedhur me në krye Ahmetaj, u njohën me procedurën, rregulloren e vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave, Komisionit dhe Parlamentit Europian, si dhe me përmbajtjen e Direktivës 2000/78. Direktiva synon mbulim universal për ndalimin e diskriminimit në punë, si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat dhe kërkon ndalimin e diskriminimit në punësim, rekrutim, promovim, në kualifikimin profesional, praktikat e punës, kushtet e punës dhe marrjen pjesë në organizata profesionale. Në përfundim të ditës së trajnimit studentët shprehën gjithësecili dëshirën për rolin që do të dëshironin të kishin gjatë simulimit dhe kjo u mor parasysh nga oranizatorët gjatë ndarjes së roleve sipas institucioneve.

Aktiviteti i Simulimit të Institucioneve u finalizua më datë 31 maj, nën vëzhgimin e  Ahmetaj.  Procesi nisi me propozimin nga ana e Komisionit të Direktivës 2000/78/BE. Në vazhdim, ashtu siç procedura e përcakton, vendimmarrja kaloi në Parlament ku të gjithë studentët në rolin e eurodeputetëve argumentuan në përputhje me interesat e grupeve politike nga vinin dhe propozuan amendamente. Procedura vazhdoi me një Mocion për debat informal dhe vijoi me leximin dhe votimin e amendamenteve individualisht dhe më pas me votimin në tërësi të Direktivës. Procedura vijoi me një debat formal në Këshillin e Ministrave ku pjesëmarrësit diskutuan aspektet kryesore të Direktivës përpara votimit final. Një rregull tjetër i procedurës që u përdor ishte Mocioni për thirrjen e Komisionerit ku u kërkuan sqarime specifike për dy nene të Direktivës. Si përfundim, Direktiva u votua nga shumica e ministrave të shteteve anëtare. Aktiviteti u mbyll me shpërndarrjen e certifikatave për pjesëmarrje dhe me certfikata të veçanta për studentët që spikatën.