Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e negociatave për politikat sociale, punësimin, arsimin, dhe rininë, Pogradec, 30 maj 2025
Më 30 maj 2025, në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak të Pogradecit, u zhvillua një workshop në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri. okusi kryesor i aktivitetit ishte identifikimi i mundësive për përfshirjen e shoqërisë civile, aktivistëve dhe të rinjve që veprojnë në fushat e punësimit, përfshirjes sociale, arsimit dhe rinisë, në procesin e negociatave dhe në nxitjen e informimit dhe konsultimit publik për Grupkapitullin 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse. Workshopi mblodhi përfaqësues të organizatave lokale, aktivistë, staf akademik, studentë dhe të rinj, me synimin për të rritur nivelin e informimit dhe kapacitetet mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të aktorëve jo publikë në politikëbërje dhe vendimmarrje.
Aktiviteti u hap nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Manjola Kamolli e cila ndër të tjera theksoi që si institucionet e pushtetit lokal, aktorët e shoqërisë civile, biznesi, dhe qytetarët duhet të jenë më aktivë e të përfshirë në procesin e bërjes së reformave në kuadër të integrimit europian. Ajo u shpreh që në këtë moment të rëndësishëm të gjithë duhet të jemi më aktivë dhe të kuptojmë rolin që duhet të luajmë në këtë proces. Për të ky proces nuk është një proces vetëm i qeverisë qendrore dhe i Tiranës, por si një proces që do të prekë dhe do të ndikojë të gjithë sektorët dhe segmentet e shoqërisë do të duhet më shumë aktivizëm, bashkëpunim dhe përfshirje. Nga ana tjetër ajo përmendi që aktivitete të tilla, janë të nevojshme për organizatat lokale që kërkojnë më shumë asistencë, orientim dhe ngritje kapacitetesh.
Arjola Agolli, Drejtore Programi në Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, prezantoi misionin dhe veprimtarinë e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile (NRC), e cila synon të krijojë ura bashkëpunimi dhe të nxisë angazhimin qytetar në nivel lokal. Ajo theksoi se shoqëria civile në qytete si Pogradeci përballet shpesh me vështirësi në aksesin ndaj proceseve kombëtare të politikëbërjes, për shkak të përqendrimit të aktiviteteve në Tiranë. Në këtë kontekst, bashkëpunimi me pushtetin vendor bëhet kyç për të garantuar një përfshirje më të gjerë dhe për të fuqizuar organizatat dhe individët në komunitet. Agolli theksoi se nisma si kjo duhet të shërbejnë jo vetëm si hapësira informimi, por edhe si nxitje për vetë aktivistët lokalë dhe strukturat vendore për të marrë më shumë rol në proceset vendimmarrëse.
Nirvana Deliu, Drejtore Projekti në Lëvizjen Europiane në Shqipëri, ndau një përmbledhje të zhvillimeve në procesin e integrimit europian dhe rolin që aktorët lokalë mund të luajnë në këtë rrugëtim. Ajo theksoi nevojën për ta shtrirë dialogun për integrimin edhe përtej Tiranës, duke përfshirë komunitetin e gjerë vendor dhe duke i bërë strukturat si Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian më të qasshme për aktorët në qytete si Pogradeci. Sipas saj, përmes mbështetjes së pushtetit lokal dhe investimit në ndërtimin e kapaciteteve për aktorët jo publikë, mund të forcohet ndjeshëm ndikimi i komunitetit në hartimin dhe zbatimin e politikave që lidhen me kapitujt e negociatave.
Prof. Asoc. Dr. Elda Zotaj, eksperte mbi Bashkimin Europian, prezantoi një analizë të qasjes së BE-së ndaj kapitujve që lidhen me arsimin, rininë, kërkimin shkencor, punësimin dhe përfshirjen sociale. Ajo vuri theksin te sfidat që mbeten për përmbushjen e standardeve të BE-së dhe rolin që mund të luajnë institucionet lokale në përkthimin e reformave në realitetin e përditshëm të komuniteteve, duke nënvizuar që rreth 75% e legjislacionit të BE-së sot zbatohet nga pushteti lokal. Zotaj nënvizoi se bashkëpunimi midis strukturave të qeverisjes vendore dhe aktorëve të shoqërisë civile është thelbësor për të përforcuar zbatimin e reformave në terren dhe për të ndërtuar një proces integrimi më gjithëpërfshirës.
Gjatë diskutimit, takimi konfirmoi rëndësinë e angazhimit të aktorëve lokalë dhe bashkëpunimit me pushtetin vendor për të ndërtuar një proces integrimi më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Të tilla iniciativa kontribuojnë në krijimin e një kulture pjesëmarrjeje aktive dhe dialogu të hapur në nivel lokal.
***
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).
Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al