Forum Diskutimi – Mundësitë dhe sfidat e zgjerimit në një Europë të shqetësuar, 21 qershor 2025, Berat

Më 21 qershor 2025, në Berat, Lëvizja Europiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Politike, organizoi një Forum Diskutimi me përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë, profesionistë dhe të rinj për të diskutuar mbi procesin e zgjerimit të BE-së, sfidat dhe mundësitë e tij, të ndikuara edhe nga ndryshimet gjeopolitike dhe pasiguritë e ardhura nga konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërkombëtare.

Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, në hapje të aktivitetit theksoi se integrimi i Shqipërisë, por edhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, mbetet një objektiv dhe një ëndërr e kahershme. Edhe pse me sfida dhe problematika, kohët e fundit ka një rigjallërim të procesit si nga ana e BE-së, ashtu edhe nga vendet e rajonit për të kryer reformat dhe për të përmbushur kriteret e kërkuara. Tase u shpreh se zgjerimi ka marrë më shumë vëmendje nga BE-ja sidomos pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, duke e bërë të qartë që integrimi i më shumë vendeve në BE është në të mirë të unionit, pasi e fuqizon dhe e rrit influencën e tij.

Pavol Zilincik ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e tij në procesin e integrimit të Sllovakisë, por edhe të Ukrainës, ku vitet e fundit është angazhuar në realizimin e reformës në drejtësi. Duke analizuar çështjet themelore si drejtësia, shteti i së drejtës, demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut, ai theksoi se vende si Sllovakia, Ukraina dhe Shqipëria, edhe pse në faza të ndryshme, kanë shumë për të mësuar dhe ndarë me njëra-tjetrën. Për të, është e rëndësishme të kuptohet se reformat si ajo në drejtësi në Shqipëri, apo ato në Sllovaki dhe Ukrainë, duhet të jenë reforma thelbësore dhe transformuese, jo thjesht instrumentale apo sipërfaqësore – ku ndryshohen jo vetëm ligjet dhe institucionet, por edhe konceptet, vlerat dhe kultura e vetë njerëzve të përfshirë. Vetëm në këtë formë, sipas tij, reformat sjellin rezultatet e pritshme dhe impaktin pozitiv. Zilincik u shpreh se shteti i së drejtës, drejtësia dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë themelore, por nuk janë të paprekshme. Edhe vendet e BE-së sot përballen me kriza dhe problematika në këtë fushë, ndaj janë të nevojshme mekanizma kontrollues dhe monitorues, si dhe, sipas tij, më kryesorja: brendësimi i vlerave dhe parimeve, duke mos u mjaftuar thjesht që ato të jenë të shkruara në letër, por të bëhen pjesë e veprimeve dhe kulturës së vetë njerëzve.

Nirvana Deliu, Drejtore Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, nëpërmjet një historiku të fazave të zgjerimit të BE-së, analizoi se si politika e zgjerimit ka ndryshuar ndër vite dhe se si faktorë të jashtëm ndikojnë në përshpejtimin apo ngadalësimin e saj – si BREXIT apo kriza e refugjatëve në 2015 që solli çfokusim nga zgjerimi, ose konflikti në Ukrainë që e ka përshpejtuar dhe intensifikuar. Deliu gjithashtu theksoi se të gjitha këto e bëjnë procesin dinamik dhe të paparashikueshëm. Megjithatë, ajo nënvizoi se vendet kandidate dhe aspiruese për anëtarësim duhet të punojnë për të arritur standardet dhe për të plotësuar kriteret, duke realizuar reforma politike, juridike dhe ekonomike. Ajo theksoi gjithashtu se procesi i zgjerimit sot është shumë më ndryshe nga ai i Kroacisë apo vendeve të tjera tashmë anëtare, pasi mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit nga Komisioni Europian dhe roli i vendeve anëtare janë më të mëdha, më strikte dhe më të targetuara, duke e bërë procesin më sfidues dhe kërkues.

Takimi vazhdoi me diskutime dhe komente nga pjesëmarrësit, të cilët treguan interes të veçantë për reformën në drejtësi që po realizohet në Shqipëri, duke vlerësuar në mënyrë kritike dhe objektive rezultatet e arritura, por edhe problematikat ekzistuese. Ata ndanë pyetje dhe eksperienca me ekspertët mbi mënyrën se si këto reforma janë kryer në Sllovaki dhe po realizohen në Ukrainë, dhe cilat janë mësimet që mund të nxirren për të shmangur përsëritjen e gabimeve në rastin shqiptar. Gjithashtu, diskutimi u përqendrua mbi procesin e integrimit të Shqipërisë, duke analizuar dilemën: shpejtësi apo cilësi në këtë proces, si dhe shanset reale të Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së deri në vitin 2030.

***

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).