Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile: Procesi i integrimit europian në Shqipëri – mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e negociatave për politikat sociale, turizmin, arsimin, dhe rininë, Rrëshen, 6 nëntor 2025

6 nëntor 2025, në Rrëshen, u zhvillua një workshop në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile (NRC), i cili zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA). Aktiviteti mblodhi përfaqësues lokalë të shoqërisë civile, anëtarë të komunitetit dhe aktivistë për të diskutuar mbi angazhimin qytetar, zhvillimin lokal dhe procesin e integrimit europian.

Workshop-i u hap nga Xhoana Zeqo, Menaxhere Projekti pranë Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, e cila theksoi rëndësinë e krijimit të OSHC-ve aktive dhe të informuara në nivel lokal. Ajo nënvizoi se qëllimi i këtij aktiviteti është të rrisë zërin e organizatave lokale, duke siguruar që perspektivat dhe shqetësimet e tyre të dëgjohen dhe të merren parasysh në diskutimet më të gjera të politikave. Zeqo vuri theksin tek nevoja që aktorët lokalë të jenë proaktivë, të angazhuar dhe të informuar për të forcuar pjesëmarrjen qytetare në komunitetet e tyre.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, u ndal tek raporti vjetor i Komisionit Europian, i publikuar vetëm disa ditë më parë, duke u fokusuar tek progresi i Shqipërisë dhe niveli i përgatitjes për anëtarësim, si dhe tek strukturat për përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit. Gjipali theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis organizatave lokale dhe strukturave kombëtare, duke ofruar një mundësi për kanale të hapura komunikimi dhe përfshirje aktive për aktorët që nuk mund të marrin pjesë drejtpërdrejt në Tiranë.

Anila Shehi Dollani, eksperte për çështjet e BE-së, përshkroi aktivitetet dhe përvojat nga Puka dhe Fushë Arrëz, duke i lidhur ato me mundësitë për rini, turizëm dhe punësim. Ajo tregoi shembuj konkretë të granteve dhe iniciativave të suksesshme të OSHC-ve në këto komunitete, duke ilustruar mënyra se si organizatat lokale mund të forcojnë kapacitetet e tyre dhe të angazhojnë të rinjtë në aktivitete qytetare dhe politike. Shehi vuri theksin tek rëndësia e proaktivitetit dhe bashkëpunimit për të maksimizuar ndikimin dhe përfshirjen e shoqërisë civile në nivel lokal.

Diskutimi konfirmoi rëndësinë e fuqizimit të aktorëve lokalë për të kontribuar në një proces integrimi më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, duke nxjerrë në pah nevojën për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve mbi kërkesat, mundësitë dhe detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit në BE. Pjesëmarrësit diskutuan mbi vlerën e forcimit të bashkëpunimit midis aktorëve lokalë dhe atyre kombëtarë, duke siguruar që OSHC-të lokale të jenë të informuara dhe të mund të kontribuojnë aktivisht në hartimin e politikave, monitorimin e zbatimit dhe rritjen e angazhimit qytetar dhe politik në komunitetet e tyre.

***

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri është një platformë informacioni dhe ofrimi shërbimesh që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, transparentë, të përgjegjshëm dhe të pavarur, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nismë financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Më shumë mund të gjeni në: www.resourcecentre.al