Paneli i fundit i Sesionit Plenar të Konventës Kombëtare të Integrimit Europiane në bashkëpunim me KKIE, 19 nëntor 2025

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), mbajtën panelin e fundit të Sesionit Plenar në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian për të diskutuar rekomandimet e nxjerra gjatë paneleve të tjera teknike të Sesionit Plenar në nivel parlamentar me pjesëmarrje të deputetëve të Kuvendit, institucioneve publike, botës akademike dhe shoqërisë civile mbi përafrimin e kuadrit të të drejtave të njeriut të Shqipërisë me standardet e BE-së, pati një fokus të veçantë në çështjen e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien institucionale.

 

Aktiviteti u përshëndet nga Taulant Balla, Nënkryetar i Këshillit Kombëtar i Integrimit Europian, i cili pasi u uroi mirëseardhjen të ftuarve, theksoi rëndësinë e takimit në një moment vendimtar në procesin e integrimit europian të vendit, kur tashmë Shqipëria ka hapur zyrtarisht të gjithë grupkapitujt e negociatave me Bashkimin Europian. Balla nënvizoi faktin se tashmë ajo që shihej si ambicie e largët, është shndërruar në një realitet konkret pune dhe Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt brenda një viti, duke u bërë ndër vendet me ritmin më të shpejtë të ecurisë negociuese në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas Ballës kjo është dëshmi jo vetëm e punës dhe vendosmërisë së institucioneve, por mbi të gjitha e mbështetjes së jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë, pasi mbi 90% e tyre, e shohin të ardhmen e vendit brenda BE-së. Balla theksoi se në thelb të transformimit që do të shoqërojë procesin e integrimit qëndrojnë të drejtat e njeriut, të cilat sipas tij nuk janë thjeshtë standarde që duhen plotësuar për të përmbushur kriteret e BE-së, por vetë themeli i shtetit demokratik. Duke iu referuar Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025 dhe Raportit të Shtetit të së Drejtës, Balla nënvizoi se vendi ka bërë progres të prekshëm, si dhe vlerësoi se Kuvendi ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit. Duke u ndalur në masat e marra, Balla përmendi ngritjen e dy komisioneve të përhershme parlamentare, që kanë për objekt pune, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të institucioneve të pavarura për të garantuar zbatimin e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, por dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit. Balla u ndal dhe në ligjin e sapomiratuar për barazinë gjinore, si dhe nismën e ndërmarrë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve dhe pavarësisë së medias nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjeteve të Informimit Publik, i cili ka ngritur një grup pune me ekspertë vendas dhe të huaj nga Këshilli i Europës, për të hartuar paketën ligjore për mediat. Balla informoi se tashmë Kuvendi ka hyrë në fazën përfundimtare të proceseve të zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, dy institucione kyçe në arkitekturën e të drejtave të njeriut. Në përfundim Balla theksoi se integrimi është një proces transformues i të gjithë shoqërisë, që kërkon një dialog sa më të gjerë dhe përfshirjen sa më shumë të qytetarëve në njohjen e reformave integruese.

Më tej takimi u përshëndet nga Gledis Gjipali, Koordinator i Konventës Kombëtare për Integrimin Europian në Shqipëri/ Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), i cili vlerësoi bashkëpunimin e mirë ndër vite me KKIE, për trajtimin e çështjeve të veçanta dhe të ndjeshme për shoqërinë shqiptare dhe rrugën transformuese që do të sjellë procesi. Duke nënvizuar rolin që ka shoqëria civile për të sjellë shqetësimet apo sugjerimet e aktorëve të ndryshëm të interesit pranë institucioneve kryesore në procesin e integrimit europian, Gjipali vlerësoi punën e Kuvendit për krijimin e një platforme interaktive të konsultimit publik. Në përfundim ai vlerësoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe angazhimit në proces edhe nga ana e shoqërisë civile, për të bërë të mundur të garantohet gjithëpërfshirja dhe vendimmarrja të shtrihet edhe tek grupet e interesit që kanë potencialin e duhur për të kontribuar.

Takimi u përshëndet nga Ivan Štefanec, ish-deputet dhe eurodeputet sllovak, i cili vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe nënvizoi rëndësinë që ka mbështetja e qytetarëve shqiptarë për ta parë të ardhmen e vendit brenda BE-së.  Štefanec theksoi rëndësinë e forcimit të rolit të Kuvendit për monitorimin e procesit të negociatave dhe punës së qeverisë, por dhe çuarjen përpara të procesit. Duke vlerësuar arritjet e shënuara nga Reforma në Drejtësi dhe nismën e marrë për krijimin e të parit portofol qeveritar virtual, i mundësuar nga inteligjenca artificiale, që do të jetë përgjegjës për të gjitha prokurimet publike, Štefanec theksoi se pavarësisht arritjeve mbresëlënëse që janë arritur, duhet të vijohet të tregohet vëmendje në drejtim të pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, lirinë e medias, garantimin e aksesit nga të gjithë qytetarit të shërbimeve on-line dhe forcimin e llogaridhënies dhe garantimin e transparencës institucionale.

Në pjesën e dytë të takimit, Nirvana Deliu, Drejtore Projekti, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) paraqiti disa rekomandime të dala nga konsultimet me shoqërinë civile dhe ekspertët lidhur me çështje të të drejtave të njeriut, si: trajtimi i problematikës së bullizmit në median on-line, nevojën e buxhetimit më të mirë të institucioneve të pavarura për ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, etj. Deliu vlerësoi se rekomandimet dhe sugjerimet e dala nga Konventa, mund të ndihmojnë në rritjen e rolit të Kuvendit dhe KKIE-së, në avancimin e reformave që sigurojnë përfshirje, transparencë dhe qëndrueshmëri demokratike.

Aktiviteti vijoi me pyetje dhe diskutime të hapura mes pjesëmarrësve.