Grupi i Punës për Kapitullin 24 – Forcimi i kapaciteteve institucionale dhe praktikat më të mira për funksionimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve (ARO), 25 mars 2026
Forcimi i kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimi i praktikave më të mira europiane për funksionimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve (ARO) ishin në qendër të takimit të radhës të Grupit të Punës për Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria, Siguria, të zhvilluar më 25 mars 2026, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Aktiviteti u organizua nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Bashkimit Europian.
Ky takim u zhvillua si një hapësirë konsultimi dhe dialogu ndërmjet institucioneve shtetërore, agjencive ligjzbatuese, organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve të ligjit dhe partnerëve ndërkombëtarë, me synimin për të diskutuar zhvillimet më të fundit ligjore dhe institucionale që lidhen me krijimin dhe funksionalizimin e ARO në Shqipëri. Në fokus të diskutimeve ishte roli që kjo strukturë e re mund të luajë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, si edhe rëndësia e saj në procesin e afrimit të Shqipërisë me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian në kuadër të Kapitullit 24.
Takimi u çel me fjalët përshëndetëse të Gledis Gjipalit, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), dhe Arben Ujkajt, Drejtor i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve (ARO) pranë Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij,Gjipali theksoi rëndësinë që ka Konventa Kombëtare për Integrimin Europian si një model bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe aktorëve jo-shtetërorë, duke krijuar mundësi që ekspertiza profesionale, përvoja praktike dhe rekomandimet e aktorëve të ndryshëm të kontribuojnë në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të vendit. Ai nënvizoi se çështjet që lidhen me Kapitullin 24 janë veçanërisht të rëndësishme, pasi prekin drejtpërdrejt shtetin e së drejtës, sigurinë publike, drejtësinë dhe efektivitetin e mekanizmave kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Nga ana e tij, Arben Ujkaj u ndal te rëndësia e ngritjes dhe konsolidimit të Zyrës së Rikuperimit të Aseteve si një strukturë kyçe në kuadër të Policisë së Shtetit. Ai theksoi se ARO përfaqëson një instrument të rëndësishëm për identifikimin, gjurmimin dhe mbështetjen e proceseve për rikuperimin e pasurive që burojnë nga veprimtari kriminale, duke e bërë më efektive luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se kjo strukturë ndodhet ende në fazë konsolidimi institucional dhe se për funksionimin e saj të plotë kërkohet jo vetëm një bazë e qëndrueshme ligjore, por edhe bashkëpunim i ngushtë me institucionet e drejtësisë, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.
Rezar Velimishi, Shef Sektori në Policinë e Shtetit, prezantoi zhvillimet institucionale dhe legjislative për krijimin dhe funksionimin e ARO në Shqipëri. Në prezantimin e tij u trajtuan disa çështje thelbësore, mes të cilave rëndësia e rikuperimit të aseteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, prioritetet dhe kërkesat e Bashkimit Europian në kuadër të Kapitullit 24, procesi i ngritjes së ARO në Shqipëri dhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për funksionalizimin e saj të plotë. Ai theksoi se ARO mbetet një aset i rëndësishëm për luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, ndërkohë që kjo konsiderohet prioritet edhe nga BE. Gjithashtu, u theksua roli i koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e drejtësisë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe nevoja për shkëmbim të shpejtë dhe efektiv të informacionit edhe me partnerët ndërkombëtarë. Përveç ligjit për një funksionim të plotë të ARO, Velimishi u shpreh që duhen dhe aktet nënligjore dhe procedurat e brendshme për funksionimin real dhe efektiv të saj, si dhe kërkon investim të vazhdueshëm në burime njerëzore, trajnime të specializuara, kapacitete teknike dhe procedura të qarta bashkëpunimi.
Më pas, Michal Pavlik, Shef i Departamentit të ARO në Policinë e Sllovakisë, prezantoi përvojën sllovake dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian në funksionimin e Zyrave të Rikuperimit të Aseteve. Ai e vendosi funksionimin e ARO në kuadrin europian, duke iu referuar vendimit të Këshillit të BE-së (2007/845/JHA), i cili thekson nevojën për shkëmbim të shpejtë të informacionit ndërmjet shteteve anëtare për identifikimin dhe gjurmimin e pasurive me origjinë kriminale. Sa i përket organizimit në Sllovaki, ai shpjegoi se ARO funksionon si një njësi brenda strukturave të policisë , e cila ka kaluar në disa faza institucionale dhe aktualisht është pjesë e strukturave të specializuara kundër krimit. Njësia përbëhet zakonisht nga 5–10 oficerë policie, ndërsa aktualisht operon me 7 oficerë dhe një drejtues njësie. Në lidhje me bashkëpunimin institucional, Pavlik theksoi se ARO në Sllovaki ka të drejtë, në bazë të ligjit për policinë, të kërkojë informacion nga institucione shtetërore, subjekte juridike, institucione financiare, administrata tatimore dhe skemat e sigurimeve shoqërore, edhe pa qenë e nevojshme ekzistenca e një procedimi penal formal, por në kuadër të informacionit operativ .Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve, duke përmendur trajnimet për përdorimin e sistemeve dhe databazave policore, si dhe pjesëmarrjen në trajnime të specializuara të CEPOL në fushën e pastrimit të parave dhe rikuperimit të aseteve.
Në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ai theksoi përdorimin e kanaleve si SIENA, bashkëpunimin me njësitë kombëtare të Europol, si dhe komunikimin e drejtpërdrejtë operacional. Po ashtu, u evidentua edhe bashkëpunimi me sektorin privat si një element i rëndësishëm në identifikimin dhe gjurmimin e aseteve.
Në përfundim, Pavlik u ndal te zhvillimet e fundit në BE, duke iu referuar Direktivës (BE) 2024/1260 për rikuperimin dhe konfiskimin e aseteve, e cila parashikon zgjerim të kompetencave, detyra të reja dhe forcim të rolit të ARO, me afat transpozimi deri në nëntor 2026.
Takimi vazhdoi me komente dhe diskutime që dhe njëherë theksuan rëndësinë për mirëfunksionimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve.



