Dokument Politikash – Përtej Përputhshmërisë: Ndërtimi i një Kuadri Funksional të Aktit të Shërbimeve Dixhitale në Shqipëri, shkurt 2026
Ky punim, i hartuar nga Petra Kováčiková për Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), analizon sfidat dhe parakushtet për zbatimin efektiv të Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së (DSA) në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai argumenton se, megjithëse Shqipëria po përparon në përafrimin e kuadrit të saj ligjor me acquis të BE-së, mbetet një hendek i vazhdueshëm zbatimi, ku legjislacioni miratohet formalisht, por shpesh mbetet i dobët ose joefektiv në praktikë. Ky rrezik është veçanërisht i theksuar në kuadër të kornizave rregullatore komplekse dhe me fokus qeverisjeje si DSA, ku rezultatet nuk varen vetëm nga transpozimi ligjor, por edhe nga kapaciteti institucional, mekanizmat e koordinimit dhe angazhimi i qëndrueshëm ndërmjet rregullatorëve, platformave dixhitale, aktorëve të sektorit privat dhe shoqërisë civile.
Punimi analizon tre dimensione të ndërlidhura: (i) karakteristikat strukturore të DSA-së si pjesë e kuadrit rregullator të BE-së, përfshirë detyrimet e shtresëzuara, rregullat e diferencuara për shërbimet ndërmjetëse dhe sistemin e qeverisjes të bazuar në vlerësimin e rrezikut; (ii) kërkesat institucionale për zbatimin e tij në kontekstin e Shqipërisë si vend kandidat, me vëmendje të veçantë ndaj gatishmërisë rregullatore, ndarjes së përgjegjësive dhe nevojës për organe mbikëqyrëse të pavarura dhe të mirëkoordinuara; dhe (iii) risqet e keqinterpretimit dhe politizimit të DSA-së në mjedise rregullatore në zhvillim, ku kompleksiteti i tij mund të çojë në kuptime të fragmentuara dhe dobësim të neutralitetit institucional, nëse nuk trajtohet siç duhet që në fazat e para.
Duke pasur parasysh trajektoren aktuale të integrimit europian të Shqipërisë, punimi synon gjithashtu të ofrojë implikime afatgjata për politikëbërësit dhe institucionet vendase, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së hershme dhe qartësisë në dizajnin e qeverisjes. Ai nënvizon se trajtimi i DSA-së thjesht si një ushtrim formal përafrimi do të dëmtonte qëllimin e tij thelbësor si një kornizë operacionale e cila synon të përmirësojë sigurinë online, të mbrojë të drejtat themelore dhe të forcojë llogaridhënien në ekosistemin dixhital.
Punimi përfundon se suksesi i zbatimit të DSA-së në Shqipëri do të varet nga aftësia e vendit për të kaluar përtej përafrimit formal, drejt ndërtimit të një ekosistemi rregullator funksional, të aftë për të garantuar mbikëqyrje të pavarur, veprim të koordinuar dhe besim afatgjatë në hapësirën publike dixhitale.
Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).




