Forumi: Drejt institucionalizimit të marrëdhënieve mes aktorëve shtetërorë dhe atyre jo – shtetërorë në Shqipëri

1348825562-per_webMë 26 shtator 2012, Blerta Hoxha, hulumtuese pranë EMA-s,  në bashkëpunim me Fondacionin Pontis – Sllovaki organizoi Forumin e Politikave: “Drejt institucionalizimit të marrëdhënieve mes aktorëve shtetërorë dhe atyre jo – shtetërorë në Shqipëri“. Forumi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve shtetërore, hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media të cilët diskutuan mbi problematikat e përfshirjes së shoqërisë civile e grupeve të interesit në hartimin e politikave.

Forumi u hap me fjalën përshëndetëse të Znj. Blerta Hoxha, e cila theksoi rëndësinë e garantimit të një mjedisi transparent dhe gjithëpërfshirës në hartimin e politikave dhe procesit ligj bërjes, çështje këto vendimtare në forcimin e demokracisë dhe progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Z. Ditmir Bushati, Kryetar i Komisionit për Integrimin Europian, gjatë fjalës së tij u ndal në situatën aktuale në institucionet shtetërore. Mënyra e organizimit të tyre krijon mundësi për të qenë sa më transparente, por kjo nuk reflektohet domosdoshmërisht në praktikë. Për sa i përket marrëdhënies mes politikës dhe shoqërisë civile, Z. Bushati e cilësoi si një marrëdhënie në të cilën secili qëndron i izoluar në ishullin e tij. Sidoqoftë, komuniteti i biznesit, apo edhe shoqëria civile, paraqesin një vullnet shumë më të konsoliduar për ta ushqyer këtë marrëdhënie se sa politika. Në këtë kuadër, Z. Bushati gjithashtu theksoi rëndësinë e aksesit në informacion. Duke përshëndetur përpjekjet për ta zhvilluar sa më shumë këtë të drejtë, ai nënvizoi nevojën e rregullimit të mëtejshëm ligjor si dhe të ndryshimit të mentalitetit.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur, Z. Andi Dobrushi, prezantoi një përmbledhje të rolit të këtij fondacioni për sa i përket çështjeve të së drejtës së informimit dhe proceseve të konsultimit. Ai nënvizoi problemet dhe kufizimet e Ligjit për të Drejtën e Informimit si dhe praktikat e institucioneve që lënë mjaft për të dëshiruar. Këto përfundime u mbështetën me të dhëna statistikore. Gjithashtu ai prezantoi bashkëpunimin e Fondacionit me institucionet shtetërore në ndryshimin e ligjit për të drejtën e informimit dhe hartimin e një ligji mbi konsultimet.

Në fjalën e saj, Znj. Vjollca Mecaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, theksoi se e drejta e informimit, si një koncept bazë i demokracisë, duhet të qëndrojë në themelet e marrëdhënieve mes institucioneve publike dhe atyre jo-publike. Ajo gjithashtu paraqiti rolin dhe kontributin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit në këtë çështje, si edhe solli disa shembuj pozitiv sidomos për sa i përket institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Më tej, Znj. Blerta Hoxha prezantoi gjetjet kryesore dhe rekomandimet e hulumtimit të saj. Duke sjellë përvoja të institucioneve në Sllovaki, si dhe të atyre të BE-së, ajo theksoi nevojën e ndërmarrjes së hapave konkretë drejt institucionalizimit të marrëdhënieve.

Forumi u ndoq nga një sesion diskutimesh ku pjesëmarrësit sollën përvojat personale dhe diskutuan mbi mundësitë e konsolidimit të këtyre politikave.