Drejt politikës së kohezionit të BE-së dhe përmbushjes së kërkesave të IPA-s në Shqipëri

1347899796-picMë 12 shtator 2012, EMA mbështetur nga Fondacioni Pontis organizoi forumin  me temë “Drejt politikës së kohezionit të BE-së dhe përmbushjes së kërkesave të Instrumentit të Para-aderimit (IPA) në Shqipëri”.  Duke pasur parasysh mungesën e një politike të duhur të kohezionit në Shqipëri dhe fazën elementare të përgatitjes së saj në kontekstin e pranimit në BE, EMA përmes kësaj iniciative synoi stimulimin e një debat konstruktiv mbi funksionimin e qeverisjes gjithëpërfshirëse në shumë nivele, si faktor përcaktues në suksesin e politikave strukturore dhe të kohezionit në rastin e vendeve të Europës Qendrore që janë anëtarësuar gjatë viteve të fundit. Për këtë qëllim, pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, trupit akademik, shoqërisë civile dhe akademikë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA-s theksoi rëndësinë që merr Komponenti IPA III – Zhvillimi Rajonal për Shqipërinë, mbas marrjes së statusit të vendit kandidat. Është ky komponent së bashku me 2 komponentë të tjerë të IPA-s që bëjnë të mundur përfitimin e fondeve të tjera të Bashkimit Europian. Përfituesit kryesor të komponentit IPA III do të jenë drejtpërdrejt grupet e interesit si: bizneset, shoqëria civile, dhe komuniteti në përgjithësi. Ndaj vënia në përdorim e këtyre fondeve përveç se do të nxisë zhvillimin ekonomik, do të rris gjithashtu edhe interesin e qytetarëve ndaj procesit të integrimit duke qenë se do të jenë ata që do të prekin nga afër efektet pozitive të këtyre fondeve.

Z. Dorian Jano prezantoi për audiencën studimin i cili analizon politikën e zhvillimit rajonal në Shqipëri në lidhje me formalizimin e mundshëm dhe përhapjen e parimit të partneritetit duke ofruar rekomandime që burojnë nga mësimet dhe praktikat më të mira të vendeve kandidate. Gjatë prezantimit të tij, Z. Jano u ndal tek rëndësia që ka qeverisja shumënivelëshe për të patur një zhvillim rajonal më të shpejtë dhe rritur mundësitë e përdorimit të fondeve të BE-s. Prezantimi i modeleve të ndryshme të përdorura nga vendet e reja anëtare të BE-së ngjalli interes dhe debat se cili mund të jetë modeli më i përshtatshëm për Shqipërinë. Kapacitetet administrative ekzistuese në vend janë të dobta dhe aplikimi i një modeli të hapur, ku cdo aktor mund të përfitoj me paraqitjen e projekteve konkuruese, do të kishte përparësi ndaj modelit ku një institucion shtetëror është përgjegjësi i vetëm për planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin e fondeve.

Në fund, aktiviteti u ndoq nga një seksion diskutimesh ku panelistët dhe pjesëmarrësit debatuan mbi modelin më të përshtatshëm në Shqipëri si dhe ndikimin që ka stadi aktual i procesit të integrimit europian.