Forumi: Përmirësimi i politikave të punësimit në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Më 17 Korrik 2012, EMA, në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Balkan Trust for Democracy (BTD), organizoi forumin me temë “Përmirësimi i politikave të punësimit në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit në Shqipëri, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias, të cilët diskutuan mbi ndërhyrjet e nevojshme me qëllim hartimin sa më të mirë të politikave të punësimit.
Forumi u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Gledis Gjipali, Drejtorit Ekzekutiv të EMA-s, i cili përmendi se duke pasur parasysh sfidat aktuale të tregut të punës dhe nevojën për të përmirësuar politikat e punësimit në kuadër të Integrimit Europian të vendit, nxitja e debatit konstruktiv dhe profesional për këtë çështje merr rëndësi madhore. Ai theksoi se debati i ushqyer nga kontributi i grupeve të ndryshme të interesit krahas faktit që i jep një vlerë të shtuar diskutimit, i shërben orientimit më të mirë të politikave shtetërore. Z. Gjipali nënvizoi se organizmi i aktiviteteve të këtij lloji kontribuon në përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit të politikave të punësimit me qëllim përdorimin sa më të mirë të kapitalit njerëzor.
Zëvendës Ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Znj. Filloreta Kodra gjatë fjalës së saj adresoi problematikën e punësimit të të rinjve, duke iu referuar faktit që Shqipëria konsiderohet si vend me popullsi të re në moshë. Por krahas këtij treguesi pozitiv, nga ana tjetër tregu i punës në Shqipëri vitet e fundit karakterizohet nga një rënie e lehtë e punësimit kryesisht për grupmoshën 18 – 24 vjeç. Gjithashtu, sipas të dhënave zyrtare Znj. Kodra përmendi se rreth 15% e të papunëve i përkasin grup moshës deri në 25 vjeç dhe gati 22.9% grup moshës nga 24 -34 vjeç. Pikërisht bazuar në këto tregues qeveria e ka vënë punësimin e të rinjve në fokus te veçantë të angazhimeve të saj. Zëvendës Ministrja theksoi se krahas të rinjve, një tjetër grup i cili ka marrë vëmendjen dhe angazhimin e qeverisë në kuadër të hyrjes së tyre në tregun e punës janë emigrantët. Kjo për shkak të situatës së vështirë ekonomike që po përjeton Europa dhe rritjes së mundësive për rikthimin e tyre në Shqipëri.
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian, Z. Ettore Sequi, përmendi se aktualisht kriza ekonomiko – financiare që ka prekur BE-në vitet e fundit ka kthyer gjithnjë e më shumë vëmendjen tek politikat e punësimit, tregu i punës dhe kapitali njerëzor. Fjala kyçe është “transformimi”, e cila është shprehje e mënyrës së funksionimit të BE-së. Vetë procesi i anëtarësimit është një proces transformues në vetvete. Për këtë qëllim, ai risolli në vëmendje të audiencës mbështetjen që Delegacioni ka dhënë, përmes projekteve të ndryshme, nxitjes së politikave të punësimit në Shqipëri. Në këtë kuadër, Ambasadori i BE-së theksoi se është e pamundur që kur flasim për punësim të lihet jashtë vëmendjes sektori privat dhe SME-të në veçanti, të cilat janë motori i rritjes ekonomike. Krijimi i një tregu pune sa më tërheqës i cili promovon konkurrencën e ndershme është thelbësor në këtë drejtim. Në përfundim të fjalës së tij, Ambasadori Sequi theksoi se “reformat për konsolidimin e politikave të punësimit duhet të shtyhen përpara nga vullneti, angazhimi dhe vizioni i qeverisë”.
Gjatë forumit, Znj. Blerta Hoxha, Hulumtuese pranë EMA-s prezantoi gjetjet e punimit “Një vështrim mbi programet e nxitjes së punësimit në Shqipëri”. Gjatë prezantimit të saj krahas të dhënave zyrtare mbi tregun e punës, Znj. Hoxha u ndal tek programet ekzistuese për nxitjen e punësimit duke theksuar një sërë gjetjesh dhe rekomandimesh:
Në tërësi, zbatimi i programeve të nxitjes së punësimit përbën një aspekt pozitiv për Shqipërinë dhe një përvojë të ndjekur gjerësisht nga vendet ish-komuniste, sot anëtare të BE-së. Megjithatë, deri më tani, programet e nxitjes së punësimit kanë pasur një ndikim të kufizuar. Kjo për një sërë arsyesh si:
- Ulja e ndjeshme e buxhetit ndër vite dhe rrjedhimisht kufizimi i numrit të përfituesve;
- Prania e burokracive të shumta çka i bën ato më pak joshëse për punëdhënësit;
- Programet nuk janë gjithnjë të konsultuara dhe të mirë-përshtatura me nevojat e subjekteve private – veçanërisht sa i takon trajnimeve dhe përfitimeve të parashikuara për punëdhënësin ;
- Në tërësi, zyrat e punësimit të cilat janë dhe zbatuesit e këtyre programeve, nuk gëzojnë popullaritet të lartë mes qytetarëve dhe bashkëpunimi i tyre me subjektet private mbetet i kufizuar. Prandaj, fokusi duhet të jetë krijimi i vendeve të reja të punës, në mënyrë që punësimi i nxitur nëpërmjet programeve të ndryshme të jetë më i qëndrueshëm.
Znj. Hoxha dha një sërë rekomandimesh për përmirësimin e politikave të punësimit dhe uljen e papunësisë.
Forumi u ndoq nga një diskutim aktiv me pjesëmarrjen e grupeve të ndryshme të interesit.



