Forum: Kuptimi i procesit të Integrimit Europian të vendit- Vlorë

vloreMë 5 korrik 2012, EMA nmbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe Ambasada Britanike në Shqipëri, organizoi në ambjentet e Qendrës së Informimit mbi BE Vlorë forumin e radhës me titull: “Kuptimi i procesit të Integrimit Europian të vendit”.  Të pranishëm në këtë forum ishin studentë, akademikë dhe përfaqësues të mediave lokale, të cilët pas fjalës së panelistëve u përfshinë në një debat të hapur mbi të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Aktiviteti u hap nga Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s. Z. Gjipali argumentoi se përmes përfshirjes më të madhe të publikut në procesin e integrimit europian, procesi bëhet më transparent dhe i kuptueshëm nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.

Z. Clive Rumbold, Shef i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacionit tek  Delegacioni i BE-së në Shqipëri, diskutoi mbi rolin e projektit Europian në transformimin demokratik të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij, Z. Rumbold evidentoi se procesi i Integrimit Europian shpesh është i rrethuar nga perceptime të rreme si pasojë e mungesës së informacionit të mjaftueshëm. Ndaj, informimi i studentëve mbi vlerat themelore të BE-së (demokracia, prosperiteti, respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit, po ashtu paqja dhe stabiliteti) është e një rëndësie madhore për të ardhmen e Shqipërisë. Duke shpjeguar rolin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Z. Rumbold shtjelloi 12 fushat prioritare ku progres i mëtejshëm  nevojitet, si një mjet për të arritur një hap më pranë BE-së. Një pjesë e rëndësishme e këtij progresi është e lidhur ngushtë me ndërgjegjësimin dhe angazhimin e publikut, e sidomos të të rinjve shqiptarë në këtë proces.

Për më tepër, Z. Sergio Strozzi, Konsull i Republikës së Italisë në Vlorë, bëri një prezantim mbi aktivitetet dhe projektet që qeveria Italiane ka ndërmarrë në kuadër të rritjes së ndërgjegjësimit dhe mbështetjes së procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Krahas projekteve për të mbështetur dhe rritur ndërgjegjësimin mbi të drejtat e komunitetit LGBT, Z. Strozzi, përmendi projektet që lidhen me të drejtat e pakicave, si dhe mbështetjen që i është atribuuar qeverisë shqiptare në kuadër të arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Duke theksuar nevojën për ndërgjegjësim më të madh, Z. Strozzi, gjithashtu vuri në dukje përfitimet që integrimi europian sjell për të rinjtë dhe qytetarët e Shqipërisë. Pjesë e këtyre avantazheve kanë të bëjnë me një cilësi më të mirë të standardeve të jetës, një administratë publike profesionale, një sistem të përmirësuar arsimor, etj.

Në fund, forumi u pasua nga një seksion diskutimi, ku pjesëmarrësit i adresuan panelit pyetje të ndryshme lidhur me progresin e Shqipërisë drejt BE-së.