Forumi i politikave – 12 detyrat e Shqipërisë: Ku jemi sot?
Më 15 Nëntor 2011, EMA në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) organizuan forumin e politikave “12 detyrat e Shqipërisë: Ku jemi sot ?” i cili erdhi pak javë pas publikimi të Progres Raportit nga Komisioni Europian. Ky forum mblodhi së bashku Ambasadorët e tre shteteve anëtare të BE-së që përfaqësojnë Presidencën e kaluar, aktuale dhe atë të ardhshme të BE-së. Në fokus të aktivitetit ishin analizat dhe diskutimet mbi situatën aktuale me të cilën po përballet Shqipëria në rrugën e saj drejt BE.
Forumi u hap me fjalën përshëndetëse të Drejtorit të FES për Tiranë, Z. Michael Weichert, i cili falënderoi organizimin e një aktiviteti të tillë që kontribuon në gjallërimin e debatin publik në kuadër të procesit të integrimit Europian të vendit. Ndër panelistët i pari që mori fjalën ishte Ambasadori i Republikës së Hungarisë në Shqipëri Z. Janos Huszar. Gjatë fjalës së tij Ambasadori u ndal në mënyrë të veçantë tek shembujt që Shqipërisë i vijnë nga vendet e rajonit. Sipas tij Shqipëria duhet ti referohet Kroacisë, rruga e secilës është një histori suksesi. Gjithashtu, një tjetër shembull pozitiv i këtij viti lidhur me përpjekjet dhe në të njëjtën kohë me progresin e dëshmuar për përmbushjen e reformave vjen edhe nga Serbia bazuar kjo në vlerësimin e fundit të Komisionit Europian. Përmirësimi i imazhit të vendit lidhur me angazhimet e ndërmarra në kuadër të këtij procesi ishte një tjetër moment i rëndësishëm që u theksua në fjalën e Ambasadorit hungarez. Ai nënvizoi rëndësinë e përmirësimit të imazhit si një mënyrë që Shqipëria të marrë mbështetjen e nevojshme të vendeve anëtare të BE-së për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së.
Ambasadorja Polake Znj. Irena Tatarzyńska, paraqiti këndvështrimin e Presidencës Polake të BE-së lidhur me dialogun e brendshëm politik si kusht për anëtarësim në BE. Ajo theksoi se Polonia ashtu sikurse Shqipëria vinte nga një regjim komunist, por rruga e daljes së saj nga ky regjim dhe kalimi në sistemin demokratik kaloi përmes një procesi të butë transformimesh dhe dialogu midis aktorëve kryesorë politikë. Pikërisht kjo frymë u ndoq edhe më pas për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme gjatë procesit të anëtarësimit në BE. Ambasadorja nënvizoi se ndonëse në Poloni kishte debat aktiv mbi këtë proces rezultatet e referendumit që u organizuan në vend dëshmuan se përqindja e popullsisë e cila ishe pro BE ishte më e lartë nga te gjitha vendet e tjera qe u anëtarësuan. Në përfundim të fjalës së saj Ambasadorja theksoi se ishte pikërisht falë vullnetit dhe dialogut të qëndrueshëm politik mes palëve që diskutimi publik në Poloni u zhvendos nga: “në qoftë se…”, në “kur…” do të anëtarësohemi. Ky kalim nuk do të mund të realizohej pa dialogun e brendshëm politik i cili është i qenësishëm për perspektivën europiane të vendit.
Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri Z. Karsten Ankjaer Jensen, përdori simbolikën e kaosit të qarkullimit rrugor në vend, për të treguar mënyrën e funksionimit dhe organizmit të shoqërisë shqiptare. Ai theksoi se një përgjegjësi të veçantë në ndryshimin e sjelljes apo të qëndrimit të shoqërisë e kanë elitat politike. Sipas tij lidershipi nuk duhet vetëm ti tregojë individëve të një shoqërie se si duhet të veprojnë por të japin shembullin e tyre në respektimin e rregullave. Ambasadori gjatë fjalës së tij përmendi se vlerësimi i fundit i BE tregoi që Shqipëria nuk ishte gati për të qenë pjesë e BE-së dhe as për të qenë kandidat për tu anëtarësuar në BE. Megjithatë sipas Ambasadorit Danez është e rëndësishme që ”sjellja dhe zakonet e këqija, parimisht mund të ndryshojnë nga një moment në tjetrin. E gjitha është çështje vullneti. Vullneti për të ndryshuar. Nëse populli shqiptar tregon vullnetin dhe kurajën për të kërkuar ndryshimin, ky do të mund të ishte hapi më i madh drejt anëtarësimit në BE” nënvizoi në përfundim të fjalës së tij Ambasadori Danez.
Pas prezantimeve të adresuara nga Ambasadoret, u zhvillua një sesion i hapur diskutimesh ku pjesëmarrësit shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me problematikën që po shoqëron procesin e integrimit Europian të vendit tonë.
Ky aktivitet u moderua nga Drejtori Ekzekutiv i EMA-s Z. Gledis Gjipali.
Pasqyrimin e takimit në media mund ta gjeni në faqen tonë të website, në rubrikën “EMA në Media“.



