Leksion publik mbi “Rritjen e demokracisë pjesëmarrëse në nivel vendor përmes edukimit dhe inkurajimit të përfshirjes të të rinjve në qeverisjen vendore”

EMASot më 17 Mars 2011, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në kuadër të projektit “Rritja e demokracisë pjesëmarrëse në nivel vendor përmes edukimit të të rinjve dhe përfshirjes së tyre në qeverisjen vendore” organizoi në universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”të parin leksion në serinë e leksioneve publike. I ftuar special në këtë aktivitet ishte Shkëlqesia e Tij Z. Henk G. C. van den DOOL, Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri. Të pranishëm në këtë leksion ishin studentë, stafi akademik i Universitetit të Vlorës, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe media lokale.

Leksioni u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMAs, i cili bëri një prezantim të shkurtër të kësaj iniciative, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Sipas tij kjo iniciativë synon të nxisë dhe mbështesë përfshirjen e të rinjve në vendim-marrjen lokale, përmes edukimit qytetar mbi rolin dhe rëndësinë që institucionet e qeverisjes vendore luajnë në jetën tonë të përditshme. Ndaj në funksion të këtij qëllimi, EMA është duke ndërmerr një seri leksionesh publike në disa nga qytetet universitare të Shqipërisë për të rritur informim dhe ndërgjegjësimin e studentëve mbi rëndësinë e angazhimit të tyre në vendim marrjen lokale si një ndër themelet kryesorë të demokracisë funksionale.

Zv. Rektori i Universitetit  “Ismail Qemali” Vlorë, Z. Vladimir Kasemi, gjatë fjalës së tij theksoi rolin dhe rëndësinë që institucionet e arsimit të lartë luajnë në edukimin dhe nxitjen e studentëve për të qenë qytetarë aktivë. Bashkëpunimi me aktorë të tjerë të tillë si shoqëria civile dhe media do të rrisin efiçencën e punës edukuese të universitetit duke forcuar kështu rolin e tij. Ndaj në këtë kontekst, Z. Kasemi përshëndeti organizmin e këtij leksioni dhe inkurajoi ndërmarrjen e sa më shumë nismave të këtij lloji.

“Nevoja për një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në jetën publike si garanci për funksionimin e demokracisë “ ishte tema e fjalimit të mbajtur nga Ambasadori Van den DOOL. Gjatë fjalës së tij Ambasadori nënvizoi se “tranzicioni” nuk mund të vazhdojë të jetë më një justifikim për mënyrën sesi demokracia shqiptare po operon, gjë e cila po shndërrohet në një rrezik potencial për perspektiven europiane të vendit. Duke rikujtuar se jemi në prag të zgjedhjeve vendore, Z. Van del Dool shpjegoi se procesi  elektoral në thelb është një shprehje teknike e dëshirës së përbashkët të  votuesve dhe politikanëve për të pasur zgjedhje “të lira dhe të ndershme”. Ndaj në këtë kontekst, disa karakteristika që mbizotërojnë në kulturën politike, e cila duket se favorizon retorikën politike në kurriz të bërjes së politikave duke i lënë votuesit pa asnjë alternative për të zgjedhur, duhen rimodeluar. Kjo për faktin se një kulturë e tillë nuk favorizon pjesëmarrjen por përkundrazi, i dekurajon votuesit e sidomos të rinjtë të përfshihen në vendim marrje. “T’í kthejmë kurrizin politikës nuk nënkupton se do të bëhet me mire” : ishin fjalët me të cilat Ambasadori iu drejtua studentëve. Marrëdhënia elektorat – të zgjedhur është një formë “kontrate” e cila nënkupton ndarjen e përgjegjësive për ti bërë gjërat më mirë.

Në fund, takimi u ndoq nga një debat mes të pranishmëve, ku studentët i adresuar një sërë pyetjesh Ambasadorit që kishin të bënin më demokracinë dhe format e ndikimit të saj.