Trajnim në kuadër të fushatës së informimit të komunitetit rom në Shqipëri
Të enjten, datë 24 shkurt 2011, në ambientet e sallës së trajnimeve të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri (OSFA), Lëvizja Europiane në Shqipëri zhvilloi një trajnim me përfaqësues të shoqatave që punojnë me komunitetin rom në Shqipëri si dhe vullnetarë të PNUD-Bashkia Tiranë, të angazhuar po me këtë komunitet.Aktiviteti u mbajt në kuadër të projektit “Procesi i Liberalizimit të Vizave me Shqipërinë: Si ta kthejmë në një histori suksesi?”, mbështetur nga OSFA, i cili synon në mënyrë të veçantë të informojë qytetarët që banojnë në zona të izoluara gjeografikisht apo më pak të zhvilluara ekonomikisht në lidhje me përfitimet dhe kushtet që burojnë nga liberalizimi i vizave me hapësirën Shengen.
Në trajnim u diskutuan ecuria e procesit, rëndësia e informimit të saktë të të gjithë qytetarëve si dhe kushtet e lëvizjes pa viza në zonën Shengen dhe mundësitë për studentët e biznesmenët. Gjithashtu, u ndanë materialet informative (broshura dhe fletëpalosje shqip dhe romisht) si dhe u përcaktuan zonat ku do të shpërndahen këto materiale. Me bashkëpunimin e stafit të organizatave Amaro Dives, Amaro-Drom, Gruaja Rome, Roma Active Albania, Terre des Homes dhe projektit UNDP-EVLC në Shqipëri do të realizohet shpërndarja në disa prej zonave ku është i përqendruar komuniteti rom si: Baltëz, Berat, Durrës, Korçë, Levan, Lezhë, Llakatund, Novoselë, Pogradec dhe Tiranë.



