Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri: Leksione mbi Integrimin Europian për Akademinë e OJF-ve nga EMA

Në kuadër të projektit të Qendrës Burimore Kombëtare për Shoqërinë Civile në Shqipëri, të implementuar nga Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, EMA dhe ekspertët e saj po kontribuojnë me leksione mbi integrimin në BE dhe rolin e Shoqërisë Civile për çdo vit akademik të Akademisë së Organizatave Jo-Fitimprurëse. Në këtë drejtim EMA deri tani, që nga 2019 ka mbajtur  nga një sesion për çdo vit të Akademisë:

Sesioni për Akademinë e OJF-ve 2025 – sesioni u zhvillua në mjediset e Partners Albania më 27 mars 2025. Ai u fokusua te zhvillimet në Bashkimin Europian dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë, me theks të veçantë në hapjen e negociatave të anëtarësimit. Sesioni u mbajt nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA-s, dhe Nirvana Deliu, Drejtore Projekti te EMA.

Temat kryesore të trajtuara:

  • Institucionet kryesore, funksionet dhe fazat e njëpasnjëshme të zgjerimit të Bashkimit Europian.

  • Zhvillimi i marrëdhënieve Shqipëri–BE, me fokus në vitin 2022 si viti i hapjes zyrtare të negociatave dhe zhvillimit të Konferencës së parë Ndërqeveritare, procesin e shqyrtimit (screening) dhe hapjen e grupkapitujve (piketat e ndërmjetme dhe përmbyllëse).

  • Procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, përfshirë krahasimin e Shqipërisë me vendet e tjera të rajonit dhe një përshkrimi i Metodologjisë së re të Zgjerimit të BE-së, duke theksuar risitë dhe përfitimet që ajo sjell për vendet kandidate dhe vetë procesin e anëtarësimit.

  • Strukturat negociuese të Shqipërisë, zhvillimi i tyre që nga viti 2019 dhe procesi i hapjes së grupkapitjve dhe dokumentet kyçe si Raportet  Screening, Udhërrëfyesit, Pozicioni i Përbashkët dhe EBAR-et.

  • Roli i organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në procesin e anëtarësimit, përfshirë mekanizmat e përfshirjes dhe monitorimit, me fokus të veçantë te Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian, Tryezat e Diskutimit dhe Konsultimit për negociatat, Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian dhe Komiteti Konsultativ i Përbashkët BE–Shqipëri në kuadër EESC.

  • Mbështetja financiare e BE-së për Ballkanin Perëndimor, me fokus IPA III, Plani Ekonomik dhe i Investimeve, Plani i Rritjes.

Sesioni për Akademinë e OJF-ve 2024 – Ky sesion u zhvillua në mjediset e Partners Albania më 22 shkurt 2024. Tema e leksionit ishte Bashkimi Europian dhe procesi i integrimit në BE për Shqipërinë, me një fokus të veçantë ndaj procesit të negociatave. Leksioni u mbajt nga Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i EMA dhe Nirvana Deliu, Hulumtuese pranë EMA. Tematikat e përfshira në leksion janë:
1. historiku i krijimit të Bashkimit Europian, zhvillimet pas Luftës së Dytë Botërore, institucionet e BE dhe roli i tyre, dhe fazat e zgjerimit të BE;
2. historiku i marrëdhënieve Shqipëri -BE, duke i kushtuar vëmendje sidomos zhvillimeve pas vitit 2022, vit ku u hapën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin me zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare;
3. procesi i zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor – analizë krahasuese mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të BP; Metodologjia e Re e Zgjerimit – risitë që sjell, avantazhet për vendet kandidate por dhe për procesin e zgjerimit duke e bërë më dinamik, më politik, më gjithëpërfshirës dhe të besueshëm;
4. hyrje mbi strukturën negociuese të Shqipërisë dhe zhvillimet e saj që nga 2019 – Grupi Negociator, Kryenegociatori/Ministër Shteti dhe Grupet Ndër-Institucionale të Punës për Integrimin Europian (GNPIE);
5. roli i OSHC-ve në proces dhe mënyrat si mund të përfshihen dhe të monitorojnë procesin duke u prezantuar strukturat kryesore konsultuese të ngritura në Shqipëri me fokus integrimin europian si Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian dhe Tryezat Diskutuese dhe Këshilluese mbi procesin e negociatave për secilin kapitull (sfidat dhe progresi që është bërë për funksionimin e saj);
6. Mbështetja financiare e BE ndaj Ballkanit Perëndimor me disa instrumente financiare si IPA (IPA II dhe IPA III), Plani Ekonomik dhe i Investimeve dhe Plani i Ri i Rritjes dhe Instrumenti për Rritjen dhe Reformat i prezantuar nga ky plan.

Sesioni për Akademinë e OJF-ve 2023 – zhvilluar më 17 mars 2023 në formatin fizik në mjediset e organizatës Partnerët Shqipëri. Tema e leksionit u fokusua  mbi Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe roli i OJF-ve në këtë proces, mbajtur nga Gledis Gjipali dhe  Nirvana Deliu. Temat kryesore ku u fokusua leksioni ishin procesi i negociatave me BE, struktura negociatore si dhe progresi që ka bërë Shqipëria sa ipërket procesit screening pas hapjes zyrtare të negociatave më 19 korrik 2022. Tema të tjera të përfshira dhe diskutuara ishin: MSA dhe Kriteret e Kopenhagen, Metodologjia e re e Zgjerimit, IPA dhe Plani Ekonomik dhe i Investimeve, Fazat e negociatave dhe struktura negociuese, përfshirja e OSHCs në proces me vëmendje të veçantë nga Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian.

Sesioni për Akademinë e OJF-ve 2022 – organizuar online më 09 mars 2022. Tema e leksionit u fokusua  mbi Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe roli i OJF-ve në këtë proces, mbajtur nga Gledis Gjipali dhe  Nirvana Deliu. Momentet kyçe të procesit të integrimit të vendit në BE; sfidat kryesore të Shqipërisë në këtë proces; fondet e BE për vendet aspiruese si dhe roli i OSHC-ve në procesin e integrimit me fokus të veçantë ngritja dhe zhvillimi i tryezave të diskutimit dhe këshillimit të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian  ishin disa nga çështjet e trajtuara gjatë këtij sesioni.

Sesioni për Akademinë e OJF-ve 2021 – organizuar online më 12 mars 2021 për shkak të masave kundër përhapjes së Covid-19 që vazhdojnë në Shqipëri që nga marsi i vitit të kaluar. Tema e leksionit kishte në fokus zhvillimet në Bashkimin Europian dhe integrimi i Shqipërisë në BE. Ligjërues të këtij sesioni ishin Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i EMA dhe Nirvana Deliu, hulumtuese politikash pranë EMA. Çështjet e diskutuara përfshinë: -historikun e marrëdhënieve BE-Shqipëri, me fokus vitin 2020 ku Këshilli miratoi hapjen e negociatave me BE-në; – zonën Shengen dhe elementet e rinj të prezantuar për të rritur sigurinë e lëvizjes së lirë si ETIAS, Mekanizmi i Pezullimit të Liberalizimit të Vizave ashtu dhe kontrolli i përkohshëm i kufijve të brendshëm të BE; – procesi i zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor – krahasimi i procesit mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit; –  Metodologjinë e re e Zgjerimit të BE – risitë e prezantuara dhe avantazhet që ajo sjellë për vendet kandidate por edhe për procesin për ta bërë më dinamik, më politik, më gjithëpërfshirës dhe më të besueshëm; – prezantim i Strukturave negociouese të ngritura në Shqipëri duke i kushtuar vëmendje Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Tryezave të Diskutimit dhe Këshillimit dhe si mund të përfshihet shoqëria civile.

Sesioni për Akademinë e OJF-ve 2020 – organizuar online më 19 mars 2020 për shkak të masave Covid-19 që po zbatohen në vend që nga 8 marsi 2020. Tema e leksionit ishte: “Integrimi në BE dhe roli i OSHC-ve në këtë proces” dhe u ligjërua nga z. Gledis Gjipali, ekspert në çështjet e integrimit europian njëkohësisht drejtor ekzekutiv i EMA. Temat e këtij sesioni të ndjekur nga 20 pjesëmarrës përfshinin:

1. Momentet kryesore të procesit të integrimit në BE të vendit
2. Sfidat kryesore të Shqipërisë në këtë proces
3. Procesi i liberalizimit të vizave
4. Programet e financimit të BE për vendet aspiruese si edhe pritshmëritë ndaj IPA III
5. Roli i OSHC-ve në procesin e integrimit në BE, etj.

Leksioni për akademinë e OJF-ve 2019 –u organizua më 8 maj 2019 me temën: “Roli dhe kontributi i aktorëve të Shoqërisë Civile mbi integrimin e Shqipërisë në BE.”  Lektorë të këtij sesioni ishin z. Gledis Gjipali dhe znj. Mona Xhexhaj, ekspertë të integrimit në BE nga EMA.

Gjatë këtij sesioni u diskutuan këto tema:
1. Pikat kryesore të procesit të integrimit në BE të vendit.
2. Sfidat kryesore të Shqipërisë, fokusuar në 5 prioritetet e caktuara nga Komisioni Europian
3. Procesi i liberalizimit të vizave në Shqipëri – standardet e kërkuara për të arritur liberalizimin e vizave si edhe zhvillimet kryesore në këtë fushë përgjatë viteve të fundit, si: Sistemi Europian i Informimit dhe Autorizimit; ose Mekanizmi I Pezullimit të Liberalizimit të Vizave.
4. Fondet e BE për vendet aspiruese: Fondet IPA: si ky instrument është përditësuar dhe ndryshuar gjatë këtyre viteve dhe cilat janë mundësitë që i ofron sektorit të Shoqërisë Civile. Fokusi kryesor u vendos në programet e IPA-s ku Shoqëria Civile dhe Organizatat Jo-qeveritare mund të përfshihen, të tilla si: Instrumenti Mbështetës i IPA-s për OSHC ose Programet Ndër-Kufitare, etj.
5. Roli i Shoqërisë Civile në procesin e integrimit drejt BE, duke nënvizuar strukturat e krijuara gjatë procesit për hapjen e negociatave, përfshirë këtu Platformën e Partneritetit dhe krijimin e Grupeve negociatore për çdo kapitull të acquis të BE.
6. Roli i medias në informimin objektivisht dhe analizimin e këtij procesi duke kushtuar vëmendje pengesave, kosto-përfitimeve për qytetarët si edhe grupeve të interesit përgjatë procesit të integrimit në BE.
Më shume se 30 pjesëmarrës nga Organizata të shoqërisë civile brenda dhe jashtë vendit morën pjesë në këtë sesion.