Udhëzues për Përfshirjen e Aktorëve joshtetërorë në Procese vendimmarrëse për Mbrojtjen e Konsumatorit, tetor 2025
Ky udhëzues është përgatitur me synimin për të ndihmuar aktorët joshtetërorë (organizatat e shoqërisë civile, akademinë, biznesin, sindikatat dhe grupet e interesit) që të kuptojnë më mirë strukturën e sistemit të mbrojtjes së konsumatorit dhe mënyrat konkrete se si mund të përfshihen në proceset vendimmarrëse publike. Ky dokument synon të shërbejë si një mjet praktik dhe një referencë gjithëpërfshirëse për të lehtësuar pjesëmarrjen aktive të aktorëve jashtë administratës publike në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave për mbrojtjen e konsumatorit.
Struktura e udhëzuesit është ndërtuar në shtatë seksione të ndërlidhur që ndjekin një logjikë progresive, duke filluar me trajtimin e konceptit të konsumatorit, zhvillimin e këtij nocioni në kuadrin ligjor, ekonomik, sociologjik dhe etik, si dhe konceptin modern të “konsumatorit digjital” dhe “konsumatorit vulnerabël” deri te paraqitja e kuadrit ligjor europian mbi mbrojtjen e konsumatorëve, duke analizuar direktivat dhe rregulloret më të fundit të BE-së dhe risitë që ato sjellin. Në seksionet pasuese, ofrohet një pasqyrë e legjislacionit shqiptar në këtë fushë, duke theksuar procesin e harmonizimit me normat e BE-së dhe identifikimin e boshllëqeve që kërkojnë përditësim, dhe politikat publike që orientojnë zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së konsumatorit, përfshirë strategjitë ndërsektoriale dhe kombëtare, si Strategjia për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2024–2030.
Më tej, shpjegohet kuadri institucional shqiptar, duke ndarë qartë kompetencat midis institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe ndërmjet strukturave përgjegjëse për produktet ushqimore dhe joushqimore, si dhe përshkruhen procedurat e zgjidhjes së ankesave nga konsumatorët, hapat që duhet të ndiqen nga paraqitja e ankesës deri te vendimmarrja e institucioneve përgjegjëse, si dhe rolin e organizatave të shoqërisë civile në ndërmjetësim. Sesioni i fundit i kushtohet përfshirjes së aktorëve joshtetërorë në proceset vendimmarrëse, duke sqaruar mekanizmat e konsultimeve publike, platformat e pjesëmarrjes, rolin e grupeve të interesit dhe mënyrën se si mund të kontribuojnë në formulimin e politikave dhe legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit.
Në tërësi, udhëzuesi kombinon aspektet teorike, ligjore dhe praktike për të ofruar një kuptim të plotë mbi funksionimin e sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile. Ai synon të nxisë një kulturë të re pjesëmarrjeje, ku konsumatori shihet si qytetar aktiv dhe partner në qeverisje, dhe jo vetëm si përfitues pasiv i shërbimeve.
**Ky udhëzues është prodhuar në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).



