Dokument Politikash – Shndërrimi i transparencës në kontroll: Mësime nga Ligji për OJF-të në Sllovaki – studim rasti nga Sllovakia, shkurt 2026
Ky punim, i përgatitur nga autori Michal Piško, Drejtor i Kapitullit për Anti-Korrupsion në organizatën Transparency International në Sllovaki, për Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), shqyrton zhvillimet dhe implikimet e Ligjit sllovak për OJF-të të vitit 2025, i kritikuar gjerësisht si një “ligj rus” për shkak të ndikimit të tij kufizues ndaj organizatave të shoqërisë civile. Punimi analizon: i) kontekstin historik dhe politik pas rritjes së armiqësisë ndaj OJF-ve në Sllovaki; ii) aspektet ligjore dhe institucionale të legjislacionit të miratuar, përfshirë detyrimet për raportimin e donatorëve dhe zgjerimin e rregullave për të drejtën e informimit ndaj OJF-ve; dhe iii) shqetësimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të ngritura nga ligji, veçanërisht lidhur me lirinë e asociimit, privatësinë dhe barrat administrative joproporcionale.
Duke qenë se Shqipëria së fundmi ka miratuar Ligjin për Sponsorizimin, ky punim synon gjithashtu të shërbejë për nxjerrjen e mësimeve, duke identifikuar si praktikat e mira, ashtu edhe ato problematike nga përvoja sllovake. Ai synon të informojë organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë relevantë, në mënyrë që ata të jenë më të përgatitur për të monitoruar procesin e zbatimit dhe për të siguruar pjesëmarrje kuptimplotë, duke angazhuar njëkohësisht institucionet publike dhe grupet e tjera të interesit, me qëllim që ligji të mos kthehet në një instrument kufizues apo të mos krijojë barrë të tepërt administrative, si dhe për të ruajtur dhe forcuar mjedisin mundësues për organizatat e shoqërisë civile.
Punimi arrin në përfundimin se rasti sllovak demonstron se si narrativat mbi transparencën mund të përdoren për të stigmatizuar dhe kufizuar shoqërinë civile, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e institucioneve të pavarura në mbrojtjen e lirive demokratike.
Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



