Dokument Politikash – Orientimi i politikave të të miturve drejt një mekanizmi europian dhe parashtrimi i drejtësisë pozitive si një model i ri i drejtësisë sociale, janar 2025
Ky dokument politikash, i shkruar nga Dr. Marsida Grami dhe MSc. Anxhela Kenaj, shpjegon dhe demonstron reformimin e sistemit të drejtësisë për të mitur në Shqipëri, duke e afruar atë me Direktivën e Bashkimit Europian për Politikat e Fëmijëve e vitit 2021 dhe Strategjinë e BE-së për të Drejtat e Fëmijëve 2022-2027. Fokusi i këtij dokumenti është të japë, së pari, një pasqyrë të ligjeve aktuale në Kodin e Drejtësisë Penale për të mitur dhe Ligjin për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe kuadrin ligjor në Shqipëri. Për të shpjeguar kuptimin e këtyre reformave, autoret theksojnë aspektin socio-ekonomik dhe psikologjik të të miturve që kryejnë krime, duke theksuar se ata shpesh janë të ndikuar nga mjedisi i tyre me kushte të pasigurta, dhe përfaqësojnë grupe të margjinalizuara. Këto vlerësime janë të rëndësishme për të kuptuar shkaqet dhe modelet që i çojnë të miturit të hyjnë në kontakt me ligjin dhe si të ndërmerren masa parandaluese efektive. Kjo përfshin veçanërisht aktet e masave parandaluese dhe rregulloreve për të mbrojtur fëmijët, siç kërkohet në Aktin e të Drejtave të Njeriut. Më pas, dokumenti thellohet në ndryshimin nga një sistem retributiv në një sistem të drejtësisë restauruese, duke u përpjekur të ofrojë statistika dhe prova mbi efektivitetin e këtij modeli të ri dhe gjithëpërfshirës. Fokusi mbetet në riintegrimin dhe ndryshimin e narrativës nga izolimi i krimit, në te vështruarit të tij në një kuptim më të gjerë dhe vendosjen e dhimbjes së viktimës në qendër të problemit. Kështu, nëse të dy palët janë dakord, viktima dhe autori mund të kenë një dialog nën mbikëqyrjen e një palë të tretë të paanshme, e njohur si facilitator. Qasja e komunikimit të drejtpërdrejtë mundëson trajtim të sinqertë, transparent dhe terapeutik, duke i dhënë viktimës mundësinë të shprehë dhimbjen e tij, dhe autorit mundësinë të kuptojë fajin e tij, ku përmes empatisë, mund të parandalojë një rast tjetër krimi.
Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).