Dokument Politikash: Procesi i konsultimit në Shqipëri në kuadër të integrimit europian – roli i shoqërisë civile, qershor 2022
Vitet 2020 dhe 2021 ishin vite të vështira për sektorin e shoqërisë civile, ashtu siç ishin edhe për të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë dhe shoqërisë, për shkak të pasojave dhe kufizimeve të pandemisë Covid-19. Mirëpo edhe nën këto kufizime, qoftë fizike apo financiare, ky sektor bëri të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përmbushur funksionet e tij dhe ka qenë i angazhuar në veprimtari me ndikim të prekshëm e të targetuar për të mbështetur grupet që u prekën më shumë nga pandemia. Gjatë kësaj periudhe pati zhvillime ku një ligj i ri për Regjistrimin e OJF-ve u miratua edhe pse ende nuk po zbatohet. Ky dokument politikash sjell një pasqyrë të procesit të konsultimit publik në Shqipëri me fokus përfshirjen e shoqërisë civile në këtë proces.
Ndër të tjera analizon se si është ndjekur procesi i konsultimit dhe miratimit për ligjin e Regjistrimit të OJF-ve, një ligj jo pak i komentuar nga ana e aktorëve që preken drejtpërdrejt prej tij.
Element i rëndësishëm është dhe përfshkrimi që i bëhet disa prej strukturave kryesore të konsultimit të ngritura në Shqipëri, duke i kushtuar vëmendje të veçantë strukturave të lidhura mepërfshirjen e shoqërisë civile në procesin e negociatave.
Vlerë e shtuar e këtij dokumenti politikash është nxjerrja e disa rekomandimeve për aktorët e shoqërisë civile, institucioneve shtetërore dhe atyre të Bashkimit Europian për të siguruar një proces konsultimi dhe përfshirjeje kuptimplotë dhe të frytshëm.
Ky studim u përgatit nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në kuadër të projektit “Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Dokument Politikash: Procesi i konsultimit në Shqipëri në kuadër të integrimit europian – roli i shoqërisë civile