Forum Diskutimi – Hapja e Grupkapitullit 1 – Themeloret: Përshpejtim apo thellim reformash? 27 dhjetor 2024

Më datë 27 dhjetor 2024, Lëvizja Europiane në Shqipëri mbajti forumin e radhës të diskutimit, që u përqendrua te zhvillimet e deritanishme të Shqipërisë në procesin e negociatave për integrimin në BE, me fokus kryesor hapjen e Grupkapitullit 1 – Themeloret, si dhe implikimet që do të sjelli në vazhdimësinë e reformave për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. Fokus tjetër i forumit ishte gjithashtu prezantimi i udhëzuesit për monitorimin e dokumenteve strategjikë, konkretisht të Strategjisë së re Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, si mjet për matjen dhe vlerësimin e proceseve integruese, si dhe përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile në faza monitorimi të këtyre dokumenteve.

Dr. Gentjan Skara, Lektor dhe Ekspert, hapi fjalën e tij duke vënë në dukje rëndësinë dhe urgjencën e përshpejtimit dhe thellimit të reformave në kuadër të Kapitullit 23, të cilat janë thelbësore për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Ai nënvizoi se raporti i Komisionit Europian për vitin 2024 e vlerëson nivelin e përgatitjes së Shqipërisë në këtë fushë si mesatar, duke njohur progresin e arritur deri më tani, por gjithashtu duke theksuar se ende ka shumë punë për të bërë për të arritur standardet e kërkuara nga BE. Skara e konsideroi vazhdimin e forcimit të sistemit të drejtësisë si thelbësore, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie, ndërkohë që theksoi se paanshmëria e gjykatave të shkallës së parë mbetet një shqetësim domethënës për cilësinë e administratës së drejtësisë. Ai e ndau shqetësimin lidhur me vonesat e theksuara në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore, të cilat, siç argumentoi, krijojnë pasiguri dhe mund të ulin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Dr. Elda Zotaj, Lektore dhe Eksperte e Studimeve Europiane, në fjalën e saj vlerësoi masat dhe aktivitetet e parashikuara në Strategjinë e re Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, e cila shënon strategjinë e tretë të miratur të këtij lloji. Sipas raportit të Komisionit Europian 2024, zbatimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025 ka ende nevojë për përmirësim, pasi shkalla e zbatimit dhe kapacitetiti i institucioneve gjyqësore përgjegjëse për të raportuar mbeten të ulëta. Zotaj theksoi se zbatimi i masave apo aktiviteteve të lëna pezull nga strategjia e mëparshme duhen të adresohen në këtë strategji dhe të shërbejnë si reflektim mbi boshllëqet e vrojtuara gjatë zbatimit të kësaj strategjie. Dukeqenëse kjo është faza e tretë e zbatimit të kësaj strategjie synohet që të përfundohen reformat madhore të ndërmarra dhe të konsolidohet më tej kuadri ligjor e institucional i sistemit të drejtësisë, si dhe të pakësohet dhe eliminohen çështjet gjyqësore të mbetura stok të njohura si backlog. Zotaj nënvizoi se konsultimet publike gjithashtu ndihmuan në rregullimin e kësaj strategjie dhe adresimi i tyre në të është i pashmangshëm, përsa kohë ato diktohen dhe nga BE-ja.

Assoc.Prof. Dr. Bojana Hajdini, Lektore dhe Eksperte, prezantoi udhërrëfyesin për monitorimin e dokumenteve strategjikë duke sjellë në vëmendje shembuj nga Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024-2030. Ky udhërrëfyes do të shërbejë për drejtim të mëtejshëm të OSHC-ve, ekspertëve, studiuesve, përfaqësuesve të medias dhe si një mjet për të analizuar në këtë rast çështje të një rëndësie të madhe që përfshin procesin e integrimit; procesin e miratimit dhe zbatimit të reformave në këtë kontekst; progresin në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga institucionet kombëtare dhe të BE-së, kryesisht duke analizuar mangësitë dhe sfidat kryesore në kornizën legjislative dhe institucionale; si dhe monitorimin në funksionimin e strukturave negociuese apo dokumenteve strategjike si në rastin në fjalë. Hajdini sqaroi më tej se ky udhëzues ofron një metodologji të detajuar për hartimin, kuptimin dhe monitorimin e dokumenteve strategjikë, duke shpjeguar rëndësinë dhe përmbajtjen e tyre. Në udhëzues, për çdo seksion të strategjisë, janë të përfshira disa pyetje kontrolli për vlerësimin e tij, të cilat iu diktojnë aktorëve të interesuar mënyrën e monitorimit edhe për strategji të tjera jo të ndërlidhura me Kapitullin 23. Në përfundim, Hajdini ritheksoi se përfshirja e shoqërisë civile në të tilla procese i shërben avancimit të procesit të anëtarësimit të vendit.

Diskutimet e pjesëmarrësve gjatë këtij takimi ishin thelbësore dhe të thelluara, duke u përqendruar kryesisht në mënyrat se si mund të angazhohen konkretisht në monitorimin e dokumenteve strategjikë dhe në procesin e vlerësimit të këtyre dokumenteve. Ata diskutuan për rëndësinë e një metodologjie të qartë dhe të strukturuar për ndjekjen e këtij procesi, duke sugjeruar që metodat e përdorura për monitorimin duhet të jenë transparente dhe të lehtë për t’u zbatuar në mënyrë që të sigurohet efikasiteti i procesit.

*Ky forum diskutimi zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).