Forum Diskutimi në Elbasan: RAT-Sfidat dhe rekomandimet për zbatimin

Pas aktivitetit të parë informues të zhvilluar nga EMA mbi zbatimin dhe sfidat e RAT dhe rolin e bashkive të reja, kapacitetet e nevojshme për zbatimin e kësaj reforme dhe përfshirjen e qytetarëve me anë të informimit, aktiviteti i dytë në Elbasan solli prodhimin e një sërë rekomandimesh ndaj politikave lokale dhe masave për zbatimin e tyre. Këto rekomandime dhe sugjerime synojnë zhvillimin e politikave të duhura dhe efektive me fokus  të veçantë mbi legjislacionin dhe risitë e sfidat që sjell Reforma, si dhe mbi forcimin e partneritetit mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe zyrtarëve lokalë.

Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, sqaroi qëllimin e këtij aktiviteti, si vazhdimësi e aktivitetit informues realizuar në Elbasan disa javë më parë. Forumi i diskutimit ka si qëllim jo vetëm të informojë mbi risitë, sfidat dhe problematikat e kësaj Reforme duke u fokusuar në një rast specifik si qyteti i Elbasanit, por edhe të ofrojë mundësi dhe hapësira për grupet e interesit, ekspertët dhe qytetarët të shprehin sugjerimet dhe rekomandimet e tyre në lidhje me përmirësimin dhe zbatimin sa më efektiv të Reformës Administrativo-Territoriale. Z. Gjipali nga ana tjetër bëri një prezantim të punës së realizuar nga EMA deri më tani, ku prezantoi në detaje edhe Manualin Informues mbi RAT, si një mjet i mirë për të marrë një informacion të përgjithshëm mbi këtë reformë dhe risitë që ajo sjell. Një element me rëndësi në këtë publikim është mbi të gjitha vendosja e disa rekomandimeve jo vetëm për aktorët e qeverisjes lokale, por edhe për aktorë të tjerë të rëndësishëm si pushteti qendror por edhe vetë qytetarët. Këto rekomandime synojnë nxitjen e debatit, rritjen e llogaridhënies dhe angazhimin e qytetarëve në jetën publike dhe në komunitet.

Majlinda Peza, zv. Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, në Universitetin e Elbasanit si dhe anëtare e Këshillit Bashkiak në Elbasan, e cilësoi projektin e kësaj Reforme e më pas vetë reformën si një nga më të anatemuarat në vitet e fundit. Një nga avantazhet dhe risitë pozitive që RAT solli, sipas znj. Peza ishte rritja e efikasitetit të bashkive dhe rritjes së transparencës së tyre në procesin e vendimmarrjes. Elbasani, sipas saj është një rast interesant pasi është cilësuar dhe si qytet pilot ku po zbatohet dhe ideja e llogaridhënies sociale Sipas saj, qytetarët po ndërgjegjësohen të jenë aktivë dhe të përfshihen në procese të rëndësishme të nivelit lokal që ndikojnë drejtpërdrejtë ne aktivitetin e tyre të përditshëm. Një risi e kësaj reforme për znj. Peza është dhe buxhetimi me pjesëmarrje.

Asim Sula, Koordinator Rajonal i Qarkut Elbasan për RAT, e cilësoi këtë reformë si një domosdoshmëri, pasi sipas tij ish-komunat, me shumë se 50% e tyre nuk ofronin shërbime efikase dhe nuk mundësonin zhvillim të mëtejshëm. RAT nga ana tjetër ka sjellë një rritje të performancës së njësive administrative, ka rritur demokracinë lokale dhe ndarja është bërë duke u bazuar në ndryshimet demografike të ndodhura në vendin tonë, si dhe bazuar në lidhje të tjera gjeografike, historike apo kulturore mes komuniteteve. Sa i përket pritshmërive ndaj RAT ato lidhe me disa çështje si: rritja e kapaciteteve, zhvillimi i demokracisë direkte, i forcimit të strukturave të komuniteti, përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e aksesit të qytetarëve dhe burimeve financiare. Nga ana tjetër RAT po përballet dhe me sfida të ndryshme si: sa efikas do të jetë i gjithë procesi dhe sa kohë do të duhet që të zbatohet plotësisht. Mbetet i nevojshëm rritja e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore, dhe mundësia për të realizuar të gjitha shërbimet që sot i janë dhënë në përgjegjësi autoriteteve lokale.

Shefqet Bullari, Drejtor i Koordinimit me Njësitë Administrative nga Bashkia e Elbasanit, në fjalën e tij si fillim argumentoi pse RAT ishte i nevojshëm duke sjellë disa problematika të hasura si: -mungesa e kontrollit, stafi i pakualifikuar, -kapacitete të ulëta fiskale, -mungesë e planit urbanistik dhe -pabarazi të dukshme mes bashkive dhe komunave, -si dhe mungesa e teknologjisë së informimit. Sipas tij, kjo Reformë do të sjellë qeverisjen më afër qytetarit duke e përmirësuar atë dhe duke rritur kontrollin dhe ndikimin e opinionit publik në këtë proces. Kështu RAT ka sjellë disa përmirësime në punën e përditshme të njësive administrative ku dhe përgjegjësitë për to janë rritur duke përfshirë dhe shërbime të reja: si pyjet e kullotat, arsimimi parashkollor, shërbimi zjarrfikës, emergjencat civile etj., ndërkohë që pritet një rritje dhe në autonomi e këtij pushteti. Sa i përket rastit të Elbasanit, z. Bullari pasqyroi disa nga punët e bëra deri tani duke përfshirë rritjen e kapaciteteve njerëzore, absorbimin fondeve nga grante të huaja, Bashkimi Europian dhe të tjera, rritja e alokimit të të ardhurave dhe pse nuk ka rritje të taksave, krijimi i zyrave të menaxhimit të tokave, si dhe zyrave me një ndalesë, dhe pse konsolidimi i tyre nuk është bërë ende.