Forumi: Përtej statusit kandidat – qasja drejt anëtarësimit
Më 16 nëntor 2012, EMA në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert (FES) organizoi forumin me temë “Përtej statusit kandidat – qasja drejt anëtarësimit”. Të ftuar nderi në këtë aktivitet ishin: Z. Edmond Panariti, Ministër i Punëve të Jashtme, Z. Fatos Beja, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe Z. Ditmir Bushati, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian.
Aktiviteti u hap me fjlën përshëndetëse të Z. Frank Hantke, Drejtor i Fondacionit Friedrich Ebert për Shqipërinë. Pasi falenderoi pjesëmarrësit dhe përshëndeti punën e bërë nga EMA, Z. Hantke u ndal në situatën aktuale të Shqipërisë duke e cilësuar këtë një moment vendimtar, i cili nuk i përket vetëm politikanëve, por gjithë popullit shqiptar. Sipas tij, problematika e kësaj situate është diferenca e madhe midis asaj çka shkruhet në letra dhe realitetit. Pengesa kryesore, dhe që kërkon mjaft mund për tu kapërcyer, mbetet implementimi. Z. Hantke, gjithashtu, komentoi mbi pozicionimin e diplomatëve europianë. Ai tha se BE-ja duhet të bashkohet në një zë për sa i përket rrugës së anëtarësimit. Vendet që aspirojnë të bëhen anëtare nuk duhet të përmbushin kërkesat e Komisionit në mënyre sipërfaqësore.
Më tej, Z. Edmond Panariti, Ministër i Punëve të Jashtme, theksoi rëndësinë e procesit të integrimit europian si një proces unifikues dhe i shumë dëshiruar nga e gjithë klasa politike. Duke iu referuar Raportit të Progresit për vitin 2012, Z. Panariti përmendi arritjet e qeverisë në përmbushjen e 12 prioriteteve duke u ndalur në luftën kundër korrupsionit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe rivendosjen e dialogut politik. Sidoqoftë, ai i bëri thirrje klasës politike për rimarrjen e dialogut dhe votimin e 3 ligjeve të cilat janë të një rëndësie absolute për interesin kombëtar. Nëse klasa politike lë mënjanë interesat personalë, atëherë nuk ka asnjë pengesë në marrjen e këtij statusi. Sipas tij, megjithëse globalizmi dhe kriza kanë shtuar dyshime në suksesin e projektit europian, fakti që 9 shtete presin të bëhen pjesë e tij tregon sukses. BE përfaqëson modelin më unik të bashkëpunimit dhe transformimit. Sukses i cili është konkretizuar në transformimin e Ballkanit Perëndimor.
Z. Fatos Beja, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, komentoi me keqardhje zhvillimet e datës 15 nëntor, ku Parlamenti dështoi të miratonte 3 ligjet parashtruara në opinionin e Komisionit Europian. Ai deklaroi se ngjarje të tilla çojnë drejt humbjes së optimizmit dhe mbylljes së portës nga BE. Më pas, Z. Beja theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 2013 si kryefjala e marrëdhënieve aktuale Shqipëri – BE. Prandaj, ai bëri thirrje për një fushatë rivalizuese brenda një kuptueshmërie pozitive e qëllimi të përbashkët, pa u rikthyer klimës së egër politike.
Z. Ditmir Bushati, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, shtroi çështjen e kalimit të Shqipërisë nga një shoqëri tranzicioni në një shoqëri demokratike. Duke iu referuar komenteve të Komisionit Europian, Z. Bushati nënvizoi se në thellbin e tyre është “shteti i së drejtës”. Ai përshëndeti qasjen e BE-së për rastin e Shqipërisë si mjaft strategjike, për sa i përket ndarjes së statusit kandidat, dhe mjaft dashamirëse, për sa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes direkte të mjaft diplomatëve europianë. Sipas tij, miratimi i 3 ligjeve nuk është një përmbushje standardi. Eliminimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkesë e parashtruar nga shumë shtete anëtare, është përmbushja e standardit. Z. Bushati solli shembujt e Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë si histori suksesi në rrugën e transformimit drejt shtetit të së drejtës.
Në fund, Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMAs, prezantoi gjetjet e punimit “Përtej statusit kandidat – qasja drejt anëtarësimit”. Ai u ndal në procesin e negociatave dhe në elementët e Strategjisë së Zgjerimit, duke i sjellë ato në një gjuhë më të kuptueshme për pjesëmarrësit.
Forumi u ndoq nga një sesion diskutimesh ku pjesëmarrësit u fokusuan mbi situatën aktuale politike në Shqipëri.



