Forumi: Procesi i Integrimit Europian dhe mënyrat e pjesëmarrjes së të rinjve

1359114376-DSCN2357Më 24 Janar 2013, EMA në bashkëpunim me Intelektualët e Rinj, Shpresë (IRSH) Shkodër organoi në ambjentet e Qendrës së Informimit mbi BE furumin me teme “Procesi i Integrimit Europian dhe mënyrat e pjesëmarrjes së të rinjve”. Ky event u zhvillua në kuadër të projektit “Rinia si agjent i forcimit të demokracisë pjesëmarrëse dhe llogaridhënies institucionale në Bashkinë e Shkodrës” mbështetur nga Olof Palme Center dhe SIDA. Të pranishëm në këtë forum ishin studentë, aktivistë dhe përfaqësues të mediave lokale, të cilët pas fjalës së panelistëve u përfshinë në një debat të hapur mbi të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s. Ai argumentoi se përmes përfshirjes më të madhe të publikut, sidomos të të rinjve, në procesin e integrimit europian, procesi bëhet më transparent dhe më i drejtëpërdrejtë.

Z. Clive Rumbold, Shef i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacionit tek  Delegacioni i BE-së në Shqipëri, gjatë fjalës së tij u ndal tek historiku i krijimit të BE-së duke risjellë në vemendje parimet themelore mbi të cilat ajo është ndërtuar, të njohura si kriteret e Kopenhagenit. Vendet aspirante si Shqipëria duhet të ndajnë të njëjtat vlera dhe të krijojnë struktura të cilat mundësojnë përkthimin në praktikë të këtyre vlerave. Demokracia, prosperiteti, respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit janë parimet kryesore të cilat janë gjithashtu të reflekturara në 12 kriteret që Komisioni Europian i ka adresuar Shqipërisë në 2010, në kudër të prespektivës së saj Europiane. Për shkak të keqkuptimeve që rrethojnë procesin e Integrimit Europian të vendit, Z. Rumbold shpjegoi sesi realizohet vendim marrja në BE duke evidentuar dallimin midis Komisionit Europian dhe Këshillit Europian. Në përfundim të fjalës së tij, përfaqësuesi i BE-së pohoi: ”Demokracia funskionon atëher kur politikatët përkthejnë në praktikë vullnetin dhe interesat e qytetarëve prej të cilëve ata votohen”. Ndaj ai inkurajoi të rinjtë të bëhen pjesë e vendim marrjes, sidomos nëpërmjet votimit si forma më elementare për t’i ushtruar presion politikës.

Znj. Lorena Beshello, përfaqësuese e IRSH, gjatë fjalës së saj adresoi hendekun mes të qeverisurve dhe atyre që qeverisin si pasojë e apatisë dhe mungesës së besimit nga të rinjtë. Kjo frymë vjen si pasojë e mungesës së informacionit dhe gatishmërisë së strukturave shtetërore për të qenë sa më të hapur dhe transparentë. Znj. Beshello u bëri thirrje studentëve të jenë më aktivë dhe të fillojnë të kontribuojnë për çka ato vetë do të korrin në një të ardhme.

Në fund, forumi u ndoq nga një debat mes të pranishmëve, ku studentët i adresuan një sërë pyetjesh përfaqësuesit të BE-së.