Grupi i Punës për Kapitullin 23 – Përmirësimi i Klimës së Biznesit: Siguria Juridike, E Drejta e Pronës dhe Perspektiva e Komunitetit të Biznesit në kuadër të Kapitullit 23, 15 qershor 2026
Pas miratimit të IBAR për Kapitujt 23 dhe 24, puna po vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe intensive për përmbushjen e Kritereve Përmbyllëse për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, duke mbajtur në vëmendje ato çështje që mbeten më sfiduese dhe që kërkojnë përfshirje më të gjerë të grupeve të interesit. Në këtë kuadër, takimi i radhës mes Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe Ministrisë së Drejtësisë, i organizuar në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian dhe Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian për Kapitullin 23, bëri bashkë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, komunitetit të biznesit, shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit, me fokus të veçantë në çështjet që lidhen me të drejtën e pronës, efektivitetin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe ndikimin e tyre në klimën e biznesit në Shqipëri.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), në hapje të takimit nënvizoi nevojën që, në kuadër të procesit të integrimit europian, të sigurohet përfshirja e grupeve të ndryshme të interesit, jo vetëm e shoqërisë civile, por edhe e aktorëve të tjerë si komuniteti i biznesit. Këto takime shërbejnë, pikësëpari, për informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre, si për mundësitë e përfshirjes dhe kontributit, ashtu edhe për efektet dhe kostot që lidhen me procesin. Përfshirja dhe dialogu, nga ana tjetër, theksoi ai, mundësojnë identifikimin paraprak të nevojave dhe përmbushjen e kërkesave që lidhen me këtë sektor. Diskutimet, tha Gjipali, tashmë zhvillohen edhe në një nivel teknik, ku takimet në kuadër të PPIE dhe Konventës synojnë një debat cilësor, nga i cili dalin rekomandime konkrete falë kontributit të drejtpërdrejtë të aktorëve jo-shtetërorë. Gjithashtu, ai theksoi se ky proces dialogu dhe komunikimi nuk mbetet vetëm brenda këtyre tryezave, por rezultatet dhe rekomandimet konkrete publikohen dhe u dërgohen institucioneve publike, Kuvendit, Delegacionit të BE-së dhe Komisionit Europian.
Elona Bano, Drejtore e Përgjithshme, ofroi një panoramë të zhvillimeve kryesore në kuadër të Kapitullit 23, duke theksuar se miratimi i IBAR duhet të lexohet si arritja e standardeve minimale të kërkuara, ndërkohë që tani nis faza më sfiduese, ajo e arritjes së rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme. Bano ndau me pjesëmarrësit disa nga arritjet e realizuara në kuadër të Kapitullit 23, si forcimi i pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit përmes përfundimit me sukses të procesit të vetingut, duke nënvizuar se reforma e realizuar në Shqipëri po shërben edhe si model për vende të tjera kandidate, si Ukraina dhe Moldavia. Nga ana tjetër, ajo përmendi edhe sfidat që mbeten në këtë drejtim, duke vlerësuar se ato duhen parë si prioritete ku kërkohet më shumë vëmendje dhe kapacitete, dhe jo si pengesa. Mes tyre përmendi backlog-un e çështjeve gjyqësore, nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e burimeve financiare dhe çështjet që lidhen me të drejtën e pronës. Sa i përket biznesit dhe klimës së të bërit biznes në vend, Bano u shpreh se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet shtetit të së drejtës, efikasitetit të gjyqësorit dhe zhvillimit ekonomik, duke nënvizuar nevojën për më shumë përpjekje në uljen e kohës së nevojshme për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore, veçanërisht në gjykatat e apelit ( ku është llogaritur që për një çështje për tu marrë në shqyrtim mund të shkojë dhe 7 vite pritje), si dhe për harmonizimin me praktikat europiane. Sipas rezultateve të një ankete realizuar nga Banka Botërore, Bano u shpreh që 2 në 5 çështje ofrojnë zgjidhje për qytetarët, ndërkohë që rreth 60% e qytetarëve do e konsideronin pagesenën nën dorë duke nxjerrë në pah që ende qytetarët nuk besojnë në mënyrë të plotë që sistemi i drejtësisë është i paanshëm. Sa i përket të drejtave të njeriut, Bano informoi mbi punën e bërë në kuadër të Kodit Penal, ku parashikohet transpozimi i 37 direktivave të tjera të BE-së, ndërkohë që deri më tani janë përafruar vetëm shtatë prej tyre. Ajo evidentoi gjithashtu zhvillimet dhe sfidat që lidhen me lirinë e shprehjes dhe median, mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtat e komuniteteve dhe pakicave kombëtare, si dhe barazinë gjinore.
E drejta e pronës u analizua në detaje nga Najada Shundi, e cila në fjalën e saj vuri theksin te fakti se garantimi i saj kërkon përpjekje të vazhdueshme institucionale, zhvillim të infrastrukturës dixhitale, si dhe menaxhim dhe koordinim më të mirë, veçanërisht në aspektin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Këto elemente janë pjesë e Kritereve Përmbyllëse për Kapitullin 23, por edhe e Axhendës Kombëtare të Reformave në kuadër të Planit të Rritjes. Shundi prezantoi të dhëna mbi procesin e regjistrimit fillestar dhe dixhitalizimit të pronave, duke bërë të ditur se gjatë periudhës 2024–2025 janë mbuluar 45 zona kadastrale, ndërkohë që mbeten edhe 82 të tjera, të cilat parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2027. Sipas saj, objektivat kryesore lidhen si me finalizimin e procesit të regjistrimit dhe dixhitalizimit, ashtu edhe me rritjen e nivelit të kompensimit dhe rimbursimit, çka kërkon një menaxhim më efektiv të procesit. Shundi theksoi se, në kuadër të procesit të integrimit europian, e drejta e pronës dhe zbatimi i saj i plotë kanë qenë një prioritet i përcaktuar që në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës, si kriter hapës për Kapitullin 23, duke qenë më pas pjesë e kritereve të ndërmjetme dhe tashmë edhe e kritereve përmbyllëse. Njëkohësisht, kjo çështje është pjesë edhe e Planit të Rritjes dhe Axhendës Kombëtare të Reformave.
Diskutimi me përfaqësues nga komuniteti i biznesit, shoqëria civile dhe profesionistë të ligjit u fokusua te nevoja për më shumë përfshirje dhe informim të grupeve të interesit në proceset konsultuese që në fazat e hershme të hartimit të legjislacionit, te forcimi i koordinimit institucional dhe te gjetja e zgjidhjeve të përbashkëta për problematikat që vazhdojnë të ndikojnë negativisht në këto fusha dhe në grupe të ndryshme interesi.
*Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



