Konventa 2021-2023 (Grupi i Punës I: Kapitulli 24) Nevoja për miratimin e një Strategjie Kombëtare për Mbrojtjen/Të Drejtat e Viktimave të Krimit, 30 mars 2023
Më datë 30 mars 2023, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen financiare të SlovakAid, zhvilluan, sesionin e radhës të Grupit të Punës I (Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe Të Drejtat Themelore”) në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2021- 2023.
Aktiviteti nisi me fjalën e Elona Bano, Drejtore në Drejtorinë e Integrimit dhe Negociatave, Ministria e Drejtësisë, e cila bëri një përmbledhje të shkurtër për Platformën e Partneritetit, ngritur në bashkëpunim me EMA në kuadër të Konventës. Duke shpjeguar punën përgatitore dhe zhvillimin e procesit screening për Kapitullin 23, Bano tregoi si u evidentua nevoja për zhvillimin e një strategjie të re kombëtare për të drejtat dhe mbrojtjen e viktimave, në përputhje të plotë me acquis e BE-së, por edhe për të garantuar mbrojtjen e viktimave në Shqipëri, që prej momentit të identifikimit e deri në rehabilitim. Bano u shpreh se takimi i organizuar është i pari pasi puna për strategjinë sapo ka nisur, por është i nevojshëm për të informuar aktorët e interesit. Gjithashtu, ajo vazhdoi më tej duke nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe me aktorët e shoqërisë civile, përgjatë gjithë procesit që do të zhvillohet në kudaër të miratimit të strategjisë. Bano theksoi se e vlerëson zërin dhe bashkëpunimin me aktorët e shoqërisë civile si tepër të rëndësishëm për të pasur rezultate frytdhënëse në hartimin dhe zbatimin e kësaj strategjie.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), foli për rëndësinë e zhvillimit të një strategjie në këtë fushë dhe aktiviteteve të tilla për të rritur bashkëpunimin. Ai nënvizoi se tanimë fokusi duhet të jetë në adresimin e çështjeve konkrete dhe marrjen e masave, pasi me përmbylljen e takimeve bilaterale, procesi do të intensifikohet. Gjipali u shpreh se është thelbësore të krijohet një linjë efektive bashkëpunimi mes institucioneve përgjegjëse dhe aktorëve të shoqërisë civile për të arritur ndryshime dhe rezultate cilësore përgjatë këtij procesi. Këtu është me rëndësi edhe informimi mbi zhvillimet e fundit, për ta shndërruar procesin teknik në nivel konkret dhe të prekshëm, më afër grupeve të interesit, që gjithkush të mundet të kontribuojë. Gjipali shprehu dhe mirënjohje për partnerët sllovakë, në implementimin e Konventës, si një projekt që ka për qëllim pikërisht informimin dhe sjelljen e ekspertizës [sllovake] për të ndihmuar gjatë procesit. Ai e mbylli fjalën e tij duke theksuar se për të nxjerrë masa efektive që gjejnë zbatim në praktikë duhet të punohet me planifkim.
Elona Hoxha, Drejtore e Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave, në Ministrinë e Drejtësisë përmendi se nevoja për strategjinë për mbrojtjen dhe të drejtat e viktimave të krimit u evidentua gjatë punës përgatitore për takimet bilaterale dhe projekti nisi zyrtarisht në muajin shkurt të vitit 2023. Hoxha parashtroi se nevojitet punë jo vetëm për hartimin e politikave, por edhe për ngritjen e kapaciteteve, ndaj dhe është thelbësore të arrihet një koordinim i mirë i të gjitha institucioneve të përfshira. Ajo vazhdoi më tej se objektivi i strategjisë nuk qëndron vetëm në përafrimin me legjislacionin dhe praktikat europiane, por edhe në zbatimin efektiv për të garantuar mbrojtjen e viktimave të krimit. Hoxha u shpreh se do të ketë asistencë nga ekspertë të huaj, si dhe është ngritur një grup ndërinstitucional pune për të ndihmuar në hartimin e planifikimin sa më të mirë, por që është kyçe mbështetja dhe kontributi i aktorëve të shoqërisë civile aktivë në këtë sektor për të ndarë ekspertizën e tyre dhe përfaqësimin sa më gjerë të interesave të grupeve të tyre.
Agnes Bernhard, Drejtuese e Projektit JustAl, bëri një përmbledhje të projektit JustAl dhe asistencën teknike që po ofrohet në hartimin e strategjisë së re të viktimave të krimeve në Shqipëri. Asistenca teknike për Ministrinë e Drejtësisë konsiston në përshtatjen e politikave dhe legjislacionit të BE-së në rendin e brendshëm ligjor, si dhe në rritjen e kapaciteteve institucionale, duke përmbushur kështu kërkesat e BE-së për mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e të drejtave të tyre. Bernhard tha se duhet jo vetëm ndryshim i ligjeve, por edhe i mentalitetit të shoqërisë. Kjo arrihet duke rritur ndërgjegjësimin publik mbi përkufizimin e qartë se çfarë është një viktimë, cilat janë të drejtat e tyre, si garantohen ato, dhe duke bërë të njohur kanalet e duhura për mbështetje dhe mbrojtje. Bernhard u shpreh se është e nevojshme bashkëpunimi i ngushtë me organizatat e shoqërisë civile aktive në këtë fushë, jo vetëm për të rritur ndërgjegjësimin, por edhe për të garantuar zbatimin e efektiv të të drejtave të viktimës.
Tomáš Zábrenszki, eksperti sllovak nga Departamenti i Parandalimit të Krimit në Ministrinë e Brendshme Sllovaki, përshkroi në detaj bazën ligjore europiane që garanton mbrojtjen dhe të drejtat e viktimave, duke treguar edhe se si është përfshirë në rendin e brendshëm ligjor të Sllovakisë. Zábrenszki shpjegoi që direktivat garantojnë që Shtetet Anëtare të sigurojnë objektivat bazë si mbështetje dhe mbrojtje, trajtimi i viktimave të krimit me respekt, mënyrë të ndjeshme dhe profesionale, të sigurojnë kompensim për viktimat, pavarësisht se ku në BE është kryer krimi, si dhe detyrimin për të krijuar skema kombëtare kompensimi për viktima të krimeve të dhunshme. Ai parashtroi se si zbatoheshin skemat e kompensimit në Sllovaki, insititucionet e përfshira dhe theksoi se viktima kompensohej pavarësisht nëse agresori njihej apo jo. Zábrenszki u ndal të përmendte dhe institucionet e ngritura për të ndihmuar dhe mbrojtur viktimat, duke ofruar ndihmë ligjore apo trajtim mjekësor dhe psikologjik, si dhe për qendra të specializuara për viktima të krimeve specifike. Eksperti sllovak foli gjithashtu për ndryshimet e reja ligjore në Sllovaki për të garantuar më tej dhe më efektivisht mbrojtjen e viktimave në praktikë dhe se sa të rëndësishme janë për të shmangur viktimizimin dytësor përgjatë procesit të hetimeve, atij gjyqësor dhe më pas.
Aktiviteti u përmbyll me një diskutim të hapur me pjesëmarrësit nga institucionet e linjës, OSHC-të dhe ekspertët kombëtarë. Të pranishmit në takim ndanë mendimet dhe sugjerimet e tyre për rritjen e rolit të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në hartimin e kësaj strategjie. Në veçanti u disktutua rreth metodologjisë për kompensimin e viktimave të krimit, se si mund të identifikohej modeli më i mirë për Shqipërinë duke mësuar nga eksperiencat e shteteve të tjera uuropiane. Gjithashtu, u fol mbi vlerën e shtuar që kjo strategji e re do të sillte në rendin e brendshëm dhe se si aktorët e shoqërisë civile mund të kontribuonin me ekspertizën e tyre. Raste suksesi nga Austria dëshmonin se si roli aktiv i organizatave të shoqërisë civile dhe bashkëpunimin me insitutionet shtetërore në këtë fushë kanë qënë kyçe në garantimin e mbrojtjes dhe mbështjetjes për viktimat. Më tej u diskutua mbi rëndësinë e jo vetëm të aplikimit të standardeve më të larta në hartimin e bazës ligjore, por edhe në trajtimin e viktimave përgjatë gjithë proceseve, gjë që mund të sigurohet duke trajnuar stafin policor dhe gjyqësor.



