Konventa 2021-2023, Grupi i Punës II (Kapitulli 24): Migracioni i parregullt dhe rritja e rrezikut të kontrabandimi në Shqipëri – mbrojtja e të drejtave të migrantëve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, 06 mars 2023
Më 6 mars 2023, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian u mbajt në Tiranë sesioni i radhës i Grupit të Punës II “Drejtësi, Liri, Siguri”, me temën “Migracioni i parregullt dhe rritja e rrezikut të kontrabandimi në Shqipëri – mbrojtja e të drejtave të migrantëve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”. Qëllimi i këtij aktivitetit ishte pikësëpari të informojë mbi problematikat e lidhura me migracionin e parregullt me fokus kontrabandimin e migrantëve si një fenomen gjithnjë e më i dukshëm në Shqipëri, dhe që po kthehet në një sfidë për autoritetet për ta parandaluar si dhe ka efekte negative mbi sigurinë dhe të drejtat e migrantëve.
Aktiviteti nisi me një fjalë hapës nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, i cili u shpreh mbi rëndësinë e trajtimit të temës së migracionit të parregullt dhe kontrabandimit të njerëzve. Vitet e fundit Shqipëria është një vend pritës dhe dërgues i migrantëve, dhe për këtë a u shpreh se është thelbësore që legjislacioni të jetë i përditësuar, dhe të ndiqen politika efektive me standarde ndërkombëtare në këtë fushë. Por jo vetëm, Gjipali foli gjithashtu për rolin e institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile që duhet të luajnë në bashkëpunim të ngushtë për të parandaluar këtë fenomen dhe për të adresuar shqetësimet që ai ngre.
Më pas takimi vazhdoi me prezantimin e Pavel Eliáš, Zv. Drejtor i Njësisë Kombëtare për Luftën kundër Migracionit të Parregullt, Zyra e Policisë së Kufirit, Ministria e Brendshme e Sllovakisë. Eliáš foli mbi situatën aktuale të migracionit të parregullt në Sllovaki, rrugët aktive të përdorura për kalim të paligjshëm të kufirit dhe masat e marra nga autoritetet. Për shkak të rrezikut dhe shkeljes së të drejtave të njeriut që këto situata paraqesin, është me rëndësi që operacionet hetimore të jenë të suksesshmë në kapjen dhe ndalimin e trafikuesve apo grupeve kriminale. Eksperti sllovak përmendi si një element kyç për autoritetet sllovake, bashkëpunimin me OSHC-të dhe linjën kombëtare telefonike për të ndihmuar viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Më tej ai foli edhe për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional brenda vendit, por edhe me autoritetet e shteteve fqinje në monitorimin dhe parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Sllovakia përdoret nga trafikuesit apo kontrabandistët si një vend tranzit për të vazhduar me tej në Europë, ndaj edhe është krijuar një sistem për paralajmërimin e shteteve të tjera. Një shqetësim aktual për shkak të situatës së luftës në Ukrainë, sipas ekspertit sllovak është edhe çështja e refugjatëve të ardhur nga Ukraina, për të cilët kanë filluar të merren masa parandaluese dhe monitoruese.
Fjalën më pas e mori Denard Veshi, Lektor, Kolegji Universitar Bedër, i cili bëri një përmbledhje të kuadrit ligjor dhe institucional në Shqipëri. Krahas shpjegimit të legjislacionit shqiptar, ai foli për legjislacionin Europian në këtë fushë, duke pasqyruar edhe zhvillimet në vend në kuadër të integrimit në BE. Gjithashtu, ai u shpreh lidhur me trafikimin e personave dhe kontrabandimin, aspektet ligjore të këtyre veprave penale dhe dallimin mes tyre. Veshi vuri theksin te rëndësia e përkufizimit dhe kodifikimit të kontrabandimit të personave për të luftuar këtë fenomen më efektivisht. Shembuj nga praktika e gjykatave shqiptare tregojnë sesi kjo vepër po trajtohet në vendin tonë, si një praktikë e njësuar me atë Europiane apo dhe shteteve anëtare. Ai u shpreh se duke bërë interpretime të ‘soft law’ europian dhe vendimeve nga gjykata të huaja, gjyqtarët shqiptarë po diferencojnë dhe adresojnë më saktë rastet e trafikimit dhe kontrabandimit të personave.
Aktiviteti u përmbyll me një diskutim të hapur me pjesëmarrësit, ku u diskutua mes tyre lidhur me nevojën për të rritur ekspertizën në këtë fushë, si në sistemin policor, gjyqësor, por edhe mes autoriteteve të tjera. Më tej të pranishmit folën për krijimin e një strategjie dhe sistemeve parandaluese për këto fenomene, si edhe për protokolle lidhur me identifikimin e viktimave në kufi.