Libri i Rekomandimeve – Konventa Kombëtare për Integrimin Europian 2026

Përtej dokumentimit të etapave kryesore të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Libri i Rekomandimeve 2026 shërben si një udhëzues praktik dhe analitik për të kuptuar ecurinë e reformave të vendit në raport me acquis-in e BE-së. Libri është strukturuar në tri seksione kryesore, secili prej të cilëve i kushtohet një kapitulli kyç në procesin e negociatave, në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret (Cluster 1 – Fundamentals): Kapitulli 5 – Prokurimi Publik, Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, dhe Kapitulli 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria. Çdo seksion nis me një pasqyrë të gjendjes aktuale të reformave, duke evidentuar si arritjet, ashtu edhe sfidat që vijojnë të mbeten, dhe i vendos këto në kontekstin e kuadrit të negociatave dhe standardeve të përcaktuara nga Komisioni Europian. Më tej, ai shqyrton bazën ligjore dhe institucionale, së bashku me nismat e politikave, dokumentet strategjike dhe boshllëqet në zbatimin e standardeve, me qëllim ofrimin e një panorame gjithëpërfshirëse të përafrimit me standardet e BE-së. Në thelb të secilit seksion qëndron sinteza e diskutimeve të tryezave me ekspertë, ku profesionistë të fushës, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit kanë kontribuar me rekomandime konkrete, të përshtatura me kontekstin shqiptar, në kuadër të Grupeve të Punës për Kapitullin 5, 23 dhe 24 të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian (KKIE), të themeluar nga EMA që prej vitit 2014. Në seksionin përfundimtar, Libri paraqet monitorimin e këtyre rekomandimeve dhe ndjekjen e zbatimit të tyre nga institucionet përkatëse. Ai vlerëson nëse secili rekomandim është adresuar plotësisht apo pjesërisht dhe paraqet arsyetimin përkatës. Ky vlerësim bazohet në shqyrtimin e raporteve dhe dokumentacionit institucional, të plotësuar nga komunikimi i vazhdueshëm me institucionet e interesuara.

Libri i Rekomandimeve – Konventa Kombëtare për Integrimin Europian 2026

Ky material është prodhuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe autorëve, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Projekti “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen financiaretë Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility and Media 2021, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).