Manual Informativ mbi institucionet shqiptare, shkurt 2010
Në kuadër të projektit “Program Internship-i në Kuvendin e Shqipërisë vjen” stafi i EMAs ka publikuar “Manualin Informativ mbi Institucionet Shqiptare”. Ky manual është projektuar për t’iu ardhur në ndihmë të rinjve duke u ofruar atyre një tablo të përgjithshme të funksionimit të institucioneve të qeverisjes vendore dhe qendrore në Shqipëri.
Informacioni, i cili serviret përmes një gjuhe të thjeshtë dhe lehtësisht të absorbueshme, synon ti pajisë studentët me parimet themelore mbi bazën e të cilave funksionojnë kryesisht pushteti legjislativ dhe ekzekutiv. Manuali është i strukturuar në disa seksione ku secili prej tyre fokusohet në çështje dhe tema të cilat synojnë të zgjojnë interesin e studentëve për më shumë njohuri rreth institucioneve publike.
Më konkretisht, seksioni i parë i kushtohet institucionit të Kuvendit të Shqipërisë si institucioni kryesor në një shoqëri demokratike, në të cilën janë të përfaqësuara interesat e popullit si sovran. Seksioni fillon me një analizë historike të parlamentarizmit në Shqipëri, duke spikatur momentet më të rëndësishme, për të kaluar më pas në prezantimin e funksioneve, përbërjen e komisioneve parlamentare dhe parimet mbi bazën e të cilave ato funksionojnë. Në këtë seksion ofrohet një panoramë e marrëdhënieve të Kuvendit me pushtetet e tjera dhe institucionet e pavarura të cilat raportojnë periodikisht pranë tij si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit, Autoriteti i Kontrollit Financiar, etj. Një vëmendje e veçantë në këtë seksion i kushtohet procesit sesi një projektligj kthehet në ligj dhe hyrjes së tij në fuqi.
Figura e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, si përfaqësuesi më i lartë i shtetit dhe simboli i unitetit kombëtar trajtohen më hollësisht në seksionin e dytë të manualit. Studentët në këtë pjesë të manualit njihen me rolin e Presidentit, kompetencat e tij në një shoqëri demokratike si dhe me marrëdhëniet e këtij institucioni me institucionet e tjera të vendit.
Një çështje e cila trajtohet gjatë në manual është pushteti ekzekutiv dhe marrëdhëniet e tij me legjislativin. Me qëllim që manuali të këtë një mbulim sa më gjithëpërfshirës të institucioneve, në seksionin e tretë studentët do të njihen më konkretisht me funksionet dhe kompetencat e pushtetit qendror (qeverisë) dhe atij lokal. Përbërja dhe funksionet e Këshillit të Ministrave si njësia qendrore e një shteti funksional janë disa nga çështjet në fokus të këtij seksioni. Institucioneve të pushtetit vendor u dedikohet një vëmendje e veçantë. Kjo për faktin se qeverisja vendore është më pranë qytetarëve përmes shërbimeve që ajo ofron dhe linja e komunikimit qytetar – institucion është më e drejtpërdrejtë. Kjo pjesë e manualit fokusohet në përkufizimin e nocioneve bazë të pushtetit vendor (bashki, komunë, qark) dhe marrëdhëniet me pushtetin qendror.
Të gjitha këto çështje dhe të tjera si këto mund ti gjeni në brendësi të “Manualit Informativ mbi Institucionet Shqiptare”.



