Materiale informative mbi liberalizmin e vizave, Shkurt 2011
EMA ka kënaqësinë të ndaj me ju materialet informative përgatitur në kuadër të projektit të financuar nga OSFA “Procesi i Liberalizimit të vizave me Shqipërinë: Si ta kthejmë një histori suksesi”, i cili fokusohet në një fushatë informuese për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga Liberalizimi i Vizave.
“Broshura informative mbi Procesin e Liberalizimit të Vizave” dhe fletushka “Udhëtim pa viza” synojnë rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të opinionit publik mbi të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga heqja afatshkurtër e regjimit të vizave.
Kjo broshurë jep një tablo të përgjithshme të kontekstit historik, duke vënë në dukje momentet më të rëndësishme të procesit të liberalizimit të vizave. Brenda broshurës do të gjeni informacione më të hollësishme mbi vendet në të cilat ju mund të udhëtoni pa viza, kohëzgjatjen e udhëtimit tuaj, gjobat në rast të mos-respektimit të afateve, si dhe listën e dokumenteve të nevojshme. Gjithashtu, një vëmendje të veçantë në këtë broshurë i është dedikuar grupeve të caktuara të interesit, si studentëve, akademikëve dhe komunitetit të biznesit. EMA i konsideron këto grupe potencialisht si përfituesit më të mëdhenj të liberalizimit të vizave. Kjo pjesë e broshurës ofron informacion të gjerë mbi programet e BE-së nga të cilat studentët dhe akademikët shqiptarë mund të përfitojnë.
Ndërkohë që fletëpalosja ofron përmes një gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht të kuptueshme informacion bazik mbi liberalizimin e vizave. Ndër të tjera në këtë dokument ju mund të gjeni arsyet pse autoritetet kufitare mund të refuzojnë hyrjen tuaj në zonën Shengen.



