Module të integruara MEL – Hartimi i Monitorimit dhe Vlerësimit të Politikave, 10 dhjetor 2024

Lëvizja Europiane në Shqipëri, në kuadër të Moduleve të Integruara për MEL – Monitorimi dhe Vlerësimi i Politikave të Shtetit të Drejtës mbështetur nga Bashkimi Europian si pjesë e projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, organizoi më datë 10 dhjetor 2024 modulin e radhës MEL, i cili u përqendrua në çështjet mbi hartimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave.

Në sesionin e parë ekspertja e MEL, Mimoza Agolli, u ndal më së shumti ne identifikimin e komponentëve për një monitorim gjithëpërfshires, dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së monitoruesve dhe vlerësuesve që në fazat e para të hartimit të politikave, duke u përpjekur që ata të jenë të përfshirë në grupet e punës. Sipas saj, kjo është një praktikë që nuk përdoret sa duhet në Shqipëri. Gjithashtu, ajo theksoi se mungojnë mekanizmat e standardizuar për të vlerësuar impaktin e politikave në grupet e interesit, pasi shpeshherë për këtë aspekt kujtohemi shumë vonë. 

Në vazhdim të trajnimit, në sesionin e dytë që lidhej me hapat në zbatimin e sistemit MEL, për këtë Agolli organizoi një ndarje të pjesëmarrësve në grupe pune me 3-4 persona. Secilit grup iu caktua në temë e veçantë të lidhura me politika apo reforma të ndërmarra në Shqipëri në kuadër të shtetit të së drejtës si Reforma në Drejtësi, Reforma në Administratën Publike, Lufta kundër Korrupsionit/Mirëqeverisja dhe Strategjia Digjitale. Grupet punuan dhe diskutuan bazuar te hapat e procedurat që duhet të ndiqen gjatë hartimit dhe monitorimit  të cilat mund të jenë  identifikimi i kërkesave, përcaktimi i  pjesëmarrësve (pra grupeve të interesit, që mund të jenë 6 deri në 10 grupe të tilla), duke vazhduar me qasjen metodologjike të përdorur dhe në përfundim konfirmimi (konfirmimi i parametrave, grupeve të interesit dhe zgjedhjet e bëra).

Gjatë sesionit praktik grupet e krijuara punuan mbi hartimin e instrumenteve të matjes së indikatoreve dhe sistemin e menaxhimit të informacionit, duke ndjekur hapat e mësipërme.

Agolli, theksoi që ës bashku me strategjitë apo dokumentet e tjera të politikave, me  rëndësi është dhe  Plani i vlerësimit, pasi ky i fundit përcakton se si proceset vlerësuese do të shtojnë dhe plotësojnë informacionin e mbledhur përmes monitorimit për të ofruar përgjigje për pyetjet e vlerësimit. Vlerësimi përqendrohet veçanërisht në vlerësimin e arritjes së rezultateve të synuara të programit, identifikimin e asaj që funksionon mirë ose jo dhe arsyet pse, në cilësinë dhe vlerën e programit, si dhe masën në të cilën ai plotëson pritshmëritë e grupeve kyçe të interesit. 

Në fund të trajnimit grupet diskutuan mbi punën e tyre, dhe detajet mbi to, që padyshim ishin shumë të vyera.

Ky trajnim kishte për qëllim rritjen e kapaciteteve të pjesëmarrësve në hartimin dhe vlerësimin e politikave të efektshme dhe të qëndrueshme në fushat kyçe të përmendura.