Modulet e Integruara MEL – Kuadri Teorik i Monitorimit dhe Vlerësimit të Politikave Publike me fokus reformat në shtetin e së drejtës, Edicioni III, 10 prill 2025

 Më 10 prill 2025, u zhvillua moduli i parë i edicionit të tretë të Moduleve të Integruara për MEL – Monitorimi dhe Vlerësimi i Politikave të Shtetit të së Drejtës. Ky Modul shërbeu për pjesëmarrësit si një hapësirë për të ndarë eksperiencat dhe fushat e tyre të interesit, si dhe pritshmëritë e tyre ndaj këtij Programi Trajnimi. Moduli nisi me prezantimin e pjesëmarrësve ku u diskutua dhe për ndarjen në grupe bazuar në  ato çështje që i konsideronin me rëndësi brenda fushës së shtetit të së drejtës si lufta kundër korrupsionit, prokurimi publik, të drejtat e pronës, barazia gjinore, menaxhimi i migracionit të parregullt, arsimi profesional etj. Gjithashtu u diskutuan dhe dokumetet strategjike që do të merren në shqyrtim të cilat do të shërbejnë dhe për përgatitjen e detyrave praktike dhe detyrës përfundimtare për çdo grup. Dokumentet e sugjeruar përfshijnë Strategjinë Anti-Korrupsion, Strategjinë për Barazinë Gjinore, Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës, Ligjin për Prokurimin Publik, Axhendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes apo edhe Planin e Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve.

Në vijim të sesionit, lektorja Mimoza Agolli shpjegoi kuadrin teorik të monitorimit dhe vlerësimit të politikave publike, duke u fokusuar në konceptet kryesore dhe elementet që përbëjnë strukturën e këtij procesi. Ajo theksoi se monitorimi dhe vlerësimi është një ushtrim i rëndësishëm për të siguruar transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike gjatë procesit të hartimit dhe zbatimit të politikave. MEL është një proces i pandashëm i politikës publike dhe shumë me rëndësi për të bërë të mundur monitorimin e procesit, matjen e indikatorëve dhe impaktit, dhe vlerësimit të tij duke nxjerrë dhe mësime për përmirësim nga ky proces.  Po ashtu, ajo shpjegoi llojet dhe tipologjitë e ndryshme të monitorimit dhe vlerësimit të politikave të cilat duhet të përdoren duke pasur parasysh objektivin që ka procesi i monitorimit dhe vlerësimit, cilat janë burimet njerëzore dhe ato financiare në dispozicion, si dhe koha apo elemente të tjera që ndikojnë në përzgjedhjen e asaj metode monitorimi dhe vlerësimi më të përshtatshme. Kjo është ajo që Agolli e cilësoi si vendimmarrja metodike – bazuar kryesisht në atë qëllim që ke: pra çfarë synohet të matet dhe të vlerësohet?

Ajo shpjegoi gjithashtu dhe bazat e Teorisë së Ndryshimit (Theory of Change ) e cila sipas Agollit duhet të shpjegojë procesin se si shkohet nga pika A në pikën B, duke nënkuptuar që ajo është njëkohësisht një proces dhe një produkt.  Teoria e Ndryshimit fillon me nje analizë  bazë të kontekstit dhe harton ato sekuenca logjike të ndryshimit që priten nga një politikë e re apo një reformë. Në fund kur vlerësohet impakti apo të identifikohen rezultatet e arritura realizohet analiza finale.

Agolli në dy sesionet e fundit ofroi shembuj praktikë dhe detyra ushtrimore, ku të gjithë pjesëmarrësit u përfshinë në mënyrë aktive dhe cilësore nëpërmjet diskutimeve. Një shembull për diskutim që Agolli solli lidhej me vlerësimin e integritetit të institucioneve publike të qeverisjes lokale dhe monitorimit të zbatimit të planeve të integritetit. Kriteret për vlerësim ishin: Transparenca; Llogaridhënia; Qasja strategjike ndaj integritetit; Standardet e integritetit; Çështjet e meritokracisë;

Për të përcaktuar indeksin e integritetit u realizuan dy procese vlerësimi – Vetëvlerësimi nga bashkia (i brendshëm) dhe vlerësimi i jashtëm nëpërmjet mbledhjes së opinioneve të qytetarëve. Formati i pyetjeve dhe të dhënave ishte standard, por në përfundim të rezultateve u pa qartë që këto dy indekse vlerësimi nuk ishin të njëjta dhe nuk përputheshin. Në disa bashki u pa që nga vetëvlerësimi disa indikatorë vlerësoheshin pozitivisht, ndërkohë që për qytetarët ato ishin vlerësuar në nota më të ulëta. Ky shembull tregon se si metodat e ndryshme te monitorimit dhe vlerësimit nxjerrin rezultate të ndryshme edhe pse monitorojnë dhe vlerësojnë të njëjtën gjë, për këtë ka shumë rëndësi që të përcaktohet qartë qëllimi dhe objektivi se pse po kryhet procesi i MEL, cila është problematika që kërkon zgjidhje dhe si parashikohet të realizohet ajo në mënyrë që të zgjidhet sa më saktë dhe metoda e duhur për ta kryer atë.