Modulet e Integruara MEL – Hartimi i një Sistemi MEL, Edicioni III, 24 prill 2025
Moduli i radhës në kuadër të Moduleve të Integruara për MEL në fushën e Shtetit të së Drejtës u zhvillua më 24 prill 2025, në Shtëpinë e Europës me fokus hartimin dhe krijimin e një sistemi MEL me pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile, institucioneve publike por edhe përfaqësues të sektorit privat.
Mimoza Agolli, lektore e këtij Moduli e nisi prezantimin duke sqaruar tre hapat e parë që duhet të ndiqen për krijimin dhe hartimin e një sistemi MEL të cilat janë: Përcaktimi i kuadrit të politikës/strategjisë apo projektit që do të monitorohet – ku duhen qartësuar objektivat dhe synimet përse dhe për çfarë do të bëhet MEL. Hapi i dytë lidhet me programimin e Teorisë së Ndryshimit të cilat lidhen me objektivat dhe masat e parashikuara nga vetë politika që do të monitorohet duke identifikuar inputet, masat, rezultatet, produktet dhe indikatorët. Ndërkohë që hapi i tretë është i lidhur me realizimin e Planeve për Monitorimin dhe Vlerësimin.
Agolli u shpreh që gjatë hartimit të sistemit MEL është e rëndësishme të merret në konsideratë që lidhjet shkak-pasojë nuk janë gjithmonë lineare dhe të drejtpërdrejta po mund të ndikojnë shumë faktorë dhe janë shpeshherë të komplikuara dhe të ndërlidhura. Për këtë është e rëndësishme që dhe gjatë hartimit të kihen parasysh se si indikatorët, objektivat dhe masat lidhen me njëra-tjetrën dhe si duhen analizuar dhe lexuar rezultatet dhe outputet finale. Gjatë përgatitjes së këtij sitemi një rol të rëndësishëm luan dhe përgatitja e pyetësorëve dhe realizimi i intervistave të cilat duhet të nxjerrin informacione të rëndësishme mbi impaktin e ndërhyrjes së politikës, eficencën dhe efektivitetin e saj, masat e arritura, përfshirja e sa më shumë aktorëve (atyre që janë përfshirë në zbatim, aktorëve të tjerë me rëndësi si dhe përfituesve finalë të politikës) duke ofruar dhe shembuj të ndryshëm praktikë të politikave të vlerësuara, por edhe shembuj të pyetësorëve dhe checklistave që duhen përgatitur gjatë procesit të hartimit të sistemit MEL.
Në sesionin e fundit teorik Agolli ofroi disa këshilla praktike se si të realizohet Plani i Monitorimit dhe Plani i Vlerësimit. Në lidhje me Planin e Monitorimit ai duhet tu përgjigjet pyetjeve sesi monitorimi lidhet me logjikën e programit dhe se si monitorimi do të bëj të mundur mbledhjen dhe analizimin e të dhënave që do të monitorohen. Sa i përket Planit të Vlerësimit, Agolli theksoi se ai shërben për të plotësuar dhe analizuar informacionin e marrë gjatë monitorimit dhe duhet të shërbejë për të vlerësuar nëse politika po i arrin rezultatet e synuara, çfarë po funksionon dhe çfarë jo. Për zbatim sa më të mirë të të dy planeve duhet gjithashtu të parashikohen me qartësi hapat që duhen ndërmarrë gjatë monitorimit dhe vlerësimit, afatet e sakta dhe çfarë synohet të arrihet me këtë proces.
Në sesionin e fundit – atë praktik, pjesëmarrësit u përfshinë në mënyrë aktive në diskutime të shembujve konkretë si dhe me realizimin e detyrës në grup. Secili grup pasi zgjodhi një strategji të caktuar në kuadër të shtetit të së drejtës si Axhenda Kombëtare e Reformave, Ligji i ri për Prokurimin Publik, Anti-Korrupsioni, Punësimi dhe përfshirja sociale realizuan sipas hapave të shpjeguara në sistemin MEL, duke identifikuara objektivin e monitorimit, si dhe indikatorët, masat dhe aktorët që do të përfshihen në sistem. Gjithashtu ata diskutuan mbi metodën dhe qasjen më të përshtatshme për monitorim dhe vlerësim sipas këtyre elementeve.



