Modulet e Integruara MEL – Kuadri Teorik i Monitorimit dhe Vlerësimit të Politikave Publike me fokus reformat në shtetin e së drejtës, Edicioni II, 11 shkurt 2025

Më 11 shkurt 2025, u zhvillua moduli i parë i edicionit të dytë të Moduleve të Integruara për MEL – Monitorimi dhe Vlerësimi i Politikave të Shtetit të së Drejtës, ku u trajtua kuadri teorik i monitorimit dhe vlerësimit të politikave publike, me fokus të veçantë në reformat në shtetin e së drejtës. Lektorja Mimoza Agolli ofroi një shpjegim të detajuar për pjesëmarrësit e këtij edicioni, duke sqaruar objektivin kryesor të moduleve, i cili është njohja dhe aftësimi për hartimin dhe realizimin e monitorimit të progresit dhe vlerësimit të impaktit të politikave dhe programeve të reformave me fokus shtetin e së drejtës. Gjithashtu, ajo theksoi rëndësinë e një platforme online, që do të shërbejë si burim referimi për të gjithë pjesëmarrësit, dhe shpjegoi metodologjinë e vlerësimit të avancuar që do të përdoret në perfundim të trajnimit.

Pas kësaj, pjesëmarrësit patën mundësinë të bënin një prezantim të shkurtër të vetes, duke ndarë arsyet e pjesëmarrjes së tyre dhe pritshmëritë që kishin nga ky trajnim. Kjo ishte një mundësi për të kuptuar se çfarë prisnin dhe çfarë do të dëshironin të përfitonin nga ky proces. Para kalimit në kuadrin teorik të trajtimit të çështjeve të monitorimit dhe vlerësimit, u realizua një ushtrim për monitorimin, ndërsa u bë edhe ndarja e grupeve të punës në bazë të interesave dhe ekspertizës së pjesëmarrësve, me qëllim të siguronin një angazhim më të thellë dhe një mësim më efektiv gjatë gjithë sesionit. Dokumentet e përzgjedhur për monitorim dhe vlerësim nga grupet e punës ishin: Strategjia Anti-Korrupsion, Strategjia për Rininë, Strategjia për Barazinë Gjinore, Plani i Ri i Rritjes dhe Axhenda Kombëtare e Reformave, Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, komponenti i Shoqërisë Civile. 

Në vijim të sesionit, Agolli ofroi një shpjegim të thelluar të kuadrit teorik të monitorimit dhe vlerësimit të politikave publike, duke u fokusuar në konceptet kryesore dhe elementët që përbëjnë strukturën e këtij procesi. Ajo theksoi se dy nga tiparet më të rëndësishme të monitorimit dhe vlerësimit janë vazhdimësia dhe gjurmimi. Këto aspekte janë të domosdoshme për të siguruar që politikat dhe programet e zbatuara të ndjekin një rrugë të qartë dhe të matshme në kohë, duke mundësuar vlerësimin e progresit dhe identifikimin e nevojave për rregullime të mundshme. Në këtë kuadër, u dhanë shembuj konkretë për mënyrën sesi mund të realizohet monitorimi dhe vlerësimi i politikave. Një nga shembujt që u trajtua ishte një proces i mirëfilltë monitorimi dhe vlerësimi për debatin mbi sistemin tatimor në Shqipëri, ku diskutimi ishte se cili model takse është më i përshtatshëm për vendin: taksa progresive apo taksa e sheshtë. Po ashtu,  shpjegoi llojet dhe tipologjitë e ndryshme të monitorimit dhe vlerësimit të politikave. Sipas saj dhe pjesëmarrësve, monitorimi i jashtëm konsiderohej si më efektiv, duke u mbështetur në faktin se Bashkimi Europian shpesh alokon një linjë buxheti specifike për monitorimin e jashtëm të projekteve. Në këtë mënyrë, siguron një kuptim të thelluar të proceseve të monitorimit dhe vlerësimit, duke shpjeguar se këto janë të domosdoshme për të garantuar që politikat publike të jenë efektive, transparente dhe të orientuara nga rezultatet konkrete.