Punimi: 12 detyrat e Shqipërisë. Ku jemi sot?, tetor 2011
EMA ka kënaqësinë të ndajë me ju punimin “12 detyrat e Shqipërisë. Ku jemi sot?” , mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Think Tank Fund, Open Society Foundations (OSF).
Punimi merr nismë nga Raporti i Progresit të Komisionit Europian 2011, i cili për të dytën herë vlerëson negativisht gatishmërinë e vendit tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Por ky vlerësim nuk erdhi si një rrufe në qiell të kaltër. Vjet, Komisioni Europian publikoi Opinionin për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në Raportin Analitik që shoqëron Opinionin, Komisioni bëri një skanim të gatishmërisë së Shqipërisë për plotësimin e kritereve të Kopenhagenit dhe arriti në përfundimin se Shqipëria duhej të përmbushte 12 përparësitë e identifikuara në Opinion, përpara se të ndizej drita e gjelbër për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Në këtë kuadër, ky punim bën një krahasim të situatës mbi 12 detyrat e lëna një vit më parë nga Opinioni në Raportin Analitik 2010 dhe shkallës së përmbushjes së tyre në Raportin e Progresit 2011. EMA përpiqet ti ofrojë audiencës një pasqyrim strikt të gjetjeve faktike në dy dokumentet e lartpërmendura. Siç duket nga ky krahasim, Shqipëria nuk ka përmbushur plotësisht asnjë nga këto detyra. Shkalla e vlerësimit të Komisionit, përdorur edhe në këtë punim varion si më poshtë:
“mungon progresi”
“progres i pamjaftueshëm”
“progres i kufizuar”
“progres i pjesshëm”
“njëfarë progresi”
“progres”



